Shqipëria, vendi që mahnit turistët e huaj

Është Shqipëria në të cilën nga Italia mund të arrish për një orë me avion dhe brenda një nate me traget. “Po sa shumë ka ndryshuar Shqipëria?”, ngre pyetjen në një shkrim të 27 korrikut korrespondentja e “BBC World Service”, Julia Langdon, e cila sapo kishte mbërritur në Sarandë, vendi më i popullarizuar i rivierës shqiptare, transmeton gazeta Panorama e Tiranës. “Lonely Planet”, ndërkaq thekson:
“Harroni fotot e Shqipërisë që keni parë: topa lufte dhe avionë të braktisur mbi fshatra të lashta dhe bunkerë të shpërndarë përgjatë rrugës për në Tiranë. Kjo është e gjitha pjesë e së kaluarës. Po, sepse qytetet, plazhet dhe peizazhi që gjendet përgjatë bregdetit dhe në brendësi janë ndër më mikpritëset dhe piktoresket në Evropë”. Mendimi i tanishëm është unanim: Shqipëria është një vend për t’u vizituar. “Panorama.it” ju tregon për destinacionet dhe historitë e italianëve që kanë qenë aty. Qyteti, të cilit gjatë viteve tetëdhjetë Albano Carrizi i kishte dedikuar një këngë, Saranda, është një nga perlat e bregdetit të Jonit në Shqipërinë jugore. Plazhet janë ende të paeksploruara dhe peshku kalon direkt nga deti në tryezë. Ka shumë hotele dhe “shtrat dhe mëngjes”-et e kësaj zone që shfaqen në motorët e kërkimit. “Booking.com” e vlerëson me pesë yje “Bougainville Bay”, resorti më i ri dhe unik i Sarandës, që do të mirëpresë këtë vit turistët e parë. I ndërtuar pothuajse në det, ai ofron çmimet më të mira, madje edhe nga ato që gjenden në Greqi. Struktura është shumë e re dhe në restorant ka kuzhinë italiane. Për ata që preferojnë të gatuajnë në shtëpi, anija e peshkimit të resortit çdo mëngjes ndalon për të shitur peshkun e sapo zënë.
Në “Bougainville Bay” kanë ardhur italianët e parë. “Panorama.it” ka takuar Horace Frigino, president i Aviacionit Detar italian, në afërsi të hidroplanëve, një nga shërbimet më elegante të ofruara nga vendpushimi. Me pilotët e tij, Frigino jep mundësinë për të bërë fluturime panoramike mbi bregdetin e Shqipërisë. Por ka më shumë: “Plani ynë është që të ofrojmë paketa ditore dhe fundjave për turistët të cilët janë në Salento, Itali, dhe që janë të interesuar të zbulojnë Shqipërinë”. Transferimet, natyrisht, bëhen me hidroplan: fluturimi zgjat vetëm 50 minuta. Frigino gjithashtu synon të krijojë një hidroklub shqiptar. Njeriu i hidroplanëve ka mbetur kaq i mahnitur nga bukuria e Sarandës, sa ka blerë një shtëpi në “Bougainville bay”.
“Një turist gjen limane ende të pacenuara, shtratin e detit të mbushur me mrekulli, ushqim të mirë dhe shërbimin me një raport vërtet të shkëlqyer çmim-cilësi. Për mua ishte një befasi të zbuloja, një orë fluturim larg nga Italia, brigjet mahnitëse që transmetojnë emocione të forta dhe të jetoja në një shtëpizë në mes të maleve të thepisura dhe rrëkeve karaibike”. Por nuk janë vetëm pilotët që i japin gjallëri jetës së turistëve italianë në Sarandë. Janë edhe kampionët e detit. Në ditët e para të gushtit, Marco Bardi, një nga kampionët më të famshëm të peshkimit me shtizë, do të eksplorojë thellësitë e Sarandës duke organizuar edhe kurse individuale. Vende të tjera të zonës që nuk duhen humbur: ishujt e Ksamilit dhe liqeni “Syri i Kaltër”, një monument unik i natyrës nën mbrojtjen e autoriteteve. Vlora është qytet me më shumë ditë me diell në Shqipëri. Deti ofron nga plazhet klasike me rërë të Adriatikut, në plazhet shkëmbore tipike të detit Jon. Siç thotë “Lonely Planet”, “lajmi që përtej detit shtrihet një vend i gjithi për t’u zbuluar dhe shijuar ndoshta nuk mund të jetë nga të rejat absolute. Ajo që është e sigurt, megjithatë, është se ka ardhur koha për t’u ulur në tryezë, duke falënderuar për mikpritjen (ajo e shqiptarëve është në nivelet më të larta) dhe të nisim shijimin”. Një pjatë makarona kushton rreth 3 euro, peshku i freskët i detit mes 5 dhe 8 eurove për kilogram, 50 centë një filxhan kafe.
