Dosjet, ankthi i së “djathtës” qeverisëse
Prof. Assoc. Dr. Aleksandër Biberaj, n/kryetar i Frymës së Re Demokratike
Jo më larg se para disa javësh, përcollëm me dhimbje grevën një mujore të urisë së një grupi ish-të burgosurish politikë, dy prej të cilëve nuk jetojnë më, Liraku i vetë-djegur (vetë-sakrifikuar) dhe Shpëtimi i vrarë nga kanceri, që ashtu sic e pati ndjerë dhe deklaruar edhe vetë, jetën pas grevës së urisë nuk do ta kishte të gjatë, pasi ditët i kishte të numëruara. Ajo që ra në sy ishte indiferenca vrastare e qeverisë pseudo të djathtë, që injoroi grevën, duke mos çuar tek grevistët asnjë zyrtar partiak apo ekzekutiv, që të negocionte me ta, gjë që minimalisht do të kursente jetën e Lirakut dhe djegien e Gjergj Ndrecës. Përse, pyesnin shumë qytetarë, ndodhte kjo grevë kaq vonë, 22 vite pas rrëzimit të komunizmit? Pyetje me vend që ka nevojë për një përgjigje. Kjo iu faktoi shqiptarëve se sot e kësaj dite vazhdojnë reminishencat e komunizmit në politikën shqiptare, sidomos në qeverisjen shqiptare, pasi vendi po drejtohet me metoda komuniste, me mentalitet dhe psikologji komuniste. Në Shqipëri fatkeqësisht nuk pati një Nurenberg politik për dënimin e krimeve të komunizmit, jo thjesht me qëllim dënimin e disa ideuesve dhe udheheqësve të diktaturës, sesa për dënimin e komunizmit si ideologji dhe filozofi totalitare, zbatimi i së cilës pati pasoja katastrofike për Shqipërinë. Vlerësohet në mënyrë të përafërt se mund të jenë pushkatuar nga regjimi komunist për motive politike rreth 6150 vetë, nga të cilët 450 gra. Shqipëria ka pasur rreth 36.000 të burgosur politike, nga të cilët rreth 5.900 mund të kenë vdekur ne hetuesi apo burgje, ndërmjet të cilëve 200 gra. Dënimet politike varionin nga 7 deri në 40 vjet burg. Shqipëria ka pasur rreth 52.000 të internuar, nga të cilët rreth 7.100 mund të kenë vdekur në kampet e internimit. Janë dëbuar nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare rreth 11.536 familje, me ose pa vendime gjykatash. Të burgosurit politikë kanë ndërtuar rreth 38 vepra të mëdha, pa vendime gjykatash. Po t’i rikthehemi grevës së urisë, vetëm një qeveri si kjo aktualja, që drejtohet nga një stalinist, në përbërje të së cilës ka ish-komunistë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe të shërbimeve të huaja sekrete, apo pinjollë të diktaturës, mund të sillej në këtë mënyrë me këtë shtresë. Vetëm një qeveri që i urren ata dhe i trajton si “armiq të klasës” mund të sillej sic u soll qeveria aktuale me ta. Ndërkohë që nga ana tjetër, aleati kryesor (LSI) i kësaj qeverie pseudo të djathtë kërkoi në 100 vjetorin e Pavarësisë rehabilitimin e Enver Hoxhës. Po të shohim në retrospektivë, PS-ja, për arsye që dihen nuk mund të bënte dekomunistizimin dhe lustracionin e shoqërisë. Misioni historik për dekomunistizimin dhe lustracionin i takonte PD-së, si parti e djathtë e krijuar nga Lëvizja Studentore Antikomuniste e Dhjetorit ‘90, që mbarte në vetvete edhe aspiratat edhe rezistëncën antikomuniste 50 vjeçare. Fillimi ishte i mirë, por shumë shpejt lidershipi i PD-së degradoi, degjeneroi duke rënë në duart e ish-komunistëve, të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, apo të pinjollëve të diktaturës. Lustracioni, pavarësisht se në thelb trajton të kaluarën, politikisht dhe moralisht ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e demokracisë, pasi pa një distancim të qartë dhe të prerë të shoqërisë shqiptare, të politikës dhe të opinionit publik nga e kaluara e regjimit komunist, si dhe pa një pastrim nga kjo e kaluar, demokracia mbetet e brishtë dhe reformat mbeten gjithmonë në udhëkryq. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 22 viteve, gjë që shpjegon më së miri edhe tranzicionin e tej-zgjatur dhe tepër të vështirë, ngjarjet e vitit ‘97, refuzimin për të tretin vit radhazi të statusit të vendit kandidat për në BE (gjë që i ndodh vetëm Shqipërisë), prezencën e krimit të organizuar dhe trafiqeve, qeverisjen totalisht të korruptuar, lidhjen e mafies rajonale me politikën, mungesën e demokracisë në partitë shqiptare, mungesën e rrotacionit të elitave dhe prezencën e liderve të përjetshëm të modelit autokratik, mungesën e shtetit ligjor, problemet me zgjedhjet dhe me demokracinë, me ndarjen e pushteteve, si dhe shumë e shumë fenomene të tjera negative, që e kanë katandisur Shqipërinë të krahasohet me Bjellorusinë, apo me ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik. Historia botërore, por edhe ajo kombëtare ka treguar se në qoftë se ne nuk i dënojmë regjimet diktatoriale, jo vetëm politikisht dhe moralisht, por edhe penalisht, nuk kemi asnjë lloj garancie se ato nuk mund të përsëriten. Ish-vendet komuniste të Europës i kanë hapur tashmë prej vitesh dosjet e ish-policisë sekrete duke i bërë publike ato, ndërkohë që ka vende që ish-persekutorët e sistemit të kaluar kanë përfunduar përpara drejtësisë për krimet e kryera ndaj qytetarëve të vendeve të tyre. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, pasi ish-persekutorët e regjimit të kaluar, ish-komunistët dhe ish-bashkepunëtorët e Sigurimit të Shtetit apo shërbimeve të huaja sekrete janë sot në politikë, janë në qeverisje, janë në të gjitha nivelet e administratës publike. Për sa kohë ata janë në parlament, në qeveri, në sistemin e drejtësisë, në sistemin arsimor, në diplomaci dhe kudo, as që diskutohet dekomunistizimi dhe lustracioni i shoqërisë shqiptare, pasi më e pakta, këta kanë konflikt interesi, dhe nuk mund të hapin dosjet e tyre. Rreziku më i madh në këtë histori qëndron tek bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja sekrete, të cilët punojnë kundër interesave të kombit tonë. Dy do të jenë faktorët që do të bëjnë të mundur lustracionin e shoqërisë: një elitë e re politike, që mund të miratojë dhe të zbatojë një ligj lustracioni, ose faktori fizik, natyror (koha) që kërkon edhe ndonjë dekadë tjetër, për t’u shkëputur edhe fizikisht nga komunizmi.