E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët në shekullin XX” - konferencë në Bruksel për 100 vjetorin e pavarësisë

23-06-2012 / Nga Eden Babani

Konferenca u mbajt nën kujdesin e Prof.Sulejman Gjanës, dekan i fakultetit të Shkencave të Menaxhimit e të Marrëdhënieve Publike të Universitetit të Lirë të Brukselit

Bashkësia Shqiptare e Belgjikës e ka nisur qysh në fillim të këtij Viti Jubilar rrugën e veprimtarive kulturore-shkencore për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë. Siç e kemi vënë në dijeni lexuesin tonë, në fund të marsit, u mbajt në Bruksel një sezon përkujtimor për Muharrem Bajraktarin, atdhetar i devotshëm dhe luftëtar i paepur kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Afro dy javë më pas, degët e Partisë Lëvizja e Legalitetit për Francën e për Belgjikën, në bashkëpunim me njëra tjetrën, organizuan një pelegrinazh në varrin e Mbretit Zog i Parë, në Paris, me rastin e 51-vjetorit të vdekjes së tij. Së fundi, më 14 të muajit në vazhdim, me nismën e zotërinjve Sulejman Gjana dhe Burim Demiri, u organizua Konferenca Shkencore “Shqiptarët në shekullin XX”. Ishin ftuar të lexonin kumtesat e tyre studiuesit nga Republika e Shqipërisë: Prof. as. dr. Shefqet Hoxha, historiani i njohur Uran Butka dhe politologu Mentor Nazarko. Nga Republika e Kosovës: Akademik Esat Stavileci dhe Prof. Murat Jashari, kurse nga diaspora shqiptare e Belgjikës, sociologu dhe gazetari Ferid Shehu.
Qysh në fillim, ia vlen të vë në dukje organizimin e përkryer të veprimtarisë, e cila u mbajt në mjediset e Universitetit të Lirë Ndërkombëtar të Brukselit, falë përkrahjes dhe mbështetjes së plotë të Rektorit, Prof. Uedraogo, i cili pranoi të vendosej në ftesat që u shpërndanë, logoja e Universitetit përkrah flamurit tonë kombëtar. Konferenca u organizua, gjithashtu, nën kujdesin e posaçëm të Prof. Ramadan Gjana, dekan i fakultetit të Shkencave të Menaxhimit e të Marrëdhënieve Publike të këtij Universiteti. Veprimtarinë Shkencore “Shqiptarët në shekullin XX”, e mbështeti pa rezerva edhe CERIS – Qendra Europiane e Marrëdhënieve Ndërkombëtare e Strategjike, të cilën e kryeson Prof. Andre Miruar, i cili, gjithashtu pranoi të vendosej logoja e Institutit të vet në tribunën e auditorit, në përkrahje të tematikës së veprimtarisë.
Ia vlen gjithashtu të theksoj bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë mes dy bashkënismëtarëve, Sulejman Gjana, partiak, nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dhe Burim Demiri, jopartiak, veprimtar i spikatur nga shoqëria civile e bashkësisë shqiptare të Brukselit, i cili, në zgjedhjet vendore të tetorit, pritet të jetë kandidat për Këshillin Bashkiak të komunës së Skarbeekut, një ndër më të mëdhatë e Brukselit, me mbi 130.000 banorë. Ishte një bashkëpunim dhe mirëkuptim pa paragjykime dhe interesa politike, që e kërkonte rasti, të cilën bashkënismëtarët ditën ta qëmtonin e ta vinin në jetë, çka, për ne, shqiptarët, sa vjen e po shndërrohet në domosdoshmëri për të përballuar sfidat e panumërta që na vë përballë koha, në të mirë të zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Ky, në fund të fundit, ishte edhe qëllimi final i Konferencës.
