Universi i botës së Rexhina Nanos në një libër …
Libri: Të jetosh kohën
Autore: Rexhina Nano
Gjinia: Biografi
Shtëpia Botuese: Toena
Rasti e solli që librin “Të jetosh kohën” ta lexoj në Paris. Fillimisht këtë e bëra me idenë për të mbushur boshllëkun mes seancave të kimioterapisë në spitalin Bichat …Por ky mendim u fashit porsa nisa të lexoj faqet e para të librit, ku autorja fliste për shtëpinë e thjeshtë tiranase, ku lindi në një ditë të bukur marsi, kaloi fëmijërinë e adoleshencën e saj, në atë shtëpi të ulët, ndërtuar me gurë e qerpiç, me një verandë të vogël, në një të ndarë në podrum, ku mblidhej familja dhe fliste për të rejat që sillte dita… Këto episode, me një narracion dinamik, me një frazë të shkathët të tipit heminguejan, me figura emocionuese e me përshkrime deri në detaje të mjediseve, ravijëzimin e profileve njerëzore, me të cilët përplasej çdo ditë, i sjell me mjeshtri në faqet e këtij libri voluminoz Rexhina Nano. Libri lexohet me një frymë dhe nuk ka si synim thjesht të përshkruajë jetën e familjes së liderit të opozitës, peripecitë e tij të shumta pas burgosjes në burgun 313 të kryeqytetit e më pas në atë të sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës, e sërish në atë të metropolit shqiptar. Autorja sjell në kohezionin e vet ngjarjet më kulmore që rrodhën pas viteve ‘90, nisur që nga “furtuna” e dhjetorit të studentëve, formimin e PD-së, moment që do të sillte dhe pluralizmin në Shqipëri, profilet e spikatura të së djathtës, ku ajo veçon atë të Azem Hajdarit , Preç Zogajt, Pashkos e të tjerë …Më tej ajo sjell ankthin që përjetoi kur i prangosen të shoqin në zyrën e prokurorit të Tiranës, punën sizifiane të saj për të realizuar, si ndërlidhësja e vetme, komunikimin e kreut të PS-së nga burgu me kryesine e selisë rozë… Libri, ndonëse nuk është ndarë në kapituj të veçantë, sipas meje do të mbahej në tri “shtylla” boshtore: në atë të fëmijërisë e rinisë dhe krijimin e familjes së re me Fatos Nanon, që për autoren është dashuria e parë dhe e përjetshme, duke shkuar më tej me burgosjen e ngjarjet e mëdha politike që pasuan këtë moment tejet të vështirë për të, si dhe kohën kur i shoqi drejtoi qeverinë në afër një dekadë. Natyrisht që nuk mund të anashkalohet lehtë dhe momenti i divorcit të saj nga i shoqi, që shprehet vetëm në Epilogun e librit, i cili, ndonëse i shkurtër, përmbledh saktë vijueshmërinë e vlerësimeve të përgjithshme të autores, të pandryshueshme nga ajo që jepet në rrëfimin prej më shumë se 450 faqe… Rexhina Nano, tek lexon këtë libër, ku secili mund të gjejë dhe pjesë të jetës së tij, në vorbullën e madhe të ngjarjeve që lëvizin në faqet e tij, shfaqet jo vetëm një bashkëshorte e denjë, një nënë e dhembshur dhe e vëmendshme, por njëkohësisht është dhe një këshilltare perfekte e të shoqit në punët e partisë e sidomos në ato qeverisëse, falë kjo dhe përvojës që ka na punët e administratës shtetërore… Rexhina Nano është realiste dhe e paanshme tek bën spektrin e ngjarjeve të kohës, tek zbërthen tipat dhe karakteret njerëzore me të cilët përballet ajo dhe i shoqi, duke i evidentuar këtij të fundit se cilët mbeten shokë besnikë, cilët i ka kundër e cilët vuajnë nga deliri për pushtet dhe nuk pushojnë t’i përkëdhelin sedrën e tij fodulle. Edhe kur i ndodhin drama të forta, siç ishte burgosja e të shoqit, apo lajmi rrëqethës i doktorit “X” se e bija ishte përdoruese droge, atë nuk e kaplon e keqja, apo dështimi për t’u futur në rrugë pa krye. Ajo vlerëson shpejt situatën e krijuar dhe merr masa për menaxhimin efektiv të saj… Të gjitha këto e të tjera vlera që sjell rrëfimi i sinqertë i saj, e bëjnë librin “Të jetosh kohën” dhe një model për ata që shkruajnë libra të këtij zhanri.
Garip Troci (Paris)