E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me një opozitë si në Perëndim, vendi ynë do të ecte shumë më tepër

Titulli ynë mund të përmblidhej fare shkurt: opozita jonë nuk është instruktive, si ajo e Perëndimit. Sepse, për ta thënë me dy fjalë, është një opozitë destruktive.
Ky është thelbi i këtij shkrimi.
Dallimi esencial me opozitat perëndimore, qëndron në mendësinë e kësaj opozitës sonë, për të cilën do të shprehemi. Së dyti, problemet që kjo opozitë ka me vetveten, synon që t’i parashtrojë si çështje të qeverisjes, meqë ajo kërkon me ngulm të jetë domosdoshmërisht qeverisëse, édhe në rastet kur elektorati nuk ia jep këtë mundësi. Disa nga çështjet e saj që janë sëmundje endemike, kanë të bëjnë me përçarjen brenda vedit, si në vakt të „grupeve komuniste“ (pavarësisht se tani nuk mund të përdoren ato metodat e përjashtimeve të “armiqve, si edhe ato të vrasjes prapa krahëve, etj). Pra, një huq tjetër i personalizuar është edhe zhvatja e pushtetit me dhunë, sipas mësimeve të Leninit për kombinimin e veprimtarisë ligjore me atë antiligjore, pa përmendur edhe të tjerat.
Së treti, së katërti.... së njëzeti...
Por ne do të mjaftohemi me dy pikat e para.
Dhe vijmë tek e para. Domethënë te mendësia, tek ora që na ka mbetur prapa në orët e Kremlinit. Asnjëherë nuk është mohuar kulti i Stalinit të Madh, nga autokracia, pushtetrrëmbyese dhe pushtetmbajtëse në çdo rrethanë , e despotizmit të Enver Hoxhës. Ai nuk mund ta hidhte poshtë Stalinin dhe nuk e bëri këtë as kur i tërë rruzulli tokësor i pranoi tërësisht faktet ndaj një hierarku prepotent, që qeverisi me grusht të hekurt, gjer në vdekjen e tij jonatyrore, në mars të vitit 1953. Sot historiografia më e besueshme, në librat e rinj, të argumentuar me fakte të reja, ka pranuar si të papërgënjeshtrueshme komplotin e katërshes, në krye të elitës staliniste, me protagonistin kryesor Laurenti Berian, për helmimin e Stalinit. Nëse kulti i Stalinit u stakua nga propaganda staliniste në vendin tonë, kjo nuk ngjau për shkak të krimeve të përbindshme të diktatorit të kuq, që dolën në pah në Kongresin XX të PK(b) të BS. Kjo ndodhi sepse, së bashku me krimet e Stalinit, doli edhe ai krimi politik i tij, me trajtimin e Shqipërisë si plaçkë tregu. Ai qëndrimi gëlltitës ndaj vendit tonë është i njohur, tashmë, nga të gjithë historianët, qoftë edhe nga ata dritëshkurtër, të ngërthyer në fanatizmin stalinist. Por fakti që statujat e Stalinit në Shqipëri nuk u hoqën në vitet pas 1956-s, kurse ato i rrëzoi uragani demokratik kundër diktaturës kur erdhi koha, 34 vite më vonë, ka këtë kuptim: - Nuk do të flasim për Stalinin as për mirë, as për keq, por do të ruajmë metodat e tij terroriste, që karrigia e terroristit E.H. të mos lëkundej nën diktaturën e Enverit. Dhe kështu, pas vitit 1985, lulëzoi sërish diktatura e R. Alisë, e mbështetur nga Nexhmija dhe acarimi i luftës së klasave të institucionit të saj, në emër të të cilit janë shkretuar mijëra familje të pafajshme, ndaj të cilave “Zonja e Zezë” nuk ka përfuar as ndjesinë më të vogël të pendesës. Madje, në një intervistë, është shprehur troç se s’ka pasur punë me ata! (me të vuajturit e ferrit komunist). Ai institucioni i saj ishte fabrikuesi i “njeriut të ri”, domethënë i një specieje alla-Lei Fen apo si ajo e Pavlik Morozovit: E njeriut që vetëm emrin ka njeri: pa ndjenja njerëzore, spiun brenda familjes, i gatshëm për çdo poshtërsi, për çdo hakmarrje meskine, mjafton që një keqbërës t’i fryjë në vesh, në emër të Partisë! Pavlik Morozovi ishte krenar që spiunoi tanë, për fajin se u dha pak misër disa të mjerëve që ishin pranë vdekjes familjarisht. I ati u spiunua nga i biri se pati mëshirë për ata fatkëqij që ishin në listën e “armiqve”, se ishin shpallur kulakë! Për këtë I. Kadareja ka shkruar gjerësisht dhe në mënyrë tronditëse.
