Shtatë çifte thyen rekordin e Guinnessit për puthje
Shtatë çifte në Tajlandë thyen rekordin e Guinnessit për puthjen më të gjatë. Me rastin e Shën Valentinit është organizuar edhe një garë e cila kishte për qëllim të thyente rekordin e deritashëm, të cilin e mbanin Kristina Reinhart dhe Nikola Matovic nga Gjermania. Ata të dy u puthen pa ndërprerë rrafsh 32 orë, 7 minuta e 14 sekonda.
Organizatorët e garës në Tajlandë janë të kënaqur që është thyer rekordi dhe në momentin kur ky rekord u thye është organizuar një ceremoni, por kjo nuk i pengoi aspak çifteve që të vazhdojnë me puthjet.
“Gara po vazhdon ende, sepse vetëm njëri prej çifteve mund ta marrë titullin si çifti që është puthur më gjatë. Nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo, por mendohet se fituesit do të vazhdojnë të puthen edhe për 12 orët e ardhshme”, tha organizatori i kësaj gare.
Në garën për thyerjen e këtij rekordi u futën 14 çifte nga të gjitha rajonet e Tajlandës, por ndërkohë gjysma e çifteve hoqi dorë nga gara. Rregullat e Guinnessit për ta thyer këtë rekord janë shumë të rrepta. Çiftet duhet që gjatë tërë kohës t’i puthitin buzët për njëri-tjetrin, bile edhe kur hanë dhe pinë, ose kur shkojnë në WC.
Çifti i cili arrin që më së gjati të puthet, do ta fitojë një unazë diamanti dhe një shpërblim me një shumë të caktuar parash.