Shqiptarët e Italisë: Berluskoni tu kërkojë falje femrave shqiptare

Gazetarët dhe artistët shqiptarë që jetojnë në Itali reagojnë ashpër ndaj batutës së kryeministrit italian Berluskoni në konferencën me kryeministrin Berisha
Kreshnik KUçAJ
Batuta e kryeministrit italian Silvio Berluskoni për femrat shqiptare ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Gazetat italiane, kryesisht ato opozitare, publikuan dje një seri shkrimesh në të cilat atij i kërkohet që të bëjë ndjesë publike ndaj fyerjes që bërë pak ditë në parë në deklaratën e përbashkët më kryeministrin Sali Berisha. Shkak për këto reagime është bërë pikërisht batuta që kryeministri italian bëri kur kryeministri Berisha tha se ka vendosur një moratorium për skafet në mënyrë që në brigjet e Italisë të mos mbërrijnë kriminelët dhe as të mos vdesin shqiptarët. Kësaj deklarate, kryeministri Berluskoni iu përgjigj duke qeshur:“Për ata që sjellin vajza të bukura mendoj se duhet bërë ndonjë përjashtim”. Pikërisht kjo batutë ka indinjuar shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali të cilët e kanë cilësuar këtë si një ofendim ndaj femrave shqiptare. Në gazetën e njohur italiane “La Reppublica” është botuar një letër e shkrimtares dhe gazetares së njohur, Elvira Dones. “Ju shkruaj në një gazetë që ju nuk e lexoni, e megjithatë disa fjalë duhet t’ua them, sepse te premten e kaluar, sensi juaj i humorit shpërfillës ka prekur persona që për mua janë aq të dashur “vajzat e bukura shqiptare”. Shqipëria nuk ka më durim apo simpati për poshtërime. Unë mendoj se në qoftë se ju do të ndaloni të merrni dramat njerëzore si material për të bërë batuta për lokale të orës së vonë, do të dilnim veçse të fituar” thotë Dones në letrën e saj drejtuar kryeministrit italian. Po ashtu, edhe një grup tjetër gazetarësh, artistësh, avokatësh, psikologësh etj me origjinë shqiptare por që jetojnë në Shqipëri kanë firmosur një peticion të publikuar në gazetën “Il Messaggero”, me titullin:”Berluskoni, kërkoju falje grave shqiptare”. Në këtë peticioni, intelektualët shqiptarë që jetojnë në Itali shprehen të ofenduar nga fjalët që ka përdorur kryeministri italian në deklaratën e datës 12 shkurt dhe kërkojnë që kreu i qeverisë italiane të kërkojë falje publike ndaj grave shqiptare. “Pavarësisht se kryeministri italian është i njohur për batutat e tij të pakëndshme, ne shprehin qëndrimin se ajo që ai tha është një pohim ofensiv kundrejt grave shqiptare që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Itali dhe Shqipëri, për shkak se në këtë mënyrë tallet me një një nga plagët sociale më të rënda të tranzicionit demokratik shqiptar: trajtimit të qenieve njerëzore. Kërkojmë një korrigjim dhe një falje zyrtare për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Itali” thuhet në peticion.
Opozita italiane: Berluskoni, batutë vulgare
Batuta e kryeministrit italian Silvio Berluskoni ka sjellë reagime të forta edhe nga klasa politike italiane e cila e ka kundërshtuar fuqishëm dhe ka kërkuar që kreu i qeverisë të kërkojë falje publike. Ditën e djeshme, presidenti i Rajonit të Pulias Niki Vendola në një deklaratë publike me rastin e hapjes së fushatës e cilësoi si “vulgare” dhe “mungesë respekti” deklaratën e bërë nga kryeministri i vendit të tij. “Nuk janë bukuri prostitutat e reja që vijnë nga Shqipëria, zoti kryeministër: vulgare, vulgare. Duhet të kesh më shumë respekt për gratë e burgosura. Qeverisemi nga një ekip “shoqëruesesh” që nuk ka respekt për dinjitetin e grave dhe për sensibilitetin e tyre” tha Vendola i cili përfaqësohet si kandidat i qendrës së majtë italiane në këtë fushatë elektorale. Po ashtu, edhe anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Demokratike Italiane, Domeniko De Santis në një letër të publikuar në median italiane e ka cilësuar si të padenjë deklaratën e kryeministrit të vendit të tij. Në letrën e tij, ai ka dëshmuar vizitën e bërë në fund të qershorit 2009 në cilësinë e vëzhguesit të zgjedhjeve, duke evidentuar vlerat e Shqipërisë. “është e vërtetë që femrat shqiptare janë shumë të bukura, Madje disa nga ne kanë harruar edhe një pjesë të zemrës atje. Janë femra që studiojnë, punojnë, që kujdesen për familjet e tyre njësoj si femrat italiane. U kërkoj falje shqiptarëve, por për fat të keq Berluskoni mendon që edhe femrat italiane janë objekte. Mundohuni të duroni sikurse ne e durojmë atë. I dashur kryeministër, demokracia është tjetër gjë në krahasim me atë që mendoni ju” thotë De Santis në letrën e tij.
