E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëpamje për hapjen e kutive, ortodoksinë dhe regjistrimin etnik

 
Kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo thotë se hapja e kutive bën transparent hetimin e zgjedhjeve. Ish-ministri i Jashtëm flet edhe për regjistrimin etnik dhe fetar dhe ortodoksinë shqiptare
 
Paskal Milo tha dje se presidenti duhet të jetë garant për të respektuar të drejtën kushtetuese të opozitës për hapjen e kutive. Për ish-ministrin e Jashtëm, Paskal Milo, Shqipëria ka shumë probleme që mund të zgjidhen vetëm nga një qeveri e përgjegjshme. Por, ai është kundër ndarjes së institucioneve siç u bë në 2002.
 
Bisedoi: Denion Ndrenika
-Zoti Milo, gjendja në Shqipëri duket se po qëndron në të njëjtat pika të tensionit. A keni shpresa se nga tryeza e presidentit diçka do të lëvizë?
-Paskal Milo: “Nuk ka bisedë të drejtpërdrejt ditët e ardhshme midis dy liderëve. Por tashmë topi është në zyrën e Topit. Unë gjej rastin t’i bëj thirrje Presidentit të respektojë të drejtën kushtetuese për hapjen e kutive. Kjo nuk do të jetë një favor që dikush mund ta interpretojë se presidenti po i bën opozitës. Presidenti i Republikës do të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të respektojë opozitën dhe të drejtën e saj kushtetuese. Presidenti do të jetë garant për t’u mbledhur në tryezë tjetër dhe me verdiktin e tij do të respektojë të drejtën e opozitës dhe mbi të gjitha të ardhmen e Shqipërisë në BE. E dyta është që, tashmë, kriza politike është identifikuar qartë që është thellësisht e natyrës politike dhe zgjidhja kërkon patjetër një konsensus mbi bazën e propozimit që do t’i jepte fund burimit të krizës që është kërkesa tashmë e opozitës për të hapur kutitë dhe për të bërë një proces transparent të hetimit të zgjedhjeve. Proces ky që padyshim kërkon që komisioni hetimor parlamentar të mos ngrihet formalisht, por të ketë të gjitha atributet e një komisioni real, që do t’i shkojë punëve deri në fund, me qëllim që t’i jepet fund një sëmundjeje që ka mbërthyer politikën shqiptare prej gati 20 vjetësh dhe që do të jetë një garanci për të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
-Zoti Milo, ne shumë shpesh jemi mësuar ta kërkojmë fajin te qeveritarët. A mendoni se opozita duhet të rishikojë diçka në qëndrimet e saj?
-“Shikoni, nëse opozita ka diçka për të riparë, në radhë të parë ajo duhet që të gjejë një frymë gatishmërie për t’u ulur në tavolinë dhe për ta bërë konsensusin një çështje të përbashkët bashkë me mazhorancën. Që të ulesh në tavolinë, duhet një fazë paraprake, e cila të mund të të garantojë suksesin. Por, ndërkohë, nuk ka dhe nuk shohim ndonjë shenjë të tillë. Opozita, çfarë duhet që të bëjë, veç të thotë që unë po shkoj në parlament dhe ta mbyllë këtë kapitull të pretendimeve pa asnjë shenjë se mund të ketë hetim transparent të zgjedhjeve? Opozita nuk kërkon që t’i marrë mandatet mazhorancës. Në qoftë se do të kërkonte t’i merrte mandatet, atëherë po, do të ishte pretendim i padrejtë dhe ajo do të mund të ngarkohej me përgjegjësi. Por në këtë rast kërkon atë që kërkojnë të gjithë: një transparencë të procesit zgjedhor pa pretenduar për të ndryshuar mandatin e deputetëve. Dhe mua më duket që kjo është një kërkesë e drejtë. Nëse do të avancohej përtej kësaj kërkese me pretendime të tjera, atëherë po, përgjegjësia do të binte tek opozita”.
-Meqenëse opozita thotë që kriza është e gjithanshme, përse të mos kërkohet më tepër se kaq?
