E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiponjat shqiptare në Afganistan

Mbrojtja dhe sigurimi i lirisë, zgjidhja paqësore e konflikteve, mbrojta e vlerave dhe të drejtat e njeriut janë qëllime fisnike. Në të kaluarën qëllimet fisnike gjendeshin në kodet kalorësiake. Lufta e parë dhe e dytë Botërore i mësuan kombet të anëtarësoheshin në organizata që mbronin sigurinë e përbashkët. Rënia e komunizmit çmontoi tensionin e luftës së ftohtë midis dy kampeve të mëdha ideologjike. Por historia nuk ka mbaruar punë me ne. Ngjarjet e 11 Shtatorit të vitit 2001, na dëftyen se pas shumë dekadash, një sfidë dhe luftë e re ka ardhur mes nesh, ajo me të cilën realisht po përballet njerëzimi sot është terrorizmi fondamentalist, një luftë që kërkon përgatitje, teknologji, koncepte, strukturim krejt të veçantë nga ajo e deridjeshmja, nga çdo luftë klasike e mëparshme, që solli jo vetëm një tronditje të madhe, por edhe domosdoshmërinë për të reaguar e për të pranuar ndryshime rrënjësore në këtë fushë. është një luftë moderne, një dukuri e re, që kërkon përgatitjen e forcave për luftën asimetrike kundër një armiku relativisht të panjohur, pa kufij të përcaktuar.
Assesi në luftë ka gjak dhe vriten njerëz, e sidomos mbizotëron frika. Në ruajtjen e paqes në Afganistan përkrah Amerikës prania e Shqipërisë të kuptohemi nuk është thjesht simbolike. Sepse në kuadër të misionit ISAF të Nato-s në Kabul, vendi ynë ka dërguar një trupë elitë si regjimenti Komando, i Forcave të Armatosura. Komandantë e ushtarë të kalitur për t’i bërë ballë në çdo situatë qoftë kjo luftuese apo paqeruajtëse: kryejnë detyra speciale të cilat lidhen me ruajtjen e bazës ushtarake përmes shërbimit në vendroje dhe patrullimit me automjete; shërbimin pranë Komandës së Forcës; ruajtjen e depove të armatimit; sigurimin e bazës logjistike, si dhe sigurimin dhe shoqërimin e personelit. Shërbejnë në zona të trazuara duke parë rrezikun në sy dhe mbyllin ditën me misione e situata kërcënuese. Fronti për vendosjen e paqes në zonën e nxehtë të Afganistanit, mes shume vështirësish të relievit dhe logjistikës e bën të jo të lehtë kontributin e ushtarakëve shqiptarë ndaj egërsisë së talebanëve. Gatishmëria është e lartë sepse nga momenti në moment mund të përjetojnë çastet tronditëse dhe rastet e goditjeve të drejtpërdrejta të terroristëve ndaj tyre nuk mungojnë. Jo të pakta janë rastet e vrasjeve dhe atentatet e ndodhura para syve të tyre, që i kanë fiksuar e traumatizuar si vegime të dhimbshme, të paharrueshme. Sigurisht lufta nuk është e bukur por, jeta me krenari dhe siguri i bëjnë këto heronj të sfidojnë të panjohurën guerile! Afërmendsh kur jeton në tension permanent, edhe në mes të luftës ka ca gjëra humane, që janë thjesht njerëzore e s’kanë lidhje ndoshta as me të bukurën e as me të shëmtuarën, por ia vlen të përjetohen!
Në Afganistan janë tre-katër kontigjente të paqeruajtësve shqiptarë. Kontingjenti kryesor i përbërë nga 22 ushtarakë vepron në përbërje të Njësisë Shumëkombëshe të NATO-s, që ndryshe quhet ISAF. Operon ndërkohë një njësi mjekësore, e përbërë me katër specialistë të shëndetësisë, që është pjesë e brigadës së përbashkët Shqipëri, Maqedoni, Kroaci. Paqeruajtësit shqiptarë, janë përgatitur e trajnuar edhe si qytetarë, si humanistë, si parandalues ngjarjesh të rënda. Ata njihen mjaftueshëm me aktet ligjore e nënligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, me kulturën, traditat, besimet fetare të zonës së operacionit, rregullat e angazhimit në raste të veçanta. Njohja e specifikave dhe e mentaliteteve të popullsisë civile ku do të veprohet, bashkëveprimi me komunitetin dhe me kryetarët e fiseve për kremtimin e festave të ndryshme fetare apo popullore është gjithashtu pjesë e detyrës.
Afërmendsh detyra e paqeruajtësve ka të bëjnë me vendosjen e perimetrit të sigurisë dhe stabilitetit në qytetet e trazuara të këtij vendi. Pjesa më e madhe e shqiponjave kuqezi janë të angazhuar me patrullime në lagje të ndryshme të kryeqytetit, Kabul. Kurse pjesa tjetër mbetet në vendroje, duke ruajtur objektet publike të paracaktuar dhe bazat ushtarake. Sikurse ka ndër ta që shërbejnë në chechk-point (pika kontrolli), për të parandaluar depërtimin e terroristëve në zona të banuara. Skuadra e mjekëve ushtarakë shërben në spitalin fushor në ndihmë të të lënduarve e të plagosurve në afërsi të aeroportit të kryeqytetit të Afganistanit.
Në Librin e Nderit të komandës shumëkombëshe dhe të ISAF-it janë me dhjetëra emra të ushtarakëve shqiptarë, të cilët kanë demonstruar veprime të guximshme në situata tejet kritike. “Guximi” i shqiptarëve në zonat që përjetojnë situate lufte reale çdo ditë e çdo çast është cilësuar si i jashtëzakonshme duke parë që ato gjenden që herë pas here në ciklonin e sulmeve dhe atentateve si në periferi, ashtu edhe në qendër të kryeqytetit. Sulmet dhe atentatet e talebanëve ndaj misionarëve të paqes në Afganistan janë të shumta e gati të përditshme. Por t’i shpëtosh të tjerët nga vdekja, t’u ofrosh atyre paqen është thelbi i misionit të shqiponjave shqiptare në Afganistan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›