E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtatori mban ritmin e verës, një grup turistësh nga Zvicra vizitojnë Kukësin

Fluksi i turistëve të huaj që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë verës në vendin tonë, duket se po vazhdon edhe në fillim të vjeshtës.

Një grup prej shtatë personash nga Zvicra, kolegë në të njëjtin institucion, kanë zgjedhur të vizitojnë Kukësin dhe zonat përreth tij.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, më pëlqen natyra, ushqimi dhe mikpritja. Nuk e mendoja se do të ndihesha kaq komode në Kukës, pasi kisha lexuar vetëm disa artikuj të rastësishëm dhe nuk kisha pasur ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarë. Këtu çdo gjë është e bukur, pamja e liqenit është befasuese, ndaj vendosëm të pinim kafen duke parë këtë peizazh”, tha turistja.

Të njëjtin mendim ka dhe Paul, duke thënë që ky është një vend mahnitës.

“Disa miq e kishin vizituar më parë Kukësin dhe më kishin folur për bukuritë e liqenit, por nuk e kisha menduar që do të përshtatesha kaq shpejt”, shprehet ai.

Vitet e fundit është vënë re një rritje e dukshme e numrit të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, duke eksploruar atraksione të ndryshme natyrore e kulturore. Shumë prej tyre kthehen për të dytën apo të tretën herë, të tërhequr nga bukuritë natyrore, ushqimi tradicional dhe ngrohtësia e njerëzve.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›