Në kuzhinat e hoteleve shefat janë emigrantë, të cilët janë kthyer në shtëpi nga Italia, duke investuar në vendlindje kursimet dhe eksperiencën e fituar jashtë vendit. Do të ishte mëkat të largoheshe nga Vlora, pa ndaluar së pari në restorantin “Boiko” për të shijuar frutat e detit apo te “Pulëbardha” në Radhimë për midhjet. E konfirmojnë dy vëllezër milanezë, Luigi dhe Andrea Brambilla, që kanë mbërritur në Shqipëri me miqtë e tyre shqiptarë të universitetit: “Studiojmë ekonomi në Universitetin e Milanos. Miqtë tanë shqiptarë kanë insistuar që të na tregonin vendin e tyre dhe ja ku jemi. Ne udhëtuam me traget nga Ankona dhe do të qëndrojmë 10 ditë. Hahet për mrekulli, deti është i mrekullueshëm dhe çdo gjë kushton më pak”. Kush ka vapë dhe nuk i pëlqen deti mund të shkojë në Gjirokastër. I njohur si “qyteti i gurit”, është më popullori nga turistët italianë, sipas Ambasadës Italiane në Tiranë. Vendlindja e ish-diktatorit Enver Hoxha, por edhe e kandidatit shqiptar për çmimin “Nobel” të Letërsisë, Ismail Kadare, Gjirokastra ka qenë gjithmonë një djep i kulturës dhe i intelektualëve shqiptarë. Për shkak të karakteristikave unike dhe vlerave historike e arkitektonike, që nga viti 2005 qyteti është i mbrojtur nga UNESCO.
Kalaja është monumenti më i rëndësishëm i qendrës historike: u ndërtua mbi një bllok të madh shkëmbi që duket si një luftanije e madhe. Të dhënat e fundit flasin për 300 vizitorë në ditë, 40 për qind italianë, pjesa tjetër amerikanë, francezë dhe norvegjezë. Gino është nga Sasari, i martuar me Adelën, një vajzë shqiptare që emigroi në Itali në vitet nëntëdhjetë: “Kjo është hera e parë që ne vijmë së bashku. Më vjen keq që jam vonuar kaq shumë kohë, ne jemi martuar prej 5 vjetësh. Qyteti dhe historia e tij janë magjepsëse. Është për të të ardhur keq se në Itali nuk dimë asgjë për gjithë këtë”. Dashamirët e turizmit kulturor mund të vazhdojnë udhëtimin drejt Beratit, të quajtur “qyteti i 1001 dritareve”, edhe ai nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Për të zbuluar çdo gjë që duhet të dihet rreth heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405 – 1468), është Kruja, e cila gjithashtu ka edhe “Pazarin” e famshëm (tregu), me vepra artizanale lokale të të gjitha llojeve. Shkodra, Voskopoja, Thethi dhe Velipoja janë vetëm disa nga destinacionet e Shqipërisë veriore që ia vlen të vizitohen në verë apo pranverë për peizazhin e pasur e liqene, lumenj, pyje dhe kanione. E gjitha kjo për një pushim me kosto të ulët. Por edhe të sigurisë? Shumë italianë të interesuar për pushime në Shqipëri e bëjnë këtë pyetje. Çështja e sigurisë është gjithashtu një pyetje e përsëritur në Shqipëri edhe nga forumi i “TripAdvisor”. Ja si është përgjigjur RealVR, një djalë nga Milano: “Ju mund të ndiheni 100% të qetë. Në verë ka edhe shumë italianë. Do të befasoheni. Turistët në përgjithësi shihen me sy të mirë”. /Indeksonline/