FSK me profesionalizëm të lartë, pritet vlerësim pozitiv nga NATO

Forca e Sigurisë së Kosovës është në pritje të miratimit të kapaciteteve të plota operacionale nga NATO-ja. Përfaqësuesit politikë vlerësojnë se FSK-ja me performancën e saj ka dëshmuar nivel të lartë profesional dhe presin vlerësime pozitive. Në zyrën e kryeministrit theksojnë se marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi mund të ndikojë pozitivisht edhe në këtë çështje.
Vendimi i NATO-s për arritjen e Kapaciteteve të plota të FSK-së për qeverinë e vendit konsiderohet sfidë politike, për arsye se disa vende të NATO-s ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Dhurata Sadiku-Hoxha këshilltare politike e Kryeministrit tha për Radio Kosovën tha se me arritjen e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë edhe argumentet për mos njohjen e shtetit të Kosovës nuk janë më valide
“Ne presim se tani me arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani edhe argumentet për mos njohjen e shtetit te Kosovës nuk është më valide”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së Ahmet Isufi theksoi për Radio Kosovën se angazhimet e FSK-së jashtë vendit kanë treguar një profesionalizëm të shkëlqyeshëm, shkruan Rtk.
“Jemi afër të një vlerësimi real nga niveli ndërkombëtarë në këtë rast i NATO-së që do të jetë në të ardhmen ndërrim të misionit për krijimin e një force mbrojtëse në vend për të siguruar qyqaret territorin dhe për të qenë në vazhdimësi në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, tha Isufi.
Ditë më parë, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku pati deklaruar se FSK-ja është në pritje që NATO-ja të marrë një vendim që të pranojë rekomandimet e komandantit të KFOR-it që FSK-ja i ka arritur kapacitetet e plota operacionale.
“Jemi në pritje që NATO të marrë një vendim shumë shpejt që të pranoj rekomandimet e komandantit të KFOR-it që FSK-ja ka arritur kapacitetet e plota operacionale. E ka përmbush misionin e vet të cilin e ka vendosur Ahtisaari dhe ta hapim një faqe të re të bashkëpunimit të NATO-s me FSK-ne. Sepse edhe FSK-ja është para një faqeje të re të zhvillimit në të ardhmen shumë shkurt”, pati thënë Çeku.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka marrëdhënie formale me NATO-n./Indeksonline/