Bashkësia e Pavlikëve përbën sot atë skotë që është brumosur me ideologjinë helmuese të njeriut kundër njeriut. Kjo përbën një pakicë njerëzish të zvetënuar, elementë të dhunshëm, të etur për pushtet të pamerituar, hipokritë për t’u shtirur si me mentalitet demokratik, që grumbullohen prapa E. Ramës, si një turmë zhurmuese që e ka emrin populizëm. Kështu partia e E. Ramës është shndërruar tani si partia serbe e Mira Markoviçit, gruas së Millosheviçit, që janë të ngjashme jo vetëm nga emri i përbashkët i partive. Përse nuk doli, qoftë edhe njëri, nga ata të tribunave të ’97-s e t’u thoshte manifestuesve të ndërsyer për humbjen e pareve në firmat huamarrëse, se ndaloheshin të tre gishtat dhe se ata që do ta përsëritnin do të përgjigjeshin penalisht. Por si do të thoshin një gjë të tillë, kur të tre gishtat ngriheshin edhe nga ata të tribunave? Provat janë të stampuara në fotot e kohës, të botuara në të përditshmet e atyre muajve tragjikë për fatet e kombit tonë. Duke dalë fare pak nga tema, do të shtonim se dokumentet që zotëron kryetari i zgjedhur i analizës juridike të të humburve në këto firma ka sfiduar në një ballafaqim mediatik kryetarin e ngarkuar nga qeveria e re uzurpuese, por ky iu shmang sfidës. Aty dilnin në fac símile emrat, një për një, të përfituesve të vërtetë, që i përkisnin PS-së! Dhe e mbyllëm parantezën.
Tani na thonë se koalicioni qeverisës bën luftë klasash (!). Për të mbuluar ata që e kishin zanat në atë kohë? Këtë “e mbështesin” se përgojohen të rinjtë e ftuar në elitën opozitare të E. Ramës. Ky është një mashtrim i trashë. Ditmir Sulejman Bushati, Edi Kristaq Rama e të tjerë nuk kritikohen si bijë të mëkatarëve Sulejman, Kristaq etj., por se e kanë për nder që janë bijtë e tyre. Kjo shprehje e nenvijuar, lihet në harresë djallëzisht, për të bërë të besueshëm një mashtrim propagandistik. Përse përmendet me respekt shkrimtari me ndjenja vërtet demokratike, Bashkim Shehu, i cili i ka vënë kryq mendësisë perverse komuniste? Temat-tabù janë tipar karakteristik i propagandës false. Siç lihet qëllimshëm në harresë, ai bashkëpunimi dredharak i Rexhep Qoses, në orvatjen e tij për të bërë Pajtimin Kombëtar. Ky i ashtuquajturi pajtim nuk u arrit se mëkatarët në tryezë refuzuan që të kërkojnë ndjesë ndaj të të vuajturve nga regjimi pervers, për të kërkuar falje publike. Këtu duhet ngulmuar vendosmërisht - dhe përsëritja nuk është aspak kakafonike, - në pyetjen: Përse nuk u dashka dënuar diktatura më e egër e Lindjes Komuniste? (Nuk vonoi dhe ky dënim u kërkua zyrtarisht nga AP-ja e KE-së. Por edhe në këtë rast E. Rama dhe pasuesit e tij e shkelën me këmbë këtë Rezolutë. Dhe tani na flasin për korrektesë ndaj faktorit ndërkombëtar!).
