E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria voton, zgjidhet sot parlamenti dhe qeveria e re

Shqiptarët do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur  Parlamentin e ri nga i cili do të dalë edhe qeveria e re.

Rreth 3.271.885 pritet të votojnë sot në qendrat e votimit të cilat do të hapen zyrtarisht në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.

5508 QV do jenë të hapura për qytetarët dhe në përfundim të proçesit, do të nisë numërimi i votave në 89 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Beteja më e ashpër do jetë ajo mes 2 koalicioneve, Aleanca për Shqipërinë Europiane me 37 parti e udhëhequr nga PS dhe koalcioni i drejtuar nga PD Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim me 25 parti. Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi do të garojnë si subjekt politik më vete.

Shqipëtarët do të zgjedhin mes 66 subjekteve politike që janë renditur në fleten e votimit. Diferencë bëjnë 2 qarqe që do kenë 67 subjekte, kjo pasi në Vlorë kandidon si i pavarur Arben Malaj, ndërsa në qarkun e Fierit i pavarur garon Dritan Prifti.

I gjithë proçesi i sotëm, pritet të mbikqyret nga 8,153 vëzhgues të huaj dhe vendas. Rreth 8 mijë vëzhgues vendorë do të jenë syri i shqiptarëve në këto zgjedhje, nga të cilët 2,402 janë afatgjatë dhe 5,187 afatshkurtër.

Por edhe faktori ndërkombetar ka ngritur një ekip të tërë mbikqyrje me nje numer prej 564 vezhguesish, nga të cilët 140 afatgjatë, 424 afatshkurter .

Ambasadat e vendeve të Unionit Europian janë akredituar pranë KQZ-së për të qenë prezent fillimisht në qendrat votimi dhe më tej në qendrat e numërimit të votave. Mbikqyrje do ketë edhe nga Ambasadat e vendeve të Ballkanit, por numrin më të madh të vezhguesve e ka Ambasada amerikane, me 68 vëzhgues.

Përpos armatës së vezhguesve të OSBE-ODHIR, procesi do të vëzhgohet nga 23 vëzhgues të Asamblesë Parlamentare te Keshillit te Europës, me në krye Luca Volonte.

Një sy tjetër vezhguesish do jenë edhe gazetarët e mediave të huaja që kanë paraqitur një interes të madh për proçesin e sotëm zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›