E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur humbet legjitimiteti praktik

Me dy pretendime kryesore justifikoi mandatin e ri qeveria e sotshme: patëm qeverisjen më të suksesshme në rrugën e integrimit europian dhe jemi ne që do ju integrojmë në BE; jemi më të votuarit. 20 nëntori vërtetoi se këto nuk qëndrojnë: shqiptarët mund të hyjnë në BE pa pasur ndihmën e pushtetit të sotëm; ky pushtet nuk ka shumicën që pretendon. Rezistenca popullore është pikërisht ajo që do e çojë vendin drejt BE-së. Kjo nuk ka lidhje me ndryshimin e pushtetit, që është i kuptueshëm tashmë, por pikërisht me rezistencën e qindra mijëra shqiptarëve.
Sidomos në këtë periudhë të fundit të drejtimit të Partisë Demokratike, është bërë një punë e veçantë për fshirjen e rezistencës së popullit tonë. Kur në të gjithë Europën festohej fundi i Luftës së Dytë Botërore, qeveria shqiptare bënte të gjitha përpjekjet për të harruar e fshirë nga historia shqiptarët që rezistuan kundër fashizmit e nazizmit. Meqë duhej që disa figura të mos quheshin më kolaboracioniste, u zgjodh që të fshihen nga historia disa të tjerë. Është e vërtetë që ka vend për të riparë historinë shqiptare. Sido që të jetë kjo, nuk ka lidhje me fshirjen e disave për të bërë të vlefshëm disa të tjerë. Nuk mundet kurrsesi të nënvlerësohen, zhduken nga historia fëmijë, të rinj, të reja, burra e gra që luftuan, u vranë, u burgosën për këtë vend dhe ishin gati të jepnin çdo gjë në emër të lirisë. Regjimi semi-totalitarianist i sotshëm, i drejtuar nga zoti Berisha, në bashkëpunim me shumë të dukshëm e të padukshëm, harron se me gjithë historinë e saj të vjetër, Europa ka në piedestalin e çdo qyteti të vet përkujtimoret e rezistencës së Luftës së Dytë Botërore. Ajo është ndërtuar mbi dy momente kryesore rezistence: Luftën e Dytë Botërore dhe shembjen e Murit të Berlinit.
Europa e bashkuar qe vepra e atyre që luftuan e i rezistuan fashizmit. Europa u arrit kur u shemb Muri i Berlinit. Pavarësisht nga teoritë e të qenit të lashtë në Ballkan apo kristian, që do të justifikonin europianizmin e shqiptarëve, shqiptarët ishin praktikisht dhe realisht europianë kur i rezistuan fashizmit bashkë me gjithë europianët e tjerë. Shqiptarët u ribashkuan me Europën kur në ‘91-shin u ngritën kundër totalitarianizmit. Shqipërinë nuk e ndau nga Europa rezistenca, por heshtja, përulja, bashkëpunimi për përfitim apo krim. Rezistenca e përbashkët në emër të një të mire të përbashkët përbën thelbin historik e politik të Bashkimit Europian. Pavarësisht nga transformimet, integrimi në BE, është simboli i rezistencës. Rezistencë veçanërisht kundër manipulimit të së vërtetës dhe mashtrimit të qytetarëve nga ana e shtetit. Rezistencë kundër çdo mjeti, sistemi apo mendimi totalitarianist. Rezistencë kundër mohimit të të drejtave e lirive.
Më 20 nëntor, shqiptarët me qindra e mijëra qenë në shesh për të rezistuar kundrejt mashtrimit që shteti po u bën qytetarëve: lartësimi i vlerave europiane, ndërsa mohon të drejtat më elementare të qytetarëve dhe lejon dhunimin e fjalës së lirë në mënyrë flagrante. Kjo protestë ishte një demonstrim krejt i veçantë, që tregoi se shqiptarët dinë të rezistojnë atëherë kur duhet. Ajo nuk qe vetëm një mësim për pozitën, por për çdokënd që pretendon të marrë pushtetin. Më 20 nëntor, shqiptarët u bënë praktikisht europianë. Treguan se ishin ata që bashkë me gjithë europianët e tjerë qenë ngritur për liri sa herë që e gjithë Europa ishte ngritur për liri. Treguan se dinë të reagojnë për lirinë e tyre kur duhet e si duhet.
Pushteti i sotëm ndërkohë, që i degradoi shqiptarët në një popull pa rezistencë, përdori rezistencën e tij për të promovuar një totalitarianist. Jo rrallë herë rezistencën popullore e zëvendësoi me huliganizëm. Në këtë kuptim, vetëm ky pushtet nuk ka mundësi të justifikojë atë që pretendon se përbën arsyen themelore të ekzistencës së tij: integrimin europian. Nga ana tjetër, kundrejt tij u ngritën qindra mijëra shqiptarë. Në fakt, edhe po të ishin vetëm njëqind a njëmijë, prapë do duhej një reagim i shpejtë e pozitiv i organeve drejtuese kundrejt kërkesave të tyre. Pushteti nuk arriti t‘i përgjigjej, por tenton të mos i përfillë. Është e qartë se asnjë lider europian nuk ka për të shtrënguar dorën si i barabartë me shkulësit e monumenteve të rezistencës, sidomos të asaj anti-naziste e anti-fashiste. Është e nënvizuar tashmë nga vetë autoritetet europiane që asnjë lider europian nuk ka për të pranuar si të barabartë në oborrin e vet një "ish-komunist". Natyrisht, asnjë grup vendesh demokratike nuk mund të pranojë një pushtet që nuk përfill shumicën e qytetarëve të vet. Kjo ka shembuj të qartë në praktikën e pranimit në BE. Atëherë çfarë i ngelet pushtetit të sotshëm?! Kë drejton e për ku e drejton? Përveç bashkëpunimit në përfitim a krim, çfarë e mban atë më këmbë?
Nuk besoj se gjithë opozitarët janë engjëj. Apo se dhe pushtetarët që mund të vijnë do të jenë të pagabueshëm. Megjithatë, në rastin konkret, kjo pak rëndësi ka. 20 nëntori tregoi se kjo qeveri, ky pushtet, s‘ka më asnjë legjitimitet praktik, përveçse legjitimitetit teorik që mundohet t‘i japë vetvetes. Tani çështja është sa do të qëndrojë më këmbë me këtë legjitimitet teorik. Kjo varet nga numri i bashkëpunëtorëve të dukshëm e padukshëm në krim, a përfitim. Sido që të jetë, diçka është e qartë: kur humbet legjitimiteti praktik, ka filluar numërimi mbrapsht i një pushteti. Shpresoj që kur të bjerë tiktaku përfundimtar, të mos turren për ndërrim postesh bashkëpunëtorët e padukshëm, por përfaqësuesit e vërtetë të atyre që ishin në shesh më 20 nëntor. Vetëm atëherë rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të varet me të vërtetë nga reformat e formularët. Domethënë do të jetë reale dhe krejt e shkurtër. Vox populi, vox dei.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›