E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria zhytet në plehra

0,,17000608_303,00Grumbuj të mëdhenj plehrash shoqërojnë ngado peizazhin në Shqipëri. Por jo vetëm kaq, vendi importon plehra gjoja për riciklim. Ambientalistët dhe opozita japin alarmin

Nga Johan von Mirbach, Deutsche Welle

Plehrat shihen kudo, buzë detit, në brigjet e lumenjve, në periferitë e kryeqytetit, në portin e Durrësit apo në Shkodër në veri të vendit. Jo vetëm privatët, por edhe drejtuesit vendorë nuk veprojnë ndryshe. Ata i hedhin plehrat kudo. Madje edhe një qytet- port si Durrësi nuk ka një landfill të rregullt. Mbeturinat e më shumë se 200 mijë banorëve hidhen nëpër fusha. Derrat dhe dhitë sorollaten nëpër plehra duke kërkuar ushqim. Shirat krijojnë përrenj me ndotje që shkojnë më pas e derdhen në det. Familjet rome merren me format rudimentare të riciklimit. Ngado sheh plehra që digjen për të marrë skrapin. Ajri dhe uji është i ndotur.

Lavdosh Ferruni është nga të paktët aktivistë ambientalistë në Shqipëri. Ai ankohet prej kohësh për problemin e mbeturinave. Në 23 vitet e fundit në vend shpërtheu konsumi, thotë ai. Infrastruktura nuk e mbante dot ritmin. Ne prodhojmë më shumë mbeturina nga sa mund të kujdesemi për to.

Ambientalistët japin alarmin

Administrata dhe politika përpiqen që të kujdesen për këtë çështje. Në mbarë vendin ka vetëm dy landfille që plotësojnë kushtet e BE-së. Një në Tiranë dhe një tjetër në veri të vendit, në Bushat.

Por plehrat në Shqipëri vijnë edhe nga importi. Në vitin 2011, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, janë importuar 300 mijë ton mbeturina metalike dhe 20 mijë ton mbeturina plastike për riciklim, kryesisht nga Italia. Kjo është aq sa sasia e mbeturinave që prodhon Tirana në një vit. Doganat shqiptare bëjnë vetëm një kontroll rastësor të këtyre ngarkesave.

Ambientalistët si Ferruni druhen se bashkë me plehrat që hyjnë në mënyrë ligjore, në vend futen edhe mbeturina toksike, sidomos nga Italia e Jugut. Ata thonë se nuk kanë dëshmi, por thashethemet ziejnë.

Zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, në një intervistë thotë se ambientalistët e teprojnë, por pranon se ka pasur probleme me punonjës individualë në dogana.

Me vështirësitë sa i përket çështjes së plehrave është përballur edhe gjermani Wolfgang Krause. Deri para dy vitesh ai ishte menaxher i një landfilli në veri të vendit. Së bashku me firmën Becker ata ndërtuan një landfill, ku vetë ai investoi gjysëm milion euro.

Me komunat e rajonit ai nënshkroi një marrëveshje. Secila do paguante 7 euro për një ton mbeturina.

Por plani nuk eci. Ajo që mungonte ishin plehrat.

Vetëm 8 përqind e sasisë që përballon landfilli depozitohej.

Njësitë vendore vazhdonin që ti derdhnin plehrat buzë lumenjve ose në grumbuj plehrash me shpresën se shirat e pranverës do i dërgonin mbeturinat në det, duke e pastruar tokën, thotë ai. Këto janë me shumë gjasë mbeturinat që dalin në Kroaci, shton ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›