Shtanga shqiptare kerkon ulje denimi per Kasajn

- "Do të kërkojmë zyrtarisht nga Federata Botërorë e Peshëngritjes uljen e dënimit për Fetije Kasajn". Ky është përfundimi i mbledhjes urgjente të Kryesisë së FSHP-së, së drejtuar nga vetë presidenti Esat Ademi. Edhe një tjetër rreze shprese për peshëngritësen Fetie Kasaj për të zbardhur të vërtetën dhe mbrojtur nderin e saj si sportiste, të përdhosur ditët e fundit pas rezultimit pozitiv për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, ku ndaj sportistes shqiptare u kërkua dy vjet pezullim nga të gjitha aktivitet sportive. Ky është vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes pas raportit të kontrollit antidoping të peshëngritës më të njohur shqiptare, Fetie Kasaj
"Nëse Fetija do të vendosë të bëjë analazimin e testit të mostrës "B" në laboratorin e Këlnit(brenda 19 majit), atëherë Federata Shqiptare është e gatshme të ndajë përgjysmë shpenizmet e aplikimit me peshëngritësen", tha dje për gazetën "Albania", sekretari i përgjithshëm i FSHP-së, Ilir Kraja.
Sipas ekzekutivit të shtangës, shuma në fakt nuk është e madhe. "Aplikimi shkon në 800 dollarë amerikanë, të cilat do të ndahen 50% me 50%, ndërsa shpenzimet e udhëtimit e qëndrimit, të cilat janë plotësisht në ngarkim të Kasaj mund të shkojnë deri në 1000 dollarë".
Numri 2 i peshëngritjes shton se paratë nuk përbënin problemin kryesor të federatës, apo vetë peshëngritëses së talentuar, kampione e botës për të reja (Kore, 2005): "Problemi është se kampioni "B" është e njëjta urinë si ajo që ndodhej në epruvetën e parë "A", dhe rezultati do të jetë sërish i njëjti".
Nënkampionia e Europës në Kampionatin e fundit Europian (Strasburg, prill 2007) e cila rezultoi si përdoruese e stanazololit, ka edhe mundësinë (brenda 4 qershorit) të zhvillojë edhe një seancë dëgjimore pranë Kontrollit Antidoping në Federatën Botërore të Peshëngritjes, ku mund të paraqiten arsyet e marrjes së substancës.
"Fetija mund të marrë edhe një avokat, por dhe në këtë rast shpenzimet mbulohen vetëm nga ajo. E rëndësishme është fakti se federata jonë do t'i bëjë një kërkesë Federatës Botërore të Peshëngritjes për të dëgjuar pëshengritësen tonë. "Unë do t'i këshilloja Fetijen dhe trajnerin Kalleshin, që të argumentojnë me shkrim se kjo gjë ka ndodhur pa e ditur ata, se në Shqipëri nuk ka laboratore të specializuara, ndaj edhe mund të jetë bërë ndonjë gabim. Në këtë mënyrë shpresojmë të sigurohet ndonjë ulje para Olimpiadës "Pekin 2008", - thotë sekretari Kraja, që shtoi se Kasaj (nënkampione e Mesdheut, 2005) dhe trajneri i saj, Kalleshi ishin të pranishëm në mbledhje, por ata dëshironin t'ia hidhnin fajin tjetër kujt. "Sasia e stanazolit që ajo kishte marrë ishte disafish me e madhe se ajo normale dhe si Kasaj dhe Kalleshi i njohin këto pasi nuk janë të rinj në peshëngritje, për më tepër që edhe ata e kanë listën e substancave të ndaluara. Sipas marrëveshjes që ka nënshkruar FSHP-ja me Federatës Botërore të Peshëngritjes, në rast se një sportist refuzon pjesëmarrjen pa arsye të qenësishme, të dërguar prej Kontrollit Antidoping mund të vinë edhe në shtëpi të të kontrollojnë dhe nëse rezulton pozitiv edhe pse nuk je në garë dënohesh", përfundoi për "Albania"-n, sekretari Kraja. Nga pesë sportistët shqiptarë që kryen analizat antidoping Fetie Kasaj, Romela Begaj, Erkand Qerimaj, Endri Haxhihyseni dhe Isa Bala, vetëm Kasaj rezultoi pozitive. Përgjigjia e laboratori i Këlnit në Gjermani nuk mund të vihet aspak në dyshim. Nga ky laborator erdhi dhe raporti që ndëshkoi përjetësisht peshëngritësin shqiptar Ilir Tafarami".