E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatzënia ime aktive, me punë, pushime e taka

TIRANE-Faktin që është tej mase e lumtur, s’është e vështirë ta kuptosh as përmes telefonit... Zëri i ka marrë një tjetër nuancë dhe gjatë bisedës me të, mbizotërojnë të qeshurat. Rezarta Skifteri, stilistja e njohur shqiptare rrëfen në këtë intervistë për “Summer Pages” përjetimet e shtatzënisë së saj të dytë, që siç pranon edhe vetë, ndryshon katërcipërisht nga e para. Eksperienca me vajzën, i dha siguri për t’i shijuar siç duhet 9 muajt e pritjes së djalit... Shkon në punë, krijon, del për jetë nate, shkon në kinema, vesh taka, del në det. Bën gjithçka ka bërë më parë. Ndryshimi i vetëm këtë herë, është djali, që derisa të lindë do ta shoqërojë kudo mamin e vet. Edhe pak ditë e ndajnë në fakt nga dita e madhe, kur ajo dhe bashkëshorti do të bëhen prindër të një djali, e kur Sara do ta shohë më në fund vëllain, për të cilin pyet çdo ditë: “Kur do të vijë?”...

Rezi, si po kalojnë këto ditë të fundit të shtatzënisë?
Shkëlqyeshëm! Më mirë nga ç’e kisha menduar. Kam dalë kundër të gjithëve dhe këto ditë të fundit të shtatzënisë, po i kaloj mes punës dhe pushimeve. Aktualisht jam në shtëpinë e pushimit që kemi në plazh, bashkë me bashkëshortin dhe vajzën. Po i shijoj në maksimum, si paraditet, ashtu edhe pasditet në det...
Nuk e ke ndërprerë punën për asnjë moment?
Jo, sepse jam më energjike se kurrë. Madje deri në muajin e shtatë kam bërë udhëtime edhe jashtë vendit. Ndoshta edhe ngaqë nuk kam shtuar thuajse fare në peshë... Edhe mjekët që po ndjekin shtatzëninë time, Orion Glozheni dhe Ervin Kallpa, nuk më kanë ndaluar ta bëj këtë... Këshillat e mjekëve janë shumë të rëndësishme për gratë shtatzëna, ndaj i falenderoj shumë që kanë qenë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që kam pasur.
Kjo do të thotë që pas lindjes së djalit s’do të ketë dieta?
Nuk do të ketë absolutisht. Jam vetëm 8 kile mbi peshën që kisha përpara shtatzënisë dhe më bëjnë të gjitha rrobat, kështu që s’do të jetë e nevojshme. Nuk kam shtuar thuajse fare; me përjashtim të barkut që tashmë është bërë i dukshëm, asgjë nuk ka ndryshuar në konstrukt. Madje këtë herë, falë peshës dhe veshjeve, arrita t’ju gënjeja edhe juve, gazetarët. Deri vonë keni menduar që unë isha në muajin e tretë ose të katërt, ndërkohë që unë isha as më pak e as më shumë se në muajin e gjashtë (qesh). U desh të dilja unë, që ju ta mësonit të vërtetën.
Qëndrojmë pak tek veshjet, ke menduar ndonjëherë të krijosh një koleksion për gratë shtatzëna?
Jo vetëm e kam menduar, por edhe e kam bërë. Ka vite që e bëj këtë, e bëra edhe këtë herë, ku për modele kryesore kisha veten. Kam krijuar gjithçka konform tendencave të fundit, sepse femra, megjithëse shtatzënë, ka nevojë të ndihet femër. Shpeshherë zgjedhjet e grave shtatzëna kushtëzohen shumë nga konfeksionet, që jo gjithmonë i përshtaten stilit të tyre. Kam krijuar veshje të mrekullueshme, mbi të gjitha të rehatshme, për shumë gra shtatzëna. Kur kisha gra shtatzëna në atelie, kujdesesha shumë për to, nuk doja që t’u mungonte asgjë, aq sa ndonjëherë edhe harroja që isha vetë shtatzënë (qesh).
Të ka sjellë frymëzim shtatzënia?
Po, jam me të vërtetë shumë e frymëzuar dhe e motivuar për të krijuar veshje të bukura. Edhe tani që jam me pushime, kam skicuar në mendje disa veshje mjaft interesante për sezonin e ri.
Çfarë do t’u sugjeroje ti si stiliste grave shtatzëna?
Për muajt e parë (deri nga muaji i pestë) do t’u sugjeroja të visheshin me rroba të gjera, sepse kjo gjë mundëson fshehjen e barkut dhe të ndonjë ndryshimi që mund të pësojë trupi. Veshjet e gjera, të kombinuara me ‘legins’ (tip streçesh), janë një zgjedhje shumë feminile për të gjitha gratë shtatzëna dhe mund të kombinohen me gjithçka. Pastaj në muajin e gjashtë, do të sugjeroja veshje më të ngushta, pas trupit, por kujdes, materiali është mirë të jetë pambuk. Nuk është thënë të ndryshoni stilin pse jeni shtatzënë, mund të ruani të njëjtin stil veshjeje, me disa hile të vogla...
Ndërkohë Sara si po e pret vëllain?
Është shumë e lumtur dhe mezi po pret. Çdo ditë më pyet: “Mami, edhe sa ditë do që të vijë vëllai?” (qesh).
Keni menduar për emrin e djalit?
E kemi zgjedhur tashmë, por do ta mbajmë surprizë derisa të lindë. Unë dhe bashkëshorti im, duam që siç ndodhi dhe me Sarën, të jemi ne të parët që ta thërrasim në emër djalin.

