Berisha: Krimi i organizuar s’lejon rotacionin, rruga e vetme e jona është protesta

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin në Shqipëri dhe sipas tij, protesta është rruga e vetme.
Duke bashkëbiseduar me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se “në kushtet e një pluralizmi të shtypur, që nuk lejon rotacionin, që burgos krerët e opozitës, që përdor të gjitha burimet e gjithanshme të shtetit në emër të partisë shtet që të marrë zgjedhjet, që përdor bandat për të kontrolluar votat, përdor administratën për të kontrolluar votat”.
“Pra jemi në një realitet, për ta përmbledhur në një fjalë që deklaroi një nga europarlamentarët më të njohur në Bruksel, Michael Gahler; në Shqipëri tha, krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit”, tha Berisha.
Në këtë mënyrë, sipas Berishës ka vetëm një përgjigje që është vetëm protesta. Në të kundërt sipas Berishës, “farsa e ardhshme elektorale nuk do të jetë me 52%, Edi Rama por do të jetë me 62-68 %.”
“Tani vij tek pyetja juaj, ka vetëm një përgjigje; të ngrihemi në protesta, protesta dhe vetëm protesta. Përndryshe farsa e ardhshme elektorale nuk do të jetë me 52%, Edi Rama por do të jetë me 62-68 %.
Nëse bindemi për realitetin që është, atëherë ne nuk kemi një rrugë të dytë, nuk kemi rrugë tjetër, përveç se të ngrihemi me guximin, të gjithë ata që duan një votë të lirë dhe të përballemi me këtë qeveri, gjersa të rikthejmë votën e lirë ndaj shqiptarëve”, theksoi më tej Berisha.
Gjithashtu, Berisha shpjegoi skenarin e protestës e së hënës duke thënë se PD do “hapë” një Parlament para godinës qeveritare, sipas tij për shkak se gjatë seancave në Kuvend opozita nuk është lejuar të debatojë. Ai theksoi se kjo protestë do të organizohet 1 herë në javë, ku deputetë e qytetarët do të thonë fjalën e tyre e tyre.
“Protesta e ditës së hënë, do të hapim aty një foltore, një Parlament. Në 10 seanca opozita është lejuar të debatojë vetëm në 1 seancë.
Para këtij bllokimi të plotë, hapim foltoren parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë 1 herë në javë, ku deputetë dhe qytetarë do thonë zërin e tyre. Protesta të tjera po projektohen, por do të thirren në kohën e përshtatshme”, tha Berisha.
/rtsh.al/