-“Po, në radhë të parë opozita ka një objekt të saj, që e ka kërkuar prej shumë muajsh. Të tjerat nëse do të jenë pjesë e përkeqësimit të situatës politike, opozita këtu është dhe madje ka folur edhe do të flasë shumë më fort pas tryezës dhe në varësi të rezultatit që do të prodhojë tryeza. Sepse, ne duam që tryeza të ketë një rezultat konkret, një zgjidhje të krizës. Por në rast se jo, nuk do të ketë dhe kjo për faj të mazhorancës, të intrasigjencës së saj, atëherë patjetër që opozita do të shikojë përdorimin e mjeteve të tjera, të cilat në radhë të parë do të jenë protestat masive, do të jenë protesta të cilat do të organizohen thjesht dhe për të vetmin qëllim: që të realizohet objektivi për të cilin opozita ka shtatë muaj që ndodhet në protestë të vazhdueshme”.
-Në fazën përgatitore që përmendët për opozitën, duhet të nënkuptojmë hartimin e strategjisë së përbashkët?
-“Patjetër, konsultime paraprake ne kemi pasur mes kryetarëve të partive opozitare dhe do të vazhdojmë të jemi në kontakt. Patjetër që është e nevojshme që të ketë një platformë opozitare për bisedimet. është mëse e nevojshme, sepse përsa kohë jemi një organizëm që funksionon së bashku, patjetër që duhet të organizohemi me platformë të përbashkët”.
-A besoni se keni funksionuar kështu në mënyrë të përbashkët gjatë gjithë kësaj periudhe?
-“Mund të ketë pasur mangësi, patjetër dhe unë i kam evidentuar edhe mangësitë që janë shfaqur në çështjet e koordinimit të veprimeve opozitare, por thelbi i tyre dhe veprimtaria deri tani nuk është për t’u ankuar, por mendoj që gjithnjë e më shumë opozita duhet të koordinohet në veprime konkrete, por edhe në strategji. Pra, në ndërtimin e një strategjie që vështron larg dhe nuk merret vetëm me problemet e ditës, vetëm me problemet e javës duhet një zgjidhje që të shohë larg, e cila të parashikojë qartë edhe veprimet taktike për të realizuar synimet strategjike. Kjo është mëse e nevojshme aktualisht”.
-Zoti Milo, a qëndron Demokracia Sociale mbi parimin që, në bazë të zgjidhjes së krizës, përfshi një tryezë të mundshme shumëpartiake dhe krijimit të një qeverie, pse jo, mes të gjitha forcave, të marrë përsipër të drejtojë ndonjë dikaster?
-“është shumë shpejt për të folur për këtë gjë. “Peshku në det, tigani në zjarr”, si i thonë kësaj pune. Rëndësi ka që të zgjidhet kriza politike nëpërmjet një zgjidhjeje parimore dhe pastaj se kush do të shërbejë për një qeveri teknike të mundshme, mund të gjenden edhe përfaqësues jopartiakë, për ta kryer këtë detyrë, siç mund ta kenë kryer edhe në momente të tjera në këtë historinë 20-vjeçare te tranzicionit shqiptar. Nuk është ajo kryesorja. Kryesorja është zgjidhja e krizës, hapja e rrugës për zgjidhjen e krizës”.
-Ju keni qenë pjesëmarrës në tryeza të kohëpaskohshme gjatë këtyre 20 vjetëve. Përse këtë radhë duhet të kemi kaq mungesë besimi për të zgjidhur krizën?
-“Krizat në Shqipëri kanë qenë gjithmonë kriza shumë të vështira. Edhe në vitin 1997 kriza ishte kaq e thellë, shumë herë më e thellë sesa mund të jetë sot dhe zgjidhja nuk dukej fare në horizont. Por ja që erdhi momenti dhe ajo që dukej e pamundur në vitin 1997, u bë e mundur. Sepse, pas seancave maratonë të bisedimeve, madje të bisedimeve të nxehta me përfaqësuesit e mazhorancës së asaj kohe në zyrat e Presidentit të Republikës, u arrit më në fund një konsensus që hapi rrugën për zgjidhjen e krizës politike përmes zgjedhjeve të parakohshme. Unë nuk shoh ndonjë formulë tjetër për ta zgjidhur krizën politikisht, veç kësaj rruge. Në rast të mungesës së një marrëveshjeje në tryezë, atëherë patjetër që duhet të shkohet drejt një zgjidhjeje politike, që do të ishin në këtë rast zgjedhjet e parakohshme”.
-Si e shihni mundësinë e ndarjes së atyre që i thonë rëndom “vullnet i përbashkët” i palëve për të zgjidhur krizën e institucioneve, drejtimin e tyre? Kemi vërejtje për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, për Shërbimin Informativ Shtetëror, Kontrollin e Lartë të Shtetit. çfarë besoni se duhet bërë që këto të ndahen në përgjegjësi mes shumicës dhe opozitës?
