Punimet në qendër, devijimi i ri lëvizjes
Dy javë pasi Bashkia e Tiranës lajmëroi devijimin e trafikut rrotull qendrës së qytetit, për të mundësuar vijimin e fazës së dytë të punimeve për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, nga Drejtoria e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës bëhet e ditur se janë duke u intensifikuar punimet për infrastrukturën nëntokësore në Rrugën e Dibrës, konkretisht në segmentin që kalon midis hotel “Tiranës” dhe Pallatit të Kulturës. Me të përfunduar këto punime, ky aks do të hapet për lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë lëvizja do të devijohet në krahun jugor të sheshit, ku mjetet nuk do të kalojnë më përpara Pallatit të Kulturës, por do të lëvizin pas Bashkisë dhe do të futen në rrugën “Abdi Toptani” për të dalë në Unazën e Vogël. Sipas drejtuesve të Bashkisë, i gjithë ky plan masash është studiuar me imtësi, për të bërë të mundur një qarkullim rrugor sa më të lirshëm për automjetet. Plani duket se e ka kaluar provën e tij të parë me devijimin e trafikut që kalonte përpara hotel “Dajtit” dhe tani pritet të fillojë zbatimi i skemës së re edhe në pjesën tjetër të tij. Aktualisht automjetet që vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të kaluar në sheshin “Skënderbej” devijohen majtas dhe djathtas në bulevardet “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri”, përgjatë lumit të Lanës. Më tej ato futen në Unazën e Vogël, që kalon në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, përballë sallës së Kuvendit të Shqipërisë dhe vazhdojnë më tej në Rrugën e Barrikadave. Të vetmet mjete që vazhdojnë të kalojnë në itinerarin e mëparshëm janë autobusët e transportit publik si dhe shërbimet e emergjencave, si ambulanca, zjarrfikëset apo makinat e policisë. Për këto të fundit është parashikuar që të ruhet një korridor kalimi përmes sheshit edhe në momentin e mbylljes së aksit, që kalon në krah të Bashkisë së Tiranës dhe xhamisë së Ethem Beut.