Shqipëria zgjeron marrëveshjet për sigurimet shoqërore, Ibrahimaj: 17 marrëveshje të miratuara, mijëra emigrantë përfitojnë njohjen e viteve të punës

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka miratuar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Slloveninë, duke e çuar në 17 numrin total të marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria me vende të tjera.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila tha se kjo marrëveshje është pjesë e politikës së qeverisë shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar ndër vite si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.
“Sot kaluam një projektvendim, një miratim në parim të marrëveshjes për sigurimet shoqërore, e cila e çon numrin e marrëveshjeve në 17. Bashkë me Slloveninë janë 11 marrëveshje të firmosura me vendet e Bashkimit Europian”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres, këto marrëveshje janë të rëndësishme për qytetarët që kanë punuar në vende të ndryshme, pasi u mundësojnë njohjen e periudhave të kontributeve dhe përfitimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore në të ardhmen.
Ibrahimaj theksoi se një nga marrëveshjet më të rëndësishme të finalizuara së fundmi është ajo me Italinë, nga e cila kanë përfituar rreth 20 mijë shqiptarë përmes njohjes së viteve të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.
“Ka qenë një problem i mbartur ndër vite. Vitin e kaluar ratifikuam dhe firmosëm marrëveshjen me Italinë, më të rëndësishmen. Rreth 20 mijë shqiptarë kanë përfituar nga marrëveshja për njohjen e viteve të kontributeve”, deklaroi ajo.
Ministrja bëri me dije gjithashtu se procesi i zgjerimit të këtyre marrëveshjeve do të vijojë, pasi aktualisht janë katër marrëveshje të tjera në proces negociimi, të cilat pritet të dërgohen së shpejti për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.