Shqiptarët bojkotojnë Maqedoninë?

Kampionati evropian në hendboll përfundoi, por la shumë enigma të pazgjidhura nga federatat sportive dhe kreu i shtetit të Maqedonisë, pasi në Nish dhe Beograd u fyen shqiptarët, kërkohej shtet “i pastër”, “vdekje për shqiptarët” dhe shumë ofendime tjera nga ana e tifozëve maqedonas.
Për parandalimin e kësaj dukurie negative që po zgjat vite me radhë, hapin e parë e kanë bërë mediet shqiptare që vendosën të bojkotojnë të gjitha aktivitet e federatave sportive në vend deri në momentin kur kreu shtetëror do t’i dënojë të njëjtat dhe do të bëjë diçka për parandalimin e të njëjtave.
Nga ana tjetër u kërkua edhe falje publike nga aktorët. Hapin e dytë siç duket do ta bëjnë reprezentuesit shqiptarë që mbrojnë fanellën e Maqedonisë, të cilët për gazetën “Zhurnal Plus” thanë se janë të gatshëm të bojkotojnë çdo aktivitet me reprezentacionin, pasi ata i japin shumë këtij vendi dhe nuk është e drejtë që të fyhet populli që i përkasin.
Reprezentuesi i Maqedonisë në futboll, Samir Fazli tha se kështu nuk shkon më dhe patjetër duhet të ndalohet kjo dukuri negative.
“Sharjet ndaj shqiptarëve i kam përjetuar disa herë kur kam qenë lojtar aktiv, mirëpo unë jam profesionist dhe kam shikuar punën time. Mirëpo, kjo tani ka shkuar në ekstrem dhe kjo nuk durohet më. Kam menduar disa herë që edhe unë të bojkotoj fanellën e Maqedonisë deri në momentin kur të dalë dikush dhe do të dënojë këto veti negative. Sa për shembull, pasi unë luaj në kampionatin holandez, thirrjet raciste këtu dënohen bile -bile edhe me burg”, pohoi lojtari i Herenvenit.
Kurse futbollisti i Shkëndijës, Muhamet Useini ndihet shumë rëndë kur dëgjon nga tifozët maqedonas thirrje antishqiptare, kurse atë madje e ka trishtuar se të njëjtave u janë bashkuar edhe disa lojtarë të reprezentacionit të Maqedonisë në futboll.
“Të them drejtën asnjëherë nuk jam ndier më keq në jetë se kur dëgjoja thirrjet antishqiptare në kampionatin evropian në hendboll. Mirëpo, kjo dukuri është dëgjuar shumë herë edhe në stadiumet ku kam luajtur dhe të them drejtën, jam i mendimit që duhet të gjithë reprezentuesit shqiptarë që mbrojmë ngjyrat e këtij vendi t’i bojkotojmë garat deri në momentin kur të dënohen të njëjtat dhe të zhduken këto fyerje. Unë personalisht kam vendos që në të ardhmen, nëse jam në lojë e shahet kombi im, unë do të heq fanellën e Maqedonisë dhe do të largohem nga fusha si shenjë proteste”, tha Useini.
Edhe kampioni evropian në karate, Berat Jakupi po ndihet shumë i ofenduar së pari si shqiptar, por edhe si sportist që i ka dhuruar këtij vendi disa medalje ndërkombëtare.
“Këto fyerje, që janë të drejtuara ndaj shqiptarëve, sigurisht që na prekin më së shumti neve sportistëve që mbrojmë ngjyrat e këtij vendi, kështu që vë në pikëpyetje atë se a do të vazhdoj të jem pjesë e kombëtares maqedonase. Unë pres që dikush të kërkojë falje për kësi veprimesh anticivilizuese, e në të kundërtën do jem i detyruar që të distancohem dhe mos të jem pjesë e atyre që ofendojnë dhe fyejnë shqiptaret. E kam obligim moral”, përfundoi Jakupi.
Në anën tjetër, reprezentuesi i Maqedonisë dhe njëri ndër tenistët më të mirë shqiptar, Shëndrit Deari thotë se thirrjet antishqiptare kanë rrënjët politike.
“Kisha lutur reprezentuesit që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e provokimeve të tilla. Kjo duhet të vihet nën kontroll, kështu që lus edhe partitë politike të bëjnë diçka më shumë për t’i dënuar të njëjtat dhe kjo veti të zhduket. Në të kundërtën, së bashku me sportistët shqiptarë që mbrojnë ngjyrat e Maqedonisë, do të vendosim të bojkotojmë garat deri në at moment kur të rregullohet kjo atmosferë e brishtë”, pohoi Deari.
Ndërkohë, Habil Ajeti, ish volejbollisti i Shkëndijës, tani anëtar i ekipit të fuqishëm zviceran Lugano, për gazetën “Zhurnal Plus” ka zbuluar se dy herë ka bojkotuar reprezentacionin e Maqedonisë pasi nuk ishte i kënaqur.
Nga ana tjetër, ai thotë se po të ishte tani në reprezentacion me siguri do të bojkotonte gjithçka deri në momentin e zgjidhjes së çështjes së thirrjeve antishqiptare nga tifozët maqedonas.