Shtëpia Botuese “55” sjell në Shqipëri romancën e Mark Obamës, botimin-risi të 2011-s
Prezantimi mbresëlënës nga Shtëpia Botuese “55” i romanit gjysmë-autobiografik të vëllait të presidentit Obama “Nga Nairobi në Shenzen – një histori dashurie në Lindjen e Largët” është shndërruar mbrëmë në një manifestim të shkëmbimeve kulturore e të qytetërimeve që kanë në qendër vlerën e familjes
“Jam i lumtur që libri im është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe që ndodhem në Shqipëri”. Kështu u shpreh dje gjatë promovimit të librit best-seller “Nga Nairobi në Shenzen – një histori dashurie në Lindjen e Largët”, Mark Okoth Obama, vëllai i presidentit të SHBA-së Barak Obama. Shkrimtari keniano-amerikan ndodhej në Tiranë i ftuar nga Shtëpia Botuese “55”, e cila ka sjellë në shqip romanin e tij. Libri është përkthyer nga Blendi Lami dhe është një himn për dashurinë në Lindjen e Largët. Në promovimin e librit morën pjesë personalitete të njohura të jetës kulturore, intelektuale dhe politike. I pranishëm ishte edhe kryeministri Sali Berisha. “Ky roman nuk është vetëm rrugëtimi i një njeriu drejt identitetit të tij, por edhe rrugëtimi i një shteti, i një epoke të tërë në kërkim të vetvetes. Është lufta shekullore e një race për t’u pranuar nga tjetra. Është një himn për Afrikën, për njerëzit e këtij vendi, për të gjithë ata që kanë vuajtur ndër vite për shkak të ngjyrës”, tha në çelje të ceremonisë, botuesi Fahri Balliu. Sipas tij “Libri përcjell një mesazh të vërtetë, siç është ëndrra e popujve për një komunikim të barabartë, suksesin që mund të vijë nga kontributi i disa popujve për njerëzimin”.
Romani “Nga Nairobi në Shenzen” ka shkaktuar kohët e fundit debate në të gjithë botën . Këto debate janë përqendruar kryesisht mbi temën e dhunës në familje. “Ky është një subjekt që shpeshherë është lënë në harresë. Njerëzit nuk gjejnë guximin të flasin rreth tij. Sidoqoftë, që kur është botuar libri, unë kam vërejtur një ngjallje të interesit në të gjithë botën dhe shumë persona më kanë kontaktuar e më kanë shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre për këtë subjekt”, thotë Mark Obama në parathënien e këtij libri. Sipas tij, “ky roman është një vepër artistike, e cila lidhet ngushtë me jetën time, siç përshkruhet me hollësi edhe në kujtimet e mia që do të botohen së shpejti. Rëndësinë për të ndihmuar të tjerët me qëllim që të përmbush identitetin tim personal, e kam kuptuar gradualisht, gjë që u kthjellua qartazi dhe u kristalizua me shpërnguljen time në Kinë”. “Megjithëse, sipas meje, ndihma që u ofrohet fëmijëve për të mësuar pianon disa orë në muaj duket tepër normale dhe nuk përbën diçka për t’u shkruar, unë kuptova gjithashtu se vëmendja e veçantë që i është kushtuar librit, do të nxisë dhe frymëzojë edhe të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Më vjen në mend krenaria që ndjeva kur një nga nxënësit e mi, tashmë në universitet, më takoi një fundjavë dhe më tha: “Mark, po mësoj falas disa fëmijë çdo të diel”. Veprimet - në dukje të parëndësishme, që ndihmojnë të tjerët, mund të përhapen në mënyra të paparashikuara”, thotë shkrimtari në libër.
Mark lindi në Kenia nga martesa e tretë e Barack Obamës (i vjetri) me Ruth Nidesand, bija e një emigranti hebreo-lituane. Çifti u divorcua dhe ai u shpërngul në SHBA, ku edhe u shkollua. Ashtu si edhe libri bestseller i të vëllait, “Ëndrra nga im atë”, edhe libri i tij përqendrohet në problematikën që shoqëron rritjen e një fëmije “gjakpërzier” e aq më tepër nën hijen e një babai të dhunshëm. Mark Okoth Obama Ndesandjo është një pianist mjaft i mirë i muzikës klasike e jazz dhe vazhdimisht organizon koncerte bamirësie, madje jep edhe mësime falas në një jetimore. Në një nga prezantimet e librit të tij, ai u shpreh para mediave se i është dashur një kohë e gjatë që të ndihej “krenar që ishte një Obama”.
Pas përshëndetjeve të rastit, shkrimtari Obama luajti në piano, pjesën “nocturne” nga Shopen, duke i shpalosur publikut një pjesë tjetër të talentit të tij, atë të një pianisti me famë botërore. Më pas, në një atmosferë shumë miqësore, qindra të pranishëm patën munëdsi të takoheshin me Mark Obamën e të merrnin prej tij edhe autografet e çmuara, në librin e botuar në standardet më të larta të cilësisë, si dhe me kopertinën e ideuar e të realizuar nga Gëzim Tafa.
Kanë thënë për librin e Mark Obamës
“Djali mulat i një akademiku kenian të shkëlqyer, por të trazuar, dhe i një amerikaneje të bardhë, shkruan një libër me ndjenja të forta emocionale rreth rrugës së tij në kërkim të identitetit dhe vetvetes”.
Uashington Post
“... përmban 1.3 miliardë mendime të peshuara, vëzhgime të mprehta, trajtesa të thella dhe momente reflektimi ... në të cilët lexuesit mund të përfshihen emocionalisht”.
“Cairns Media Magazine”