* * *
Tematika e konferencës ishte mjaft e larmishme. Ajo kishte shtrirje të madhe si në kohë, ashtu edhe në hapësirë, duke përfshirë të gjitha trojet tona etnike, nga Veriu, në jug; nga lindja, në perëndim; si edhe të njëqind vjetët e Pavarësisë, që nga Viti Madh 1912, deri në ditët e sotme. Shkallë-shkallë, autorët e kumtesave sollën përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi, luftërat e tyre të përgjakshme për të mbrojtur kufijtë e Jugut e të Juglindjes nga synimet grabitqare të “Megaloidhesë” greke, ose ato të Veriut e të Verilindjes nga “Naçertnaja” serbe, të cilat “megjithëse na përgjakën, na rrudhën trojet, na përzunë, nuk arritën ta shuajnë Kombin Shqiptar”. Ligjëruesit evokuan luftërat për çlirim nga pushtuesit e huaj gjatë dy përleshjeve të mëdha botërore, si edhe luftën e fundit që e përçoi Kosovën drejt lirisë e pavarësisë. Në kumtesat e tyre u shpalosën gjithashtu masakrat ndaj popullsisë çame, ndërmarrë nga  bandat e Napolin Zervës; ajo e njohur tashmë me emrin “Masakra e Tivarit”, kryer prej titistëve jugosllavë dhe  mbështetur nga enveristët shqiptarë; si edhe masakra e fundshekullit të kaluar ndaj popullsisë civile kosovare, shkaktuar nga ana e trupave të rregullta të ushtrisë jugosllave dhe paramilitarëve të Milosheviçit e të Arkanit.
Në kumtesën e vet “Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve”, Prof. as. dr. Shefqet Hoxha, u përqendrua në vitet 1912 - 1939. Ai vuri në dukje faktin që gjatë këtyre 100 vjetëve, “shteti i shqiptarëve dhe viset e shkëputura prej tij janë përballur me shovinizmin serbomadh”, i cili është mbështetur në “platformat antishqiptare të Garashaninëve, Cvijiqëve, Gjeorgjeviçëve, Çubrilloviqëve, Rankoviçëve, Millosheviçëve etj.”  Idetë e “panserbizmit”, theksoi Prof. Hoxha, “kanë në themel ato të pansllavizmit, domethënë hegjemonizmin mbi popujt fqinjë  jo sllavë, urrejtjen dhe përbuzjen ndaj tyre, ashtu si ideologjia fetare e ortodoksizmit sllav që pretendon epërsinë mbi fetë e besimet e tjera”. Sipas tij, “pansllavizmi ka si ortak të vetin kishën ortodokse sllave”. Përveç gjenocidit të pashembullt serb mbi shqiptarët gjatë shekullit të kaluar dhe shpërnguljeve të tyre masive për në Turqi, me kumtesën e vet, Prof. Hoxha hodhi dritë mbi humbjet e trojeve të tëra shqiptare në dobi të Serbisë, si dhe mbi kolonizimin serb të trojeve shqiptare. Me të drejtë, kumtuesi tha se “ka kaluar kohë nga shekulli XIX i “Naçertanies” dhe nga shekulli i XX i elaborateve ‘shpërngulja e Shqiptarëve’ (...), por përpara rrezikut sllavo-grek nuk jemi imunë, sepse, në kohë dhe në rrethana të caktuara, ky demon, që sot duket i përgjumur, mund të kreshpërohet”.
Sociologu dhe gazetari Ferid Shehu, me kumtesën e tij “Shpërngulja e shqiptarëve nga ish-Jugosllavia në vitet 1952 - 1957”, ilustroi me shembuj konkretë politikat e spastrimit etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se Rankoviçi materializoi me mjete ekstreme elaboratin e Çubriloviçit për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve. Epoka e Rankoviçit ishte tipike një epokë spastrimi etnik i trojeve shqiptare nga banorët e tyre autoktonë. Të njëjtën politikë ndoqi Milosheviçi në vitet ’90, çka tregon se historia mund të përsëritet, kurse ne duhet të jemi syçelë.
