Shtatezene ne Lojrat Olimpike

Kjo botë ka kaq shumë ndodhi apo veprime që e mahnisin njeriun dhe padyshim një prej tyre është vendimi i një gruaje malajziane që të marrë pjesë në Lojrat Olimpike duke qenë shtatzanë, madje në fazë të përparuar.
Kjo është një qitëse me emrin Nur Surjani Mohamed Taibi, një sportiste shumë e njohur dhe e suksesshme e vendit të saj, që ka arritur të fitojë disa herë medalje në garat ndërkombëtare.
“Për momentin unë nuk kam presion, nuk kam stress, por po e kërkoj një gjë të tillë, pasi duhet të mësohem. Në Olimpiadë do të ketë presion”, u shpreh Surjani.
Ajo siguroi normat e pjesëmarrjes për në Londër 2012 në janar të këtij viti, vetëm pak kohë pasi mësoi se ishte shtatzanë dhe, pasi u këshillua me të shoqin dhe me një mjek, vendosi të provonte sfidën.
“Fola me doktorin për udhëtimin dhe mënyrën sesi e kam përjetuar më parë dhe ai më tha se duhet të fle gjatë gjithë 13 orëve të udhëtimit. Kjo, sepse nuk duhet të lodhem dhe stresohem në udhëtim. U mërzita që do të marr pjesë vetëm në një garë, por kjo është punë e Zotit. E pranoj që të sakrifikoj diçka për të arritur diçka tjetër”, sqaroi Surjani.
Surjani fitoi medalje bronzi në Lojrat Aziatike në 2010 dhe medalje ari në Lojrat e Komonuelthit pak më herët. Ajo do të marrë pjesë në garën e 10 metrave në fund të muajit korrik, ndërsa në gusht besohet se do të dalë në jetë vajza e saj, Dajana Uidjan.