Shtatë qytetarë betohen për shtetësinë shqiptare, mes tyre edhe kampionia e Kubës në hedhjen e çekiçit, Veliaj: Tirana si qytet i mundësive, po jeton ditët e saj më të mira

Shtatë qytetarë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe kampionia olimpike e Kubës në hedhjen e çekiçit, u betuan për shtetësinë shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Jam krenar se si Tirana po kthehet gjithmonë e më shumë një vend i mundësive, për ata që e shohin këtu jetën e tyre, karrierën dhe të ardhmen e tyre. Sot betohen për shtetësinë shqiptare njerëz që vijnë nga Kolumbia e Kuba, e deri te Europa e Azia, të cilët bëhen pjesë e skuadrës “Team Albania”. Ky është ndoshta momenti ynë më i mirë, momenti më i mirë i kësaj skuadre. Sot Tirana është në ditët e saj më të mira”, tha Veliaj.
Veliaj u shpreh një pjesë e madhe e atyre që betohen sot janë sportistë elitarë, pjesë e një fryme të re që ka ardhur në sportin shqiptar.
“Aty ku njerëzit punojnë si skuadër dhe i thonë njëri tjetrit: “Bravo, ec përpara”, aty ka sukses. Aty ku secili merret me punët e tjetrit dhe pengon tjetrin në vend që ta shtyjë, aty humbasim kohë të çmuar. Këto ditë jemi duke folur për reformën e pensioneve dhe se si në shumë shtete ka lindur nevoja që, pasi bëhesh shtetas, të transferosh vitet e punës në vendin ku ke jetuar me vitet e punës që do kesh në Shqipëri. Jemi në këtë kontekst, të një reforme të madhe të pensioneve, por edhe të një hapje të madhe të sportit”, tha ai.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur sportistët shqiptarë shkonin për të përfaqësuar shtetet e huaja, sot shumë sportistë nga vende të tjera të botës vijnë për të triumfuar për Shqipërinë. /vizionplus.tv