Vjedh hekurishte në ish-metalurgjik, pranga një 19-vjeçari
Një 19-vjeçar nga Rrethi i Elbasanit është ndaluar nga policia, pasi ka vjedhur hekurishte në ish-kombinatin metalurgjik. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë së Elbasanit është bërë e mundur kapja e 19-vjeçarit Alen Kurani, banues në fshatin Katundi i Ri, Elbasan. Sipas burimit në fjalë mësohet se i riu kishte shkarkuar në fshatin Bradashesh, me mjetin e tij tip “Dum-dum”, me targa EL9927B, një sasi të konsiderueshme hekuri për t'i shitur si skrap. Gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 800 kg hekur, që rezultoi se e kishte vjedhur në ambientet e ish-kombinatit metalurgjik të Elbasanit. Ndërkohë mësohet se nga deponimet e të riut, ai e kishte kryer këtë veprim për të mbajtur familjen. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.
#