E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapa heshtjes së sotme Kadare

Gazeta Shqip

NATASHA LAKO

Fushata për zgjedhjen e presidentit po përfundon në një stinë të sapofilluar vere të cilën falë Kadaresë, një prej kandidatëve të propozuar mund ta quajmë “Një stinë të mërzitshme në Olimp”, por të kthyer në një stine të bezdisshme për politikanët, pasi e gjithë kjo fushatë është kthyer në punë të kulisave të tyre. Kadare i është larguar kësaj stine marrëveshjeje, duke mos pranuar një kandidaturë të tillë të propozuar, që nuk fillon sot.

Modeli i përzgjedhjes Kadare i ka stërmunduar shqiptarët që në fillim të viteve 90 dhe është shfaqur herë pas here veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit, kur pikat e interesave përpiqen të bashkohen më qetësisht dhe më të sigurta në vetvete. Megjithatë, emri i tij mbetet një pikë e përhershme dhe e stërmundueshme referimi krahasues, sa për politikanët, edhe kur janë në zenitin e tyre, sa për emrat që vijnë prej shoqërisë civile për t’u ngjitur në skenën e pushtetit, të stërzgjedhura me pinca kirurgjikale, ku të gjithë fillojnë të bëjnë llogaritë e tyre. Heshtja e sotme Kadare, mund të quhet një heshtje e tillë elektorale tepër e ndryshme nga heshtja e zgjedhjeve parlamentare e kryer dhëmb për dhëmb deri në skaje të thella.

Sigurisht që “Olimpit” i nevojitet një qetësi tjetër, për të matur forcat dhe për të kuptuar fshehtas përse disa herë përpiqemi t’ia shpjegojmë vetes, përse na pëlqen të quhemi kaq europianë të skajshëm.

Madje, këtë shpeshherë e shprehim në formën e një deliri.

Ndoshta ka qenë thjesht një iluzion a një shpresë më tepër në qoftë se mendon se një president Kadare, mund të na bënte të ndiheshim brenda Europës më shumë.

Ndërkaq në politikën shqiptare vazhdon një formë e tillë rivaliteti, si mbeturinë e botës së klaneve, e cila të paktën kërkon të kapërcehet në formën e fasadës presidenciale.

Ndoshta na nevojitet me së tepërmi kjo minutë votimi dhe marrëveshjeje e përbashkët me shpresë se do të përfundojnë ndonjë ditë mallkimet e vazhdueshme politike, përbuzjet teatrale dhe të detyrueshme për njëri-tjetrin që i pamë deri në seancën e parafundit.

Midis kësaj përplasjeje që duket sikur nuk shteron, deri kur palët zgjasin mallkimet dhe sharjet si në kohën e bajlozëve, Kadareja më në fund ka vendosur të flasë me heshtjen e tij.

Ndoshta më i pikëlluar se kurrë, pasi e di që ka qenë dhe është pothuajse para të gjithëve, kanakar dhe neqez, a la gjirokastritshe, në mos të llogaritësh ata që po vijnë dhe që ai nuk do t’i shohë dot. Ai e di fare mirë se letërsia nuk ka lidhje me këto mallkime. As Shqipëria nuk ka lidhje me mallkimet e politikanëve, me përbuzjen apo mllefin që një njeri mund t’i shprehë një tjetri. Shqipëria shtohet, ndërton shtëpi, lind fëmijë dhe i bekon.

Kjo Shqipëri e të gjithëve është përpjekur që betejat dhe lavditë personale, rivalitetet pa limit, të interesave pa fre të përkthyera në barbari, t’i kapërcejë në sajë të marrëveshjeve të mëdha, të cilat në Kushtetutën e sotme shprehen me zgjedhjen e Presidentit si shprehje e unitetit të popullit.

Por me sa duket, dikush do t’i ketë pëshpëritur Kadaresë në vesh se zanat që kanë trokitur në shtëpinë e tij për t’i përcaktuar fatin, e kanë bekuar përfundimisht vetëm për jetën e letrave botërore.

Kësisoj edhe politikanët e kanë fjetur mendjen ose e kanë mbledhur mendjen për të gjetur një president prapa Kadaresë.

Atëherë pyetja përse Kadare dhe zanat e tij nuk kanë parashikuar të bëhet përfaqësues i shprehjes së një uniteti, (shprehje kjo shpesh shumë e rrezikshme për manipulime), mund të shndërrohet në pyetjen tjetër. Përse mosdashja e tij bëhet apriori më e rëndësishme për mediat sesa diskutimi i shkaqeve, që në mënyrë kaq elegante e bëjnë shkrimtarin të mos hidhet më tej në një garë presidenciale plot kulisa dhe llogari marrëveshjesh brenda “Olimpit, sikundër do ta mësojnë më në fund edhe shqiptarët.