Akademik Esat Stavileci mbajti kumtesën “Lufta e Kosovës 1998 – 1999”. Qysh në fillim të ligjëratës së vet, ai vuri në dukje se “në vitet 1998 dhe 1999 vetëm sa do të dalë haptazi dhe sheshit krimi gjenocidal i pushtetit serb ndaj shqiptarëve, për të vërtetuar, qoftë lashtësinë, qoftë dhe vrazhdësinë e tij”. Duke iu  referuar vërejtjes së akademikut Pajazit Nushi për zbatimin e të njëjtave mjete e forma vrastare të serbëve ndaj shqiptarëve, në vite, Stavileci tha se ato “tregojnë praninë e qëndrueshme të tendencës së zhdukjes dhe të asgjësimit të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë. Aktiviteti i krimit asgjësues, - tha ai, - mbështetet në dokumente zyrtare e shtetërore dhe në mendime të mendimtarëve e të shkencëtarëve serbë, sikurse edhe në disa vepra të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Serbisë”. Akademik Stavileci, mes të tjerave tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me faktin tepër domethënës se politika e shfarosjes së shqiptarëve në Kosovë u institucionalizua në vitin 1990 si “një nga shumë programet politike serbe, që dëshmojnë për vazhdimësinë e akteve gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve etnikë”. Ajo u institucionalizua jo vetëm formalisht, por edhe ligjërisht te “Fletorja Zyrtare e RSFJ-së, 8-1990, mbi këto orientime kryesore: “1. Favorizimi i serbëve dhe i malazezve në Kosovë, në të gjitha sferat e jetës...; 2. Ndryshimi i strukturës etnike të Kosovës; 3. Rikolonizimi i Kosovës; 4. Kufizimi i natalitetit të shqiptarëve etj.” Pasi vuri në dukje rolin e patjetërsueshëm UÇK-së në çlirimin Kosovës nga pushtimi serb dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, ligjëruesi analizoi filozofinë patriotike të familjes Jashari, e cila, e para filloi luftën çlirimtare në Prekaz të Drenicës dhe e para lau me gjak truallin e vet të vendlindjes. “Liria ishte obsesion i Adem Jasharit dhe preokupim jetësor i tij (...), - vërejti Stavileci. - UÇK-ja dhe Jasharët jetuan ‘në kohë shumë të liga për popullin shqiptar’ jo vetëm në Kosovë, prandaj dhe bënë angazhim të jashtëzakonshëm, sepse rrethanat ishin të jashtëzakonshme (...) Prandaj nderi dhe respekti sot e përherë janë rezervuar për ta dhe ne sot përkulemi para tyre”. Duke mbajtur parasysh sfidat e njëpasnjëshme që nxjerr koha para çështjes kosovare dhe asaj kombëtare në përgjithësi, akademik Stavileci e mbylli fjalën e vet duke iu rikthyer edhe njëherë nevojës për t’u bërë bashkë në veprime të përbashkëta, për të kërkuar dhe për të gjetur udhët për daljen nga një gjendje që mund të na sillet ‘në rreth’.”
Fjalën e Prof. Murat Jasharit, auditori e priti me duartrokitje dhe ovacione, duke u ngritur i gjithi në këmbë, në nderim të familjes Jashari, pinjoll i së cilës është ai vetë. Ai vinte në Konferencë si simbol dhe shembull i gjallë i përpjekjeve dhe sakrificave të krahinës së tij, Drenicës Martire, dhe i gjithë Kosovës. “Sot, - tha ai, - është Dita Ndërkombëtare e Dhurimit të Gjakut. Shqiptarët janë një popull që ka derdhur mjaft gjak për liri e pavarësi, çka na është mohuar padrejtësish në shekuj”. Përkimi i rastësishëm i kësaj dite të shënjuar për mbarë botën, me zhvillimin e punimeve të Konferencës, sipas Prof. Jasharit, duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithë së bashku, që populli ynë të ndërtojë të ardhmen, pa harruar të shkuarën.
