E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agimi i Artë dhuron gjak vetëm për grekët

Me incidente është shoqëruar sot procesi i dhurimit të gjakut nga Agimi i Artë në spitalet e vendit. Agimi i Artë bëri thirrje që data 27 Prill të ishte data e dhurimit të gjakut “nga grekët për grekët”.

Në Larisa, pati grumbullime qytetarësh dhe aktivistësh antiracistë para spitalit, ndërsa mjekët e tij deklaruan se gjaku i dhuruar do të shkojë për këdo që ka nevojë, pavarësisht racës, fesë, etnisë, orientimit seksual apo çdo dallimi tjetër. Mjekët thanë se përpjekja e Agimit të Artë për donacione me përmbajtje raciste, dështoi. Prania e policisë ishte e fortë për të shmangur cdo episod dhune, raporton bw.

Thirrja e Agimit të Artë shkaktoi tension edhe në spitalin e Tripolit, ku protestuesit antiracistë i hodhën kafe dhe ujë deputetit të Agimit të Artë, Iliopulos. Nga ana tjetër anëtarët e Agimit të Artë sulmuan një kameraman të televizionit dhe i kërkuan atij të fshijë imazhet dhe fytyrat e filmuara.

Thirrja e Agimit të Artë për të dhuruar gjak vetëm për grekët, shkaktoi reagime në opinion, ndërsa “Urdhri i Mjekut” bëri thirrje të refuzohej çdo dhurues i partisë neonaziste. Ministria e Shëndetësisë kërkoi që çdo spital t’iu bëjë me dije dhuruesve të gjakut, se gjaku i dhuruar do të përdoret për çdo person që ka nevojë, pa asnjë dallim racor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›