Mbi dënimin e krimeve të komunizmit
“Ëndrra e kriminelit duhet të jetë pendesa” - Dymá (Ati)
Një krim që nuk dënohet, justifikohet. Madje, dhe mund të përsëritet. Si ideologji kriminale, komunizmi solli dëme me pasoja tepër të rënda. Diktatura e tij kreu mijëra vrasje të pafajshme. Nxiti dhe organizoi përçarjen kombëtare. Tentoi të prishte shumë virtyte të shqiptarit. Arriti të degradonte besën, mikpritjen, vëllazërimin, harmoninë, shenjtërínë e pronës, e tj. I detyroi shqiptarët të skuqeshin padashur para njëri-tjetrit. Të urrenin e të luftonin kundër dëshirës njëri-tjetrin. Të shanin e poshtëronin të detyruar njëri-tjetrin. Të përbuzte pa arsye babai djalin, apo djali babánë. Ndalohej të qante me zë nëna të birin, kur nuk donte partia. U detyrua të mohonte motra vëllanë, a vëllai motrën. Komunizmi u bë copë t’i bënte shqiptarët spiunë. Të tradhtonin njëri-tjetrin. Të mallkonin njëri-tjetrin. Diktatura dënoi pa faj familje të tëra fisnike. Shkatërroi krushqi. Ndau të dashuruar. La shumë shqiptarë pa familje. Dënoi fëmijët për prindërit. I bëri shqiptarët t’i trembeshin edhe këmishës në trup. Depersonalizoi shumë karaktere. U ndoti shqiptarëve dinjitetin. I bëri servilë, dallkaukë e puthadorë ! I detyroi të duartrokisnin “kuçedrën”. Shumë i katandisi në hipokritë e cinikë. U hoqi pavarësínë, duke u marrë pronën. Forcoi terrorin me luftën e klasave. I la pa shkollë, pa profesion, madjé, të izoluar. Dhe pse të gjitha këto? Përse sillej kështu ky sistem, që e shpalli veten human, vëllazërues, liridashës e përparimtar? Përse kërkoi të lartësohej duke poshtëruar bashkëkombasit? Mos kishte frikë nga padrejtësía e vet? Apo u druhej liríve dhe të drejtave të qytetarëve? Mos i duheshin armiq imagjinarë për të “justifikuar” terrorin dhe krimet? Si mëkatár, komunizmi kishte frikë nga hija e tij. Ai ngriti të gjithë kundër të gjithëve. Trimi të fal, thotë populli, frikacaku të vret. Po përse i poshtëronte ashtu fshehtas kundërshtarët? Pse i linte pa varr, kur i vriste pa faj? Pse u sajonte akuza false? Pse u montonte nga hiçi “deklarata”? Mos, vallë, që t’i bënte spiunë? Dhe pse t’i bënte spiunë, kur nuk donin të ishin të tillë? Kur për këtë nuk i bënin lutje? Përse lakmoi t’i pushkatonte shqiptarët moralisht? Si nuk e ndali një herë dorën gjakatare, kur këta të “degraduar” gjenin kurajo të vrisnin veten!? Kur, të prishur mendsh, shtroheshin në psikiatrira? Përse nuk u tregon as sot vendet, ku u ka flakur kufomat? Mos ka frikë nga ligësítë e veta? Apo dëshiron të dalë i “pastër” para Historísë? Mos, vallë, prandaj neo-bllokmenët e penguan liberalizimin e vizave? Prandaj i ngrenë ata sot mure integrimit? Kanë frikë nga ndërgjegjësími i njerëzve? Se, ndryshe, nga t’u burojë tërë kjo urrejtje? Mos, vallë, për të mbuluar gjëmat e tyre, nuk duan të hapen sot arkivat e “dinosaurve” të krimit dhe “dosjet” sekrete të poshtërsíve të Sigurimit të Shtetit? Mos vallë, prandaj nuk duan të zihen në gojë krimet e komunizmit? Të kenë, vallë, frikë se mos detyrohen xhelatët të rrëfehen? Se mos tregojnë ç’i shtyti t’u ngrinin njerëzve akuza false? T’i dënonin pa faj? Apo duan të mos zbulohen frymëzuesit, ideatorët dhe montatorët e torturave makabre? Të fshihen arsyet pse u tentua të depersonalizohej me “daják” Shqipëría? Përse e shpërfytyruan ashtu xhelatët shqiptarin e ndershëm? Pse e detyruan t’i sajonte fajësí të paqena vetes! O tmerr! Të shpifte vëllai ndaj vëllait? Kush e duron këtë? Kush do të përgjigjet sot për këto pushkatime morale? Jo! Kjo përpëlitje e mëkatit duhet të marrë fund. Krimi komunist duhet dënuar! Xhelatët lypset të largohen urgjentisht nga “postet”. Të mos lejohen t’u mbajnë leksione “humanizmi” viktimave! Të detyrohen të kuptojë ç’gjëma makabre i bënë Shqipërisë! Dhe, të pendohen, jo vetëm për zhdukjet fizike të mijëra viktimave, për burgosjet dhe vdekjet nga uria të dhjetëra mijë të tjerëve; jo vetëm për internimet pa fund dhe varjet pa shkak, por sidomos, për shkatërrimin moral të shumë bashkëkombasve të ndershëm! Të detyrohen xhelatët të rrëfejnë gjithë poshtërsítë!...Veç nuk duhet harruar, të dënohet, në radhë të parë, “piramida e krimit”, hierarkia e masakrës, kupola që projektoi e urdhëroi vrasjet, burgosjet dhe, sidomos, depersonalizimin e kombit. Se, po nisi dënimi i krimeve nga “cironkat”, do të mbeten pa ndëshkuar “peshkaqenët” e krimit, fajtorët e vërtetë, xhelatët realë. Do të prishet, pra, baza morale e kësaj transparence dhe do të degjenerohet vetë procesi. Ndoshta, prandaj dhe dënimi i krimeve të komunizmit ka mbetur mbrapa në Shqipërí. Prandaj xhelatët janë hazdisur. Prandaj ata po përpiqen ta shpërngulin përgjegjësínë e krimeve të tyre mbi viktimat (Jo se disa prej këtyre nuk kanë mëkate !). Por po u dënuan “zagarët”, do të shpëtojnë “gjahtarët”. Do dalë sikur xhelatët, kriminelët e vërtetë, paskan qenë ca “pëllumba të bardhë”, që nuk paskan dashur të dëmtonin as një mizë dhéu! Dhe kush pa...? Përbindëshat, që ideuan luftën e klasave, “kapot” e krimit, bijtë e të cilëve edhe sot po kërkojnë izolimin e Shqipërísë nga bota. Po bëjnë çmos të bllokohen reformat, që të mbetet Shqipëría “çiflig” i neo-bllokmenëve “liberalë”! Prandaj duhet që transparenca e së keqes të bëhet, jo me platformën e xhelatëve, jo me pikëpamjet e tyre ogurzeza! Se Sigurimi Shtetit mendoi me kohë për këto ditë të vështira për të. Prandaj tenton të nxjerrë sot fajtore vetëm viktimat! Të dalë sikur vetëm këto e paskan detyruar komunizmin të sillej aq poshtërsisht me shqiptarët. Këto, viktimat, paskan qenë autoret e vërteta të krimit komunist! Prandaj nuk duhen lënë të livadhisin përsërí xhelatët komunistë nëpër institucionet e shtetit! Prandaj duhen penguar atá t’i bëjnë varrin demokracísë! Kështu do të zhduket dhe konfliktualiteti i tyre!