E Shtunë, 31 Tetor 2026

I humb rruga në oborr

Hamdi Salihit nuk i ka mjaftuar afati kalimtar i janarit që ta gjejë një skuadër të re. Tash opsioni i vetëm i 28 vjeçarit mbetet ekipi kinez Changchun Yatain, pasi afati i transferimeve në këtë vend mbyllet më 2 mars. Por, sulmuesi shqiptar nuk e ka përjashtuar mundësin të qëndrojë në Rapid Vjenë.

E ardhmja e Hamdi Salihit ende mbetet e paqartë. Sulmuesi shqiptar nuk ka arritur që gjatë afatit kalimtar të janarit ta gjejë skuadrën e re duke i nxjerrë telashe vetës.

Anëtari i Rapid Vjenës nuk arriti ta realizojë ëndrrën për të kaluar te njëri nga gjigantët skocezë Glasgow Rangers apo Celtic Glasgow, pasi këto të fundit kanë preferuar sulmues të tjerë para shqiptarit.

“Unë ende kisha kontakt me Celticun dhe Rangersin. Por, me sa duket ata kanë vendosur për një sulmues tjetër”, ka thënë Salihi në një intervistë për të përditshmen austriake Kurier.

Tash opsioni i vetëm i reprezentuesit të Shqipërisë mbetet ekipi kinez Changchun Yatain, pasi afati i transferimeve në këtë vend mbyllet më 2 mars. Por, që është më e keqja, klubi nga Azia si duket nuk është gati t’i plotësojë kushtet e 28 vjeçarit.

“Për transferim në Kinë ka ende kohë. Por, pasi që unë ua kam bërë të ditur kërkesat e mia, klubi kinez nuk më është lajmëruar Do të duhet të pres nëse ata do të shfaqin interes”, ka thënë ish sulmuesi i Vllaznisë së Shkodrës.

Salihi, i cili kishte refuzuar disa oferta nga Greqia, Turqia, Qiproja, si duket tani ka ndryshuar mendjen dhe dëshiron të mbetet në Rapid, me të cilin klub ka kontratë deri në fund të këtij sezoni.

I pyetur se ku do të luajë në pranverë, Salihi është përgjigjur ”Ndoshta në Kinë. Por, mendoj se do të qëndroj në Rapid. Më pëlqen klubi, njerëzit dhe qyteti i Vjenës”.

Këtë javë Salihi ka stërvitur me ekipin e dytë të Rapidit, pasi trajneri Peter Schottel nuk e kishte marrë në përgatitje, ngase nuk ka llogaritur më në shërbimet e shkodranit për sezonin pranveror.

Ish shumuesi i Riedit dhe i Tiranës ka thënë se do të bisedojë me trajnerin për t’iu bashkuar ekipit në përgatitje në Portugali.

28 vjeçari ishte sulmuesi i rëndësishëm i Rapidit, i cili në 69 ndeshje realizoi 69 gola. Por, pasi refuzoi ta vazhdojë kontratën me ekipin nga Vjena, Salihi përfundoi në bankinë gjatë pjesë së parë të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›