E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët nuk do rrinë duarkryq

Udhëheqësit serbë ende nuk mund ta kuptojnë se janë duke jetuar në një botë demokratike, në një botë ku kanë të drejtë të jetojnë të gjithë në paqe e liri, në një botë ku skllavëria , shtypja e shfrytëzimi janë harruar që moti. Si duket këta udhëheqës serbë jetojnë dhe kënaqen nga mjerimi e shtypja e popujve tjerë e posaçërisht e shqiptarëve. Kërcënimet e fundit nga Daçiçi, Sindikata e Pavarur e Policëve Serbë, të rinjve serbë e së fundi edhe e kryetarit të Serbisë Nikoliç, gjithë botën demokratike e irriton dhe i kujton luftënxitësit, përkatësisht pushtetin e atëhershëm gjenocidial serb, të cilët bënë vrasjet, dëbimet dhe masakrat në tërë territorin e ish Jugosllavisë. Nga frika që do të përsëritet gjakderdhja në vendet e Ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, lindi nevoja e domosdoshme që në trevat e banuara me shqiptarë, (Preshevë, Medvegjë e Bujanovc) të formohet Ushtria mbrojtëse Çlirimtare e cila detyroi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe pushtetin serb të ulen në tavolinë për të negociuar paqen në këtë rajon. Në këto bisedime, përveç tjerash, u arrit edhe marrëveshja për amnistimin e pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe krijimin e kushteve për të jetuar në paqe e liri, ndërsa tani, për çudi, po të njëjtat struktura që ishin atëherë në pushtet kërcënojnë me rrënime të lapidarëve të dëshmorëve shqiptarë të rënë për liri, kurse për policët dhe ushtarët serbë të cilët bënë krime në tokat shqiptare, tani u ngritën lapidare, po në vendet ku kanë bërë krime (vendbanime shqiptare). Kjo urrejtje na bën të dyshojmë se me sjelljet që janë duke i bërë tash udhëheqësit serbë po kërkojnë të përsëritet lufta. Prandaj, shoqata “Vatra” u bën me dije se edhe shqiptarët nuk do të mund të qëndrojnë duarkryq përballë kësaj situate të krijuar, ndërsa çfarëdo konflikti që mund të ndodhë, përgjegjësinë e mbajnë ata që e nxisin destabilizimin në rajon. Gjithashtu u bëjmë thirrje faktorëve relevantë që të ndikojnë në tejkalimin e kësaj situate të krijuar pa nevojë nga pushteti luftënxitës i Beogradit.

/Sejdulla Kadriu/Kryetar i Shoqatës "Vatra"/


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›