E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verdikti/Zgjidhje të ngërçit sipas ligjit dhe Kushtetutës

Zhvillohet sot takimi i parë i negociatorëve Patozi-Ruçi, mazhoranca zotohet për respektimin e pikave të rezolutës së PE-së

Për herë të parë pas muajsh të tërë, apo thënë edhe më qartë pas 2 vitesh, Partia Socialiste i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kryeministrit Sali Berisha, për negocimin dy palësh dhe kapërcimin e ngërçit politik. Dyzimi i politikës opozitare dhe sajimi i pretendimeve të pabaza, e gozhdoi debatin e saj të brendshëm në ulluqe të çimentuara, duke iu larguar çdo konteksti të realitetit.
Kryeministri Berisha mandatoi dy ditë më parë kreun e grupit PD, Astrit Patozi për të zhvilluar negociatat me zyrtare me përfaqësues të PS për zgjidhjen e krizës sipas rezolutës PE, ndërsa PS mblodhi dje në mesditë grupin parlamentar të deputetëve, duke pranuar ftesën për hapjen e negociatave.
Grupi Parlamentar Socialist mandatoi Gramoz Ruçin për të negociuar me kreun e Grupit kuvendor Demokrat Astrit Patozi për gjetjen e zgjidhjes së ngërçit politik.
Të dy deputetët do të takohen sot paradite në ambientet e kryesisë së Kuvendit, për të diskutuar modalitetet përkatëse për dhënien fund të situatës aktuale politike.
Patozi dhe Ruçi do prekin gjerësisht si temë të rëndësishme ngritjen e komisionit të ri hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kujtojmë këtu se një kërkesë e tillë e opozitarëve u pranua nga mazhoranca, por në momentin kur do votohej ngritja e komisionit, Edi Rama urdhëroi daljen e deputetëve socialistë nga salla e Kuvendit.
Ndonëse informacioni është i cunguar dhe jo shumë i qartë mbi fokusimet apo modelet e propozuara që do të diskutohen sot, është më se e sigurt se mazhoranca s’do tolerojë asnjë tentativë për dhunimin e ligjit dhe shmangien e procedurave ligjore.
Shumica parlamentare konfirmon se do t’i përmbahet plotësisht rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë ku kërkohet një zgjidhje kushtetuese dhe transparente e ngërçit, por gjithmonë sipas hapësirave që ofron ligji dhe Kushtetuta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›