-“Jo, do të ishte gabimi më i madh në qoftë se i gjykojmë këto institucione si “ndarje thelash” midis opozitës dhe mazhorancës. Së pari, ju përmendët disa institucione që duhet të jenë në mënyrë ekstreme të pavarura nga partitë politike, sepse janë institucione të departizuara, të cilat janë institucione kushtetuese dhe nuk kanë të bëjnë absolutisht dhe nuk duhet të kenë të bëjnë fare me influencat partiake dhe me ndarjet partiake. Ka qenë gabim që u përdor një variant i tillë njëherë në vitin 2002, nuk duhet t’u kthehemi eksperiencave të gabuara. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë thellësisht të pavarura, prandaj unë jam kundërshtar i fuqishëm i tyre dhe trajtimi të tyre në këtë mënyrë, siç mund të jenë shprehur disa njerëz. Unë nuk e besoj se ne do të ecim përsëri në rrugë të tilla të gabuara, që na pengojnë të ndërtojmë institucione realisht të pavarura dhe që mund ta ndihmojnë politikën kur ajo vihet në ngërç dhe në kriza, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet, si dhe krizat”.
-çfarë ndodh me regjistrimin etnik dhe fetar në Shqipëri, çfarë ndodh me çështjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, çfarë ndodh me jugun e Shqipërisë, kur një pjesë e madhe kompanish nga Greqia ushtrojnë aktivitetin e tyre sikur të jenë të regjistruara në tatim-taksat e Shqipërisë? A keni një plan të qartë që opozita ta nxjerrë këtë gjendje?
-“Për këtë punë duhet të pyesni mazhorancën dhe përfaqësuesit e  saj që merren me tatimet dhe taksat, si me lejet që u jepen dhe si u jepen. Unë, për fat të keq, nuk kam ndonjë informacion konkret dhe nuk jam marrë realisht me këto probleme. Por, Shqipëria ka shumë probleme dhe nuk mund t’i zgjidhë të gjitha njëherësh. Besoj se një qeverisje e përgjegjshme do të mund t’i zgjidhte këto probleme, ndërsa një qeveri e papërgjegjshme nuk ka gjasa që t’i zgjidhë këto probleme, prandaj duhet edhe një zgjidhje e re politike, që të vijë një qeveri e përgjegjshme, cilado qoftë ajo, por të jetë e përgjegjshme, me qëllim që të mund t’u japë zgjidhje të gjitha problemeve, edhe atyre që ju përmendët pak më parë”.
-Më lejoni ta përsëris edhe njëherë një pjesë të pyetjes zoti Milo. E kam fjalën për Kishën Ortodokse, për regjistrimin etnik dhe fetar në Shqipëri, si dhe për atë që po e shtoj, marrëveshjen e kufirit detar. çfarë duhet bërë që këto të ndryshojnë, pra që kisha të ruajë identitetin e saj shqiptar sipas statutit të ‘36-ës, që të mos kemi një regjistrim të ndikuar nga besimi dhe feja, ndoshta për interesa të ngushta ekonomike apo për ata faktorë që u përkasin çështjeve ekonomike të popullatës, si varfëria.
-“Në qoftë se nuk do të funksionojë shteti, në qoftë se nuk do të kemi një qeveri të përgjegjshme, çdo gjë mund të ndodhë. Në qoftë se shteti do të funksionojë normalisht, në qoftë se qeveria do të vihet në krye të punëve, për ta bërë atë regjistrim popullsie me konsensus, me kritere të përcaktuara qartë, jo vetëm me kritere subjektive, por edhe me kritere objektive, atëherë ky problem nuk ka përse të ngjallë shqetësim. Ka edhe mjaft njerëz që kërkojnë të përfitojnë politikisht me këto çështje. çështja e regjistrimit të popullsisë, sipas bindjes fetare, është personale dhe këtu nuk ka përse të ndërhyjë askush. Qytetari shqiptar do të deklarohet ashtu siç ndihet. Ndërsa nga pikëpamja e regjistrimit etnik, duhet treguar kujdes i jashtëzakonshëm: respektimi i konventës kuadër të Këshillit të Europës për minoritetet dhe i kërkesave që bën Bashkimi Europian në kuadër të integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane, këtu duhet pasur kujdes, duhet regjistruar sipas kritereve, por duhen vendosur kushte objektive që ndalojnë spekulimet dhe spekulantët në këtë rast, cilitdo qofshin ata”.
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›