E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shqiptarët, popull konservator”, Nikola Kedhi: Thjesht nuk e dinë që janë

Nikola Kedhi nga Instituti Konservator Shqiptar thotë se shqiptarët janë një popull tërësisht konservator, thjesht nuk e dinë që janë konservatorë.

Në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon në RTSH, teksa po fliste për të djathtën në vendin tonë, ai u shpreh se konservatorizmi është “një bashkim ndjenjash të njeriut”.

“Shqiptarët janë një popull tërësisht konservator. Thjesht nuk e dinë që janë konservatorë. Kjo duket përgjatë shekujve nga mënyra e funksionimit. E djathta, konservatorizmi nuk është ideologji; është një bashkim ndjenjash të njeriut. Çdo individ lind në një kontekst social të caktuar. Konservatori është ai që do t’i ruajë ndjenjat…

Ne jemi konservatorë se besojmë në disa gjëra: ulja e taksave, çlirimi i individit, rritja e prodhimit, ruajtja e traditës, kulturës dhe historisë i çojnë kombet përpara. Nëse ne do të besonim tek rritja e taksave, tek shteti i madh dhe jo individi, ne do të ishim të majtë. Ndaj është shumë e qartë. Në katër vitet e fundit ka një ndërgjegjësim për këtë gjë.”

Konservatorizmi në Shqipëri, debate mes Zefit dhe Kedhit

Publicisti Nesti Zefi, në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon e ka kundërshtuar Nikola Kedhin për deklaratën se të gjithë shqiptarët janë konservatorë.

“Konservator është dhe Edi Rama. Konservator do të thotë të ruash. Edhe Haxhi Qamili ishte konservator se donte të ruante tokën e babës. Këto diskutime nuk të çojnë askund. E djathta dhe e marta nuk janë koncepte të importuara dhe skaduara. E djathta shqiptare ka legjitimuar të majtën. I vetmi njeri që e ka bërë të djathtën dhe të majtën që të jenë rastësisht në pushtet ka qenë Sali Berisha. Sali Berisha është plakur tashmë, e ka kryer trashëgiminë e vet,” tha Zefi. 

Sipas Kedhit, politikat për të cilat ai flet i çojnë vendet drejt prosperitetit.

“Nuk duhet të bëjmë një bisedë duke nxjerrë mllefet që kemi me individ të caktuar të politikës shqiptare. Ato që përmenda unë janë politika konkrete që çojnë vendet drejt prosperitetit,” tha Kedhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›