***
Dhe tani le të vijmë te pika e dytë e shkrimit, që ka të bëjë me prirjen e ndjekësve të E.Ramës, i cili kërkon të jetë qeverisës, édhe kur elektorati nuk ia jep këtë të drejtë, - siç thamë në fillim të shkrimit.
Ato lëvizjet populiste të Edvinit janë kritikuar, tashmë edhe nga personalitete të elitës së PS-së, ish-presidentë dhe shkrimtarë të dëgjuar.
Lëvizja për Mendimin Ndryshe e akuzoi për përçarje dhe për mosrespektim të nenit 28 të statusit të partisë. Por ai njerëzit me intelekt dhe me arsyetim juridik nuk i duron dot, ashtu sikundër i ati i tij shpirtëror, Enveri, që nuk i duronte dot njerëzit që i bënin hije. LMN-në e ka gjunjëzuar duke i paraqitur kërcënimin për t’i përjashtuar nga partia. (“Dy herë ju kam falur. Të tretën, ju pret përjashtimi”). Njërin prej atyre të kësaj lëvizjeje, ai e shndërroi në Kalë Troje. Këto manovrime djallëzore i di mirë Edvini. Këtë e rren mendja se do t’ia dalë mbanë se mundet të sendërtojë një ’97 të dytë! Por populli i thotë “Harro, mushkë, valarenë!”. Dhe ia ka kuptuar hiletë e dredhitë e nihilizmit tërësor për të gjitha arritjet që ka arritur vendi ynë për të jetësuar standardet europiane. Atij i pëlqejnë vetëm populistët të cilët, sido që të pakët, e shoqërojnë në marrëzitë e tij të bojkotit, herë të lidhur me interesat, si bashkiakë të së majtës, herë të joshur nga paret e shpërblimit në këto aventura rrugore. Njerëzit tanë i kanë parë këto prapësira në ekranet tona. S’mund t’i mohojë. A mund të mohojë se kjo që bën ai për show rrugësh s’ka të bëjë me korrupsionin e tij, të faktuar në këtë rast? Por ai s’do t’ia dijë për këtë prestigj të humbur. Ka arritur që edhe disa nga ata të faktorit ndërkombëtar, t’i shndërrojë në jallan-shahitë, duke i përmendur si kinse përkrahës të këtyre zullumeve, me po ata njerëz, që thamë.
Veçse kjo lëvizje zullumqarësh është tepër e vogël për të qeverisur. Vetëm syleshtë, apo ata që janë rreshtuar me të për interesa konkrete, mund të besojnë se ai ka pas vetes njerëzit elitarë të PS-së. Aní. Ai ka nevojë të krijojë përshtypjen duke dhjetëfishuar një kallaballëk të simuluar, që të besohet jashtë vendit tonë se ai nihilizmi i tij grotesk është real!
Bëri çmos që të mos liberalizohen vizat. Tani që po e sheh se fjala e tij nuk zë vend, thotë ndonjë fjalë në favor të kësaj arritjeje, të cilën s’mundi dot ta pengojë. Medoemos, që të dalë kontributi i tij, kur ai ishte penguesi numër një që të mos realizoheshin kartat biometrike të identitetit dhe pasaportat e reja, që ishin një përparim i madh për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Në vend të 500 lekëve të vjetra për dokumentin që duhej lëshuar nga zyrat e gjendjes civile, E. Rama kërkonte plus 40.000 të tjera për gjelbërimet dhe pastërtinë, që janë në pikë të hallit! Ishte një pengesë, në të vërtetë; për ato zgjedhje të cilat, megjithatë, u cilësuan nga monitoruesit si më të mirat e të gjithë tranzicionit, në respektim të standardeve. Atij i ka mbetur mendja e fiksuar tek ai cenimi i pikës gjashtë të nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që përmban edhe firmën e tij. Ai s’e ka për gjë që të mohojë edhe firmën e vet!
Deri kur do të marrë fund kjo farsë bajate, në kurriz të këtij populli e të këtij kombi, tersllëk që urojmë të jetë i fundit?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›