Shtatë kallëzime penale për inceneratorët, PD kërkon informacion në SPAK

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, i është drejtuar me një letër SPAK-ut, në lidhje me ecurinë e deritanishme të hetimeve të kryera për incenetarorët.
Tabaku ka vënë në dukje se pas përfundimit të komisionit hetimor, demokratët dërguan 7 kallëzime penale ndaj: Erion Veliaj, Emiriana Sako, Alqi Bllako, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ëngjëll Agaçi dhe Armando Subashi.
“Partia Demokratike shkroi një raport 120 faqe që për fatin e keq nuk u votua në Kuvend por që gjithsesi u dërgua në SPAK përmes një padie 90 faqe ku përfshihehin 112 prova që tregojnë se si 50 të akuzuar përfshirë Edi Ramën në krye kanë punuar për të abuzuar me paratë e shqiptarëve.
Kërkesa që i kemi dërguar SPAK është as më shumë e as më pak se sa vazhdimi i zotimit për t’i shkuar deri në fund kësaj afere. Do të vazhdojmë të këmbëngulim deri në daljen përpara drejtësisë për Aferën e Shekullit. Edhe në këtë kohë krize dhe inflacioni të lartë taksat e shqiptarëve paguajnë edhe më shtrenjtë inceneratorin e Tiranës.”-thuhet në njoftimin e PD-së.
/rtsh.al/