E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, jashtë rrezikut në Karolinën e Veriut

Nga Express më 27 gusht 2011 në ora 19:04

Uragani Irene tashmë ka arritur në Karolinën e Veriut të SHBA-ve, ndërsa më së keqi është në zonën ku është baza e marinës ushtarake Camp John A Lejeune. Në qytetin Jacksonville janë larguar banorët në strehimore ose më larg qytetit, ku era ka shpejtësi më të ulët.

Bajram Fana, një shqiptar nga Kosova, i cili jeton në këtë zonë bashkë me familje, ka thënë për Kosovapress se pas rekomandimit të autoriteteve amerikane, është larguar për në vend më të sigurt.

“Me të filluar përkeqësimi i motit vendosa që të largohem nga shtëpia. Autoritetet lokale na këshilluan që të shkojmë në strehimore ose të largohemi nga ajo zonë. Unë erdha 100 milje larg nga qyteti te miku im Pal Mirakaj në qytetin Uonson. Së bashku me këtë familje po i përballojmë më lehtë uraganit, ku shpejtësia e erës është më e ulët se sa në bregdet. Jemi mirë dhe po i përballojmë me sukses”, shprehet Fana.

Era ka arritur mbi 100 milje në orë përgjatë zonës bregdetare të Karolinës së Veriut. Deri tani raportohet vetëm për një viktimë që ndodhi si rezultat i një aksidenti derisa po largohej nga zona e prekur nga uragani Irene.

Ndërkohë në Nju Jork popullata është mobilizuar. Në Manhattan parashikohet të ketë më tepër rrezik, pasi që uragani do të jetë më i fuqishëm sa më lart që të jetë mbi tokë, kurse në këtë pjesë të qytetit shumica e ndërtesave janë mbi 50 kat dhe tash ka nisur evakuimi i banorëve.

Urat mund të kalohen falas dhe transporti publik do të jetë po ashtu falas. Ditën e diel do të ndalohet qarkullimi me trenat e nëntokës deri në përmirësimin e motit.

Në këtë qytet punojnë me mijëra shqiptarë dhe më të angazhuarit janë përgjegjësit për mirëmbajtjen e ndërtesave. Ata kanë filluar t’i evakuojnë familjet e veta, pasi që shumica prej tyre banojnë në katet përdhes që parashikohet se do të mbushen me ujë.

Uragani Irene Irene mund të ndikojë edhe në anulimin e mbledhjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e paraparë për të hënën, ku do të diskutohet për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Moon për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›