Studiuesi dhe historiani i palodhur Uran Butka, tashmë i njohur në të gjitha viset shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve shtetërore, solli për afro 200 të pranishmit në sallë kumtesën me titull “Maskra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”. Historiani Butka citoi shifra rrëqethëse për masakrën e organizuar nga komunistët jugosllavë dhe zbatuar në territorin e shtetit shqiptar me dijeninë dhe me përkrahjen e pakufizuar të qeverisë komuniste të Tiranës, e cila sapo kishte ardhur në fuqi falë kurtheve dhe pabesive ndaj nacionalizmit shqiptar, që e katandisën luftën çlirimtare, në luftë vëllavrasëse. “Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, - tha ai, - rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por, sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-ët”. Sikurse pararendësi Prof. Hoxha, edhe Butka theksoi se“platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte ajo e pansllavizmit “projekti famëkeq i Çubrilloviqit, i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944 që u bënë, për fat të keq, edhe platforma të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: ‘Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Butka nuk nguroi të akuzonte shtetin komunist shqiptar, jo vetëm si përgjegjës, por edhe si pjesëmarrës në masakër. Ligjëruesi kërkoi të hidhet dritë e plotë mbi Masakrën e Tivarit, të dalin përgjegjësitë dhe “të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian”.
Politologu Mentor Nazarko foli mbi temën: “Zgjidhja e çështjes çame nga këndvështrimi politiko-juridik”. Pasi e  përkufizoi problemin në pikëpamje politike dhe juridike, Nazarko bëri një panoramë të përgjithshme historike të çështjes çame në kohë dhe në hapësirë. Më pas, ligjëruesi analizoi shkaqet dhe shkaktarët e çështjes çame, ndër të cilat nevojën e spastrimit etnik të nxitur prej shovinistëve grekë, konfliktin ndërfetar, indiferencën e fuqive të mëdha, pafuqinë e Shqipërisë për ta marrë në duar situatën, si edhe shkëmbimet midis fuqive të mëdha. Sipas Nazarkos, në planin juridik çështja çame është mbuluar nga shteti grek me Gjyqet e Janinës, me ligjet e vjetra të 1938, ato të viteve ’50, ligjet e pajtimit të vitit 1972 etj. Në planin politik, - tha ai, - çamët janë konsideruar bashkëpunëtorë të fashizmit, kurse spastrimi i tyre etnik, ishte ngushëllimi i vetëm për ambiciet e grekëve pas Luftës së Dytë Botërore. Në vijim, Nazarko solli “disa keqkuptime apo gabime në lidhje me çështjen” në veçanti, e cila “ngatërrohet me çështje të tjera”, si, fjala vjen çështja e shtetësisë, çështja e bashkëpunëtorëve të fashizmit etj. Në këtë këndvështrim, ai vëren mungesën e studimeve juridike, injorimin e çamëve ortodoksë etj. Planet e zgjidhjes së çështjes çame, sipas Nazarkos, janë “të brendshme” dhe të “jashtme”. Ato, gjithnjë sipas tij, shkojnë krah për krah. Vështirësitë e zgjidhjes, me të drejtë ai i sheh “te faktori kohë (humbje e kohës gjatë komunizmit, por edhe në tranzicion), te fshehja e dokumenteve, te problemet me arkivat etj. Vlen të përmend vërejtjen e tij me vend se “pa zgjidhjen e çështjes çame, nuk do të ketë zgjidhje të çështjes sonë kombëtare”. Shteti grek, nënvizoi Nazarko, është borxhli ndaj çamëve jo vetëm me jetë njerëzish, por edhe me pronat e tyre që vlerësohen prej 10 deri në 20 miliardë euro.
Në emër të trupit diplomatik shqiptar në Mbretërinë e Belgjikës, përshëndeti zoti Gani Azemi, këshilltar i Ambasadës së Republikës së Kosovës. Konferencën e mbylli Prof. Naim Basha, të cilin e ftuan dy bashkënismëtarët të thotë fjalën e tij.
Çaste emocionuese solli vogëlushja Arbërore Demiri e cila, mbështjellë me Flamurin Kombëtar recitoi poezinë “Pse jemi të ndarë?”, shumë domethënëse në këtë Vit Jubilar të 100-Vjetorit të Pavarësisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›