E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi, arsye jetike për ndryshim në 2013

Asllan Dogjani/deputet i PS-së

Viti 2012 tregoi se qeveria nuk mundi ta mbajë nën kontroll kriminalitetin. Vrasje për grabitje, gjakmarrje, hakmarrje, vrasje në familje, vrasje me motive pronësie e me motive nga me të çuditshmet. Vjedhje me armë në rrugë, dyqane, banka, grabitje të biznesmenëve, rrëmbime, gjoba, vjedhjet me dhunë u tre dhe katërfishuan pa u ndaluar tek ato vepra penale qe ndodhin dhe nuk raportohen nga qytetarët pasi kanë humbur besimin te policia. Shqetësimi për rritje të kriminalitetit erdhi edhe nga shefi i Sigurisë së stafit të OKB-së në Tiranë, që porosiste personat përgjegjës në institucionet ndërkombëtare që në Shqipëri të bëjnë kujdes pasi janë shtuar rrëmbimet dhe vjedhjet në rrugë. Por si po e fillojnë vitin e ri dhe sa të sigurt do të jenë qytetarët shqiptarë gjatë këtij viti? Vrasja e emigrantit për grabitje, vrasja e taksistit në mes të Tiranës, grabitja e argjendarisë në Fier, vrasje nga armët që qëllonin për të festuar Vitin e Ri, plagosje, grabitje me armë e dhunë, vjedhje, vënie  tritoli, padrejtësi, korrupsion…Kështu e kanë filluar Vitin e Ri  dhe mbyllur Vitin që shkoi  qytetarët shqiptarë. Askush nuk di të thotë përse rendi dhe siguria është në këto nivele kaq të ulëta. Askush nuk di të thotë se çfarë po bëhet për të minimizuar, vënë nën kontroll apo neutralizuar kriminelët e mirëfilltë apo ata që përfshihen në krim për shkak të nivelit mjaft të ulët ekonomik.  Sot, asnjëri prej nesh nuk mund të lëvizë, ditën apo natën, i qetë dhe pa frikën se dikush do i presë rrugën në mes. Duhet të hiqen nga duart bizhuteritë apo duhet të merren me vete armë të ftohta apo zjarri, për vetëmbrojtje.  Askush prej nesh nuk mund të lëvizë i qetë, nga një rajon në tjetrin, askush nuk mund të shkojë në komisariate për të bërë një kallëzim,  për vjedhje, grabitje me dhunë apo armë,  apo për një konflikt qoftë krejt banal. Po, çfarë ndodh me ata punonjës të ndershëm të dikasterit blu?!  Një ditë, teksa po udhëtoja në rrugën Kalimash-Morinë,  tre punonjës policie më ndalën në rrugë: “A mund të na marrësh deri në Kalimash”, më pyetën me gjysmë zëri. Si mund të lihen punonjësit e policisë në mëshirë të fatit, edhe për të shkuar në punën e tyre të përditshme?? A është serioze dhe normale që punonjësit e policisë të kryejnë detyrën, duke shpresuar që një automjet i  rastit t’i transportojë  në vendin ku duhet të patrullojnë?! Po punonjësit e Policisë Rrugore, që nuk kanë as uniformën e duhur, që përfaqëson shtetin. Se për mjete pune,vështirë të thuhet gjë. Siç më tha, një prej tyre një ditë: “E shikon këtë kapele, e kam prej katër vitesh. Dielli e ka zbardhur, unë nuk mundem që ta vendos gjatë shërbimit. Për të evituar imazhin negativ që përcjell tek qytetarët jam detyruar që ta blej një uniformë me lekët e mia”. Nuk po flas për lekët e orëve shtesë, apo ato të turneve të zgjatura, për të cilat, shteti nuk është kujtuar prej vitesh që t’ua japë policëve që me shërbime të ndryshme mundohen të ruajnë atë pak rend publik, që i ka shpëtuar “terrorit” të kriminelëve. Ndoshta do na duhet gjatë që të flasim për të ashtuquajturën “polici”, por  unë po mundohem të sjell tek ju disa detaje të punës së përditshme të punonjësve të ndershëm të policisë shqiptare. Se për ata që punën e kanë gjetur, falë 30 votave të  mbledhura nëpër  fushata elektorale, pa arsimin dhe kulturën e duhur,  as që mund të pritet profesionalizëm. Këta të fundit, e kanë kthyer dikasterin blu në një strofkë ku grumbullohen militantë e ku asnjë problem i  qytetarëve nuk merr dot rrugën e zgjidhjes. Grabiten njerëzit, femra e meshkuj, në mes të qytetit, e askush nuk gjen autorët. Grabiten fëmijët, si rasti i Bleona Matës, e askush nuk di të thotë se ku është ajo sot. Vritet, në 500 metër  vijë ajrore nga komisariati i policisë ish-kryekomunari Remzi Veseli, e askush nuk thotë se kush qëlloi dhe pse. Duke shkuar pak më larg, vritet në oborrin e shtëpisë ish-deputeti Fatmir Xhindi. Kush e qëlloi, pse, ku janë fajtorët, çfarë bën policia e drejtësia? Këto pikëpyetje presin përgjigje. Përgjigje jo vetëm nga familjarët  e prekur nga këto fatkeqësi por edhe nga opinion publik. Shpesh herë, si deputet i qarkut të Kukësit kam ngritur zërin për këto çështje, por qeveria e shurdhët, apo e shtirur si e tillë, nuk ka dhënë përgjigje. Togfjalëshi që është përsëritur e ripërsëritur, nga ministrat e Brendshëm është se: “Po punohet për zbardhjen”.  Këto gjëra, miqtë e mi, po ndodhin vetëm në Shqipërinë tonë të dashur. Ne në programin tonë ‘Për një Rilindje shqiptare” synojmë që të krijojmë një ndjeshmëri më të madhe ndaj pasigurisë së qytetarëve. Kjo histori, që ngjan më së shumti me vitet e para të demokracisë së brishtë të Shqipërisë, duhet të përfundojë.  Për ne siguria i duhet ofruar të gjithëve, pasi është një e mirë publike.  Ne do luftojmë pa kompromis krimin e organizuar duke i dhënë forcave të sigurisë pavarësinë ndaj politikës. Kjo do çojë në kthimin e policisë tek profesionistët e jo tek militantizmi. Forcës së sigurisë do i japim mbështetje financiare, logjistike dhe rivlerësim të kapitalit njerëzor. Afrimi i policisë me qytetarin do jetë një tjetër sfidë, përmes së cilës, synojmë që të ulim nivelin e pasigurisë, numrin e krimeve e të kundërvajtjeve që dëmtojnë qytetarin, shoqërinë e territorin. Për ne, pas fitores së zgjedhjeve të 23  qershorit, Policia e Shtetit Shqiptar do të kryejë shërbime të ndryshme sigurie dhe do të ketë fuqi të reja ligjore për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë qytetarët e thjeshtë shqiptarë. Ndaj,  më 23 qershor  ju ftoj që të votoni për ndryshimin e madh. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›