E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sulmi me eksploziv në biznesin e Xhemal Bushatit në Shkodër, PD: Kush mendon se mund të sulmojë demokratët i ka bërë llogaritë gabim!

PD e opozitës i ka dhënë ngjyrime politike sulmit me lëndë eksplozive që ju bë gjatë natës biznesit të ish kandidati demokrat për bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati. “Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati” bëhet e ditur në një deklaratë të saj.

Deklarata shënon se “Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin”.

“Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës.

Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!” përfundon deklarata. 

Xhemal Bushati ishte kandidat i PD, grupimi që mbështeste ish kryetarin Lulzim Basha për bashkinë e Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›