Brahimi takohet me al-Assad për zgjidhjen e konfliktit në Siri
I dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, po takohet me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, në kuadër të misionit diplomatik të tij, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për konfliktin në Siri.
Zoti Brahimi po kërkon armëpushim ndërmjet kryengritësve dhe forcave të Assadit, për katër ditët e festës së Bajramit, që fillon më 26 të këtij muaji.
Shumë vende, përfshirë Iranin, Irakun, Turqinë dhe Gjermaninë, e kanë mbështetur këtë ide të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, por, tash për tash, as qeveria e Sirisë e as kryengritësit nuk e kanë pranuar.
Dje, zoti Brahimi është takuar me ministrin e jashtëm të Sirisë, Walid al-Moallem, por nuk ka dhënë deklarata për gazetarët pas këtij takimi në Damask.
Përkundër aktivitetit diplomatik, përleshjet në gjithë Sirinë kanë vazhduar.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka raportuar se më se 40 civilë dhe kryengritës janë vrarë. Janë vrarë, poashtu, edhe 20 ushtarë të forcave qeveritare të Sirisë.