E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët dhe Europa në shekullin XXI Rruga përpara (4)

Veton Surroi

VETON SURROI

(Vijon nga numri i kaluar)

Njëqind vjet pas, dhe përkundër të gjitha paqartësive, përcaktimi historik i Vlorës mbetet pothuajse i njëjtë, qoftë edhe i riformuluar në nevojën e projektimit të hapësirës europiane ku jetojnë shqiptarët autoktonë

9.

Njëqind vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët janë përsëri duke debatuar rreth shtetësisë. Ndonëse në masën më të madhe jo aq rreth kufijve e flamurit (ndonëse për disa sish, siç është rasti i Kosovës, ky debat ende vazhdon) sa rreth funksionalitetit të shtetit, përbërjes së tij demokratike-shkurt, cilësisë së shtetit. Apo thënë më mirë, të shteteve, ngase siç kanë kuptuar pas 100 vjetësh, do të jetojnë si popull autokton në më shumë se një shtet. Por, nëse e kanë ardhmërinë europiane si përparësi kombëtare, shqiptarët do të duhej të ishin transformatorët fillestarë, subjektet e ndryshimeve dhe duhet të japin ide për politika të reja.

Në Maqedoni, stagnimi me çështjen e emrit i ka paralizuar seriozisht aspiratat perëndimore të vendit. Shteti ka kapacitet më të madh për transformimin e institucioneve të veta, shumë më të mëdha se regjioni. Por, njëkohësisht është i zënë në politikë identitetesh, që e shpijnë në regresion. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të zhvillojnë një pozicion të përbashkët mes tyre. Tri çështje për këtë pozicion do të ishin:

a) Kushtëzimi i pjesëmarrjes së shqiptarëve në qeverisje me integrime në NATO dhe BE.

b) Pjesëmarrja konsensuale e shqiptarëve dhe maqedonasve në zgjidhjen e çështjes së emrit, brenda një afati të vetëvendosur të kohës.

c) Rivlerësim të Marrëveshjes së Ohrit, me përkrahje të garantuesve të Marrëveshjes, për të përmbushur të gjitha çështjet e hapura.

Bashkimi Europian mund të ndihmojë në këtë iniciativë, duke zhvilluar një politikë që do të inkurajojë Maqedoninë me stimul, nga njëra anë e nga ana tjetër duke e ngritur çështjen e Maqedonisë si çështje prioritare në debatin e vendeve anëtare me Greqinë.

Në Shqipëri dështimi i përmbushjes së 12 kërkesave të BE-së të nevojshme për të arritur statusin e vendit kandidat do të thotë nevoja për një politikë të hartuar brenda vendit, brenda BE-së dhe SHBA-së për të trajtuar një autokraci, një shtet hibrid që anon kah autokracia. Kjo do të thotë zhvillim të politikave që do të inspirohen nga lëvizjet për ndërrimin e elitave, ngjashëm si ato me Sllovakinë e Meqjarit apo Kroacinë e Tugjmanit.

Dhe, sado të duket vështirë për Shqipërinë, gjendja është shumë e ndërlikuar në Kosovë, ku nevojitet një politikë e dyfishtë. Në njërën anë, Kosova është peng i Serbisë sa u përket aspiratave të veta europiane, ndërsa nga ana tjetër është peng i elitave të veta të kriminalizuara që janë në pushtet.

Binari i parë politik për Kosovën është i ngjashëm me atë të Shqipërisë. Qeveria e Kosovës është e mbështetur mbi vjedhjen zgjedhore dhe zaptimin e shtetit, dhe binari i parë i politikës së re ndaj Kosovës duhet të adresojë urgjentisht format e ndryshimeve me zgjedhje, duke vendosur standarde bazike demokratike.

Binari i dytë është ai i cili duhet të përmbyllë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Europian nuk e ka arritur me ndërmjetësimin në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit vitin e kaluar. Duhet të kihet një proces negociator që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa vënien e njohjes së ndërsjellë si parakusht.

Problemi i kësaj politike ndaj Kosovës mund të bëhet edhe më i vështirë, ngase të dy binarët janë shumë larg të qenit bashkërenditës: një proces i mirë negociator me Serbinë kërkon një autoritet me mandat të qartë demokratik në Prishtinë, një autoritet i cili nuk mund të shantazhohet siç bëhet me autoritetin e kriminalizuar që është në pushtet sot. Në të njëjtën kohë, përmbyllja me Serbinë është thelbësor për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, madje si parakusht për një marrëdhënie më dinamike, kontraktuale me BE-në.

10.

Rruga përpara nuk është krejtësisht e qartë për shqiptarët.

Nuk është e qartë, sepse fillimisht në vendet e tyre, për një apo tjetër arsye, elitat nuk kanë përcaktim të qartë transformimi të shoqërive të tyre në shoqëri europiane.

Nuk është e qartë, sepse as fqinjët nuk janë gjithaq të qartë, e në radhë të parë këtu kemi të bëjmë me hapësirën e shteteve të pakompletuara që diktohet nga Serbia.

Dhe nuk është e qartë, sepse as vetë Europa nuk e ka qartësinë e ardhmërisë së saj.

Kjo paqartësi e trefishtë mund të jetë tunduese për zgjidhje për shqiptarët jashtë strategjisë së bashkimit në Europë; madje edhe mund të imponohet nëse Bosnja e Hercegovina e konfirmon zhbërjen e vet territoriale për të filluar një proces ripërkufizimi në Ballkanin Perëndimor.

Por, kjo nuk është dilemë e re. Para njëqind vjetësh, ndonëse në kontekst krejt tjetër historik, paqartësitë ishin të ngjashme. Elitat shqiptare nuk ishin krejtësisht të qarta se kur dhe si do ta bëjnë vendin e tyre të pavarur dhe kah do të anojë ky vend i pavarur.

Fqinjët ishin krejtësisht të paqartë, gjegjësisht, në vend të qartësisë së formimit të shtetit kombëtar, ata ishin nisur në gllabërim territoresh e popujsh të huaj, në radhë të parë shqiptarë.

Dhe, Europa nuk ishte fare e qartë as me veten e as me të tjerët.

Mësimi i para njëqind vjetësh ishte se përkundër të gjitha paqartësive duhej bërë një përcaktim historik, ai ishte për formimin e një Shqipërie, pjesë e familjes europiane.

Njëqind vjet pas, dhe përkundër të gjithat paqartësive, përcaktimi historik i Vlorës mbetet pothuajse i njëjtë, qoftë edhe i riformuluar në nevojën e projektimit të hapësirës europiane ku jetojnë shqiptarët autoktonë.

Shqiptarët dhe Europa në shekullin XXI Rruga përpara (4) burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›