Dihet se në këtë ankand politik emri i tij sot për sot, vazhdon të ekuilibrojë. Megjithatë, Kadare ka vendosur të heshtë edhe përpara fasadës a la Ruso.

Ndërkaq, ka mundësi që njerëz pa asnjë histori publike, njësoj si ai në rastin më të mirë kur nuk kishte filluar të shkruante ende, duket sikur janë nisur prej përrallave popullore dhe po mbërrijnë deri në majat e shoqërisë shqiptare. Është një gojëdhënë e mbërritjes nga “poshtë, që duket sikur i shkon shumë përshtat të gjithë karrierës njerëzore të një vendi të vogël, që po përpiqet të ngjitet lart, të paktën për sytë e atyre që kanë vrapuar shumë para në pjesëmarrje të vendimeve të historisë.

Të gjesh ekzistencën e vetë konsensusit prej këtyre emrave të pashfaqur ende në fushën e mejdanit, është e lehtë. Në këtë kuptim fjala konsensus i braktis përfundimisht politikanët, të cilët këtë gjë e kanë të pamundshme dhe zbret deri në rrënjët e një shoqërie, ku në dhjetëra dhe dhjetëra njerëz fshihen të gjithë mundësitë për të drejtuar të paktën fatet e institucioneve.

Por Kadare prapë se prapë nuk ofronte konsensusin që të jep anonimiteti, i ashtuquajturi Viti Zero apo Shqipëria Një Euro.

Mbase për këtë ia kanë vlejtur edhe ftesat deri në përulësi. Për të pranuar detyrën e Presidentit sa herë politika ka mbetur në udhëkryq. Madje deri e kanë quajtur palodhshëm ndonëse me të drejtë, I madhi Kadare, pa pasur droje se kështu i kanë hequr të drejtën për të qenë president. Pasi shoqëria e sotme shqiptare mund të ketë nevojë për Të Madhin Kadare, por jo, Kadareja vetë nuk mund të jetë përpos shkrimtar i madh edhe i madhi president.

Shoqëria shqiptare e pranon heshtjen Kadare, pasi liria në radhë të parë pranon Refuzimin e Madh.

Me sa duket Kadaresë, nuk i shkon për shtat as emri dhe misioni i ri i shpëtimtarit, ose gënjeshtra e shpëtimtarit të shoqërisë ku jetojmë. A do të pranonte Kadare, për shkak të famës së tij e për nder të tij të organizoheshin hedhjet e valleve të mirëseardhjeve apo të përcjelljeve, fishekzjarrët e fushata elektorale?! Dhe së fundi, t’i ngriheshin edhe këngë si ka ndodhur dhe si i përshkruan edhe ai vetë. Si mund të mendojmë se nuk mund të frenohet krijimtaria që del nga shpirti i një populli kaq të ndrydhur gjithmonë dhe kurdoherë, që vazhdon t’u thurë këngë udhëheqësve?!

Unë nuk e di nëse ky lloj dëshpërimi mund të arrinte t’i shkaktohej presidentes Jahjaga të Kosovës, ndoshta për shkak të Euleksit. Por di se shqiptarët e kanë për qejf ndoshta për këtë kundër shkak një president gjysmë të mefshtë, pothuaj të padukshëm sesa një personalitet të fortë dhe domethënës që në fillim të detyrës. Detyra e presidentit bëhet kësisoj njësoj si e një kalorësi të pastërvitur mirë.

Kadareja, kjo pikë referimi, e njerizuar hesht… Megjithatë me mospranimin e tij të paktën virtual për misionin e tanipërtanishëm të presidentit, ai ka bërë atë që mund të bëjë çdo shkrimtar. Të vazhdojë edhe në jetën politike shqiptare profesionin e tij.

Të dëshirojë shkrimin e ngjarjeve, pa i frenuar ato prej dorës së tij. Ora e zgjedhjes së presidentit është sot.

Kësisoj ne do të vazhdojmë të kuptojmë nëse nga tërheqja e vrullit të parë përzgjedhës të një gruaje të fortë si Jozefina Topalli, ka ndonjë ngjashmëri me legjendën e murosjes së Rozafës apo me ringjalljen e saj, apo me kulisat e bashkëbisedimeve të vëllezërve të dikurshëm në lidhje me sakrifikimin, apo një politikan si Nano, do të “sakrifikohet” përsëri, në qoftë se është e denjë që shqiptarët të fillojnë të sakrifikojnë edhe burrat.

Rëndësi ka që Kadare, ndryshe nga triumvirati Berisha, Nano, Meta dhe opozitari i tyre tejet “arrogant” Rama, dëshiron me sa duket të na thotë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›