Në emër të vajzave të bukura
Elvira Dones/ La Reppublica
I nderuar Kryetar i Këshillit të Ministrave
Ju shkruaj në një gazetë që ju nuk e lexoni, e megjithatë disa fjalë duhet t’ua them, sepse te premten e kaluar, sensi juaj i humorit shpërfillës ka prekur persona që për mua janë aq të dashur “vajzat e bukura shqiptare”. Ndërsa kryeministri i vendit tim të origjinës, Sali Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftën kundër skafistëve, ju vutë në dukje se “për ata që sjellin vajza të bukura mund të bëjmë një përjashtim”. Unë ato “vajza të bukura” i kam takuar, kam takuar me dhjetëra, natën dhe ditën, fshehurazi nga protektorët e tyre, i kam ndjekur nga Garbanjate Milanese deri në Siçili. Më kanë treguar momente nga jeta e tyre e dhunuar dhe e shkatërruar. Në formën e një ylli, padronët e saj kishin gdhendur në barkun e saj një fjalë: putanë. Ishte një vajzë e bukur, me një difekt: e rrëmbyer në Shqipëri dhe e transportuar në Itali, refuzonte të dilte në trotuar. Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga padronët shqiptarë dhe ortakët italianë, iu desh të pranonte. Njohu trotuaret e Piemontes, Lacios, Ligurias, dhe kush e di se sa të tjerë. Dhe vetëm atëherë, tre vite pasi pasi ata i gdhendën profesionin e saj në bark: ashtu, si për shaka apo për një trill. Në ato kohë ishte një vajzë e bukur, po. Sot është vetëm një humbje të shoqërisë, nuk do të bierë kurrë në dashuri, nuk do të bëhet kurrë nënë dhe gjyshe. Ajo “putana” e gdhendur në bark i ka hequr çdo fije shprese dhe besimi te njeriu, masakra e klientëve dhe protektorëve i ka shkatërruar mitrën. Mbi “vajzat e bukura”, kam shkruar një romancë, të publikuar në Itali me titullin “dielli i djegur”. Vite më pas xhirova një dokumentar për televizionin zviceran: shkova të kërkoj një vajzë tjetër të bukur, quhej Brunilda, babai i saj më ishte lutur mes lotësh për të hetuar për të. Ishte një baba si baballarët e tjerë shqiptarë të cilëve u ishin zhdukur vajzat, u ishin rrëmbyer, gjymtuar, varur me kokë poshtë në kasaphana nëse guxonin të rebeloheshin. Ishte një baba si ju, kryeministër, vetëm se më me pak fat. Dhe akoma sot babai i Brunildës nuk pranon që vajza e saj ka vdekur përgjithmonë, e mbytur në det apo e ekzekutuar në ndonjë periferi. Ai vazhdon të shpresojë, ëndërron mrekullinë. është një histori e gjatë kryeministër... Po sikur ta dija se kam vëmendjen tuaj, do u dërgoja një kopje të librit tim, e do u dërgoja dokumentarin, ose do të shkëmbeja me shumë kënaqësi dy llafe me ju. Po, ju paralajmëroj zoti kryeministër: batutave u përgjigjem, nuk i gëlltis. Në emrin e çdo Yllke, Bardhe, Brunilde dhe të familjeve të tyre, këto pak rreshta duhej t’ua shkruaja. Në këto 20 vite të vështira të tranzicionit Shqipërisë i janë shkaktuar shumë vuajtje e plagë nga vetë duart e saj por në popullin shqiptar është rritur më në fund edhe dëshira për të ecur më në fund drejtë dhe me kokën lart. Shqipëria nuk ka më durim apo simpati për poshtërime. Unë mendoj se në qoftë se ju do të ndaloni të merrni dramat njerëzore si material për të bërë batuta për lokale të orës së vonë, do të dilnim veçse të fituar.
Letër për Berluskonin: Kërkojuni falje femrave shqiptare”
Ne jemi të indinjuar dhe ofenduar nga fjalët e përdorura nga kryeministri italian, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Berisha, mbajtur në Romë, e premte, 12 shkurt 2010, pas një takimi dypalësh ndërmjet qeverive të të dy vendeve. Pas fjalëve të Berishës që pohoi: “Unë nuk dua që shqiptarët vdesin, unë nuk dua që kriminelët të mbërrijnë në Itali, Berluskoni ka ironizuar “për ata që sjellin vajza të bukura mund të bëjmë një përjashtim”. Pavarësisht se Kryeministri italian është i njohur për batutat e tij të pakëndshme, ne shprehin qëndrimin se ajo që ai tha është një pohim ofensiv kundrejt femrave shqiptare që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Itali dhe Shqipëri, për shkak se në këtë mënyrë tallet me një një nga plagët sociale më të rënda të tranzicionit demokratik shqiptar: trajtimit të qenieve njerëzore. Kryeministri italian duhet të dijë tashmë kush i sjell në Itali “vajzat e bukura shqiptare”, dhe i vendos të punojnë si mish i freskët mbi trotuaret italiane, apo në qendrat false të bukurisë ku u shërbejnë italianëve të kamur për t’u lehtësuar nga ngarkesat e tyre të punës apo përgjegjësisë. Janë trafikantët e qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar që menaxhon shfrytëzimin e prostitucionit. Të përdorësh një argument kaq delikat e të dhimbshëm për të bërë batuta seksiste dhe maskiliste, ofendon punën dhe impenjimin e atyre që femra të mos trajtohet si një objekt, por të gëzojë mundësitë e barabarta. Kërkojmë një korrigjim dhe një falje zyrtare për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Letra e nënshkruar nga intelektualët shqiptarë në Itali
Publikuar në gazetën “Il Messagero”