E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët lejohen të kthehen në atdhe për Pashkë

Me rastin e Pashkeve, të gjithë fëmijët e lindur në Greqi në 20 vitet e fundit, do t’u mundësohet liridalja në të dy shtetet për 15 ditët e ardhshme përmes Kakavijes deri ne 12 maj.Kjo është arritur falë një marrëveshje të arritur mes krerëve të Policive Kufitare të Gjirokastrës dhe Epirit ku pala shqiptare, ka qenë më tepër e interesuar për këtë problem, nisur nga anomalitë e shfaqura jo pak herë në pikat kufitare që lidhin vendin tonë me Greqinë.

Ka qenë një iniciativë institucionale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, që vuri në lëvizje nënshkrimin e kësaj marrëveshje të përkohshme, që ka validitet prej ditës së shtunë e deri më 12 maj periudhë e cila përkon me Pashkën Ortodokse. Vetë kreu i Policisë Rajonale të Kufirit Admir Abrija, ka udhëtuar në drejtim të Janinës, për të biseduar me homologun e tij dhe përfaqësues të Policisë Kufitare të Epirit dhe Janinës, për të mundësuar hyrje-daljen e të gjithë atyre fëmijëve që kanë lindur në shtetin grek, në pasaportat e të cilëve, shënohet vendlindja në gjuhën shqipe dhe jo në atë angleze, siç e përmbajnë kriteret e Komisionit Ndërkombëtar të Toponimeve.

Zoti Abrija, ka gjetur mirëkuptim, me homologët grekë që të paktën ky rregull mos të jetë i aplikueshëm në periudhën e ardhshme 15 ditore e cila përkon me festën e Pashkës Ortodokse dhe ku qarkullimi i familjeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi, shënon rritje.

Nga ana e tij, homologu grek i Admir Abrijas, ka pranuar propozimin e tij dhe ka rënë dakord që mos të merren në konsideratë vendlindjet e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, ndërkohë që pas datës 12 maj, gjithcka shkon në pikën zero. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kreu i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Admir Abrija, vlerëson nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e cila mundëson në këtë mënyrë, kalimin pa probleme të të gjithë fëmijëve që kanë lindur në shtetin fqinj. Ai shpreson që kjo anomali, të kalojë falë mirëkuptimit mes dy shteteve.

Padyshim të parët që kanë ngelur të kënaqur nga kjo arritje, kanë qenë familjarët shqiptarë, që jetojnë në Greqi. Merita Allushaj, nënë e dy fëmijëve të lindur në Janinë, shprehet për gazetën “Panorama”, se nënshkrimi i marrëveshjes, është ogur i mirë që në fund u lejohet fëmijëve të saj të shkojnë në Shqipëri dhe të takohen me gjyshërit apo njerëzit e tyre të afërt. Shpresojmë që shteti shqiptar, të tregojë më tepër përkujdesje për ne emigrantët të cilët nuk kemi faj se në dokumentat tona, vendlindja e fëmijëve shkruhet në gjuhën shqipe dhe jo ashtu siç duhet të shkruhet-shprehet për gazetën “Panorama” zonja Allushaj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›