Po dhoma, rrobat, a janë gati?
Në fakt Sara është ajo që do të ketë tani dhomën e saj - më të madhe sesa të mamit dhe të babit - me stilin e princeshave, një ndërthurje mes rozës antike dhe jeshiles. Djali, derisa të rritet pak do të flejë në dhomën tonë, sepse ka nevojë për më shumë përkujdesje. Ia kemi blerë pothuajse të gjitha tashmë. Ime motër nga Danimarka më çon çdo ditë foto të rrobave që ka blerë për djalin (qesh)... Po marr kaq shumë dhurata këto ditë, edhe nga mikeshat e mia, saqë i kam vënë fre vetes për të bërë shopping.
Ndërkohë, sa e ke ndjerë vëmendjen e njerëzve gjatë këtyre muajve të shtatzënisë?
Shumë, ka pasur raste që ma kujtonin njerëzit që jam shtatzënë. Tani në plazh sidomos, të gjithë më rrinë para-mbrapa, edhe njerëz që s’i njoh. Çdo ditë kthehem në shtëpi me një qese me fruta, megjithëse unë nuk jam shumë nepsqare.
Si ka mundësi?
Nuk e di, po edhe në shtatzëninë e parë nuk jam karakterizuar nga nepsi.
Çfarë ka ndryshuar këtë herë nga shtatzënia e parë?
Thuajse gjithçka... Kur isha shtatzënë me Sarën, kisha frikë për gjithçka. Nuk ecja shumë, nuk dilja në plazh, frikësohesha kur vajza lëvizte... Ndërsa këtë herë jam shumë e sigurt. E kam shijuar shtatzëninë në 360 gradë. Rritja e barkut, shëtitjet e gjata, puna, orët e kaluara në plazh, lëvizjet e të voglit, çdo gjë ka qenë magjike. Nuk e kam kushtëzuar veten nga asgjë, kam dalë për jetë nate, për dreka, darka, kam shkuar në kinema, kam veshur taka, kam punuar shumë, kam bërë gjithçka (qesh).
Në punë do të kthehesh menjëherë pas lindjes, apo do të bësh disa kohë pushim?
Siç e thashë në fillim, i kam thyer ca rregulla... Prej vitesh unë dhe familja ime, muajin gusht e bëjmë pushim absolut. Por këtë verë nuk ka ndodhur kështu. Kam punuar 10 ditët e para të gushtit dhe besoj se do të punoj edhe 2-3 ditë kur të kthehem. Për pasojë pushimet absolute janë shtyrë për më vonë, shtator-tetor, muajt e parë pas lindjes së djalit. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, besoj se do të kthehem në punë shpejt. Dëshira dhe pasioni për të pu-nuar nuk më mungojnë...

(SummerPages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›