E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri–Kosovë, përurohet pika e kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë

KUKES - Ministri i Brendshëm, Flamur Noka dhe homologu i tij kosovar, Bajram Rexhepi, përuruan sot në kufirin Shqipëri-Kosovë, pikën e re të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të policisë së Shqipërisë e Kosovës, autoritete nga pushteti lokal, banorë nga të dy krahët e kufirit.

Ky përurim vjen si realizim konkret i Marrëveshjes së Bashkëpunimit Policor Ndërkufitar mes dy vendeve dhe parashikon edhe çeljen e disa pikave të tjera të kalimit. Në bazë të marrëveshjes, qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Kosovës do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli në hyrje ose dalje.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri i Brendshëm Noka ndër të tjera theksoi përurimi i kësaj pike doganore është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Sot, së bashku përurojmë me gëzim të pamasë këtë urë të re bashkimi dhe komunikimi, duke lënë pas të kaluarën, si një kujtim i hidhur që nuk do të mund të përsëritet më kurrë!
Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha e ka konsideruar gjithmonë bashkimin dhe bashkëpunimin me Kosovën si një detyrim madhor ndaj kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo jetojnë. Rruga e Kombit, kjo vepër madhore, realizuar me iniciativën personale të Kryeministrit Berisha dhe vazhdimi i saj në territorin e Kosovës, është shndërruar në rrugën e bashkimit, komunikimit dhe prosperitetit ekonomik për shqiptarët në të dy krahët e kufirit, pavarësisht luftës së egër që i bëri opozita socialiste. Sot distanca Prishtinë – Tiranë përshkohet në më pak se tri orë, duke rritur ndjeshëm bashkëpunimin, ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik.”- u shpreh Noka.

Ndërsa Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, gjatë fjalës së tij vuri theksin te fakti se çelja e kësaj pike do të jetë lehtësojë jetesën dhe bashkëpunimin e banorëve në këto zona rurale, të cilat gjatë dimrit kanë vështirësi komunikimi e lëvizjeje. Z. Rexhepi tha se kjo pikë do të ndikojë kryesisht për rajonin e Prizrenit, sidomos Dragashin nga ana e Kosovës.

“Kjo do të lehtësojë që të ketë komunikim më të mirë, shkëmbim më të mirë, furnizim më të mirë në të dy anët dhe në të njëjtën kohë të parandalohen kalimet ilegale,” – tha Rexhepi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›