Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron NYT

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë njoftimin e gazetës New York Times se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord për herë të parë për bisedime të drejtpërdrejta mbi programin bërthamor të Iranit.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha dje vonë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punën me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermaninë për një zgjidhje diplomatike. Zëdhënësi tha se Presidenti Barak Obama është shprehur qartë se do të bëjë ç`është e mundur për ta parandaluar Iranin të zotërojë një armë bërthamore.
Duke cituar pa emër zyrtarë të administratës Obama, gazeta shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar kontakte sekrete intensive pothuajse që kur Barak Obama u zgjodh president në vitin 2009.
Zyrtarët thonë se Irani do të presë deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara për të parë se me kë do të negociojë, me administratën e dytë Obama apo me administratën republikane të Mit Romnit, i cili e ka akuzuar zotin Obama se ka qenë i butë ndaj Iranit.
New York Times shkruan se zyrtarët amerikanë duan t`i kufizojnë bisedimet në programin bërthamor të iranit dhe nuk do ta lejojnë Iranin t`i lidhë bisedimet me ndonjë çështje tjetër, as me çështjen e Sirisë.