“Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit pa Berishën! PD: Koha kur demokratët strehoheshin për interesa ka mbaruar!

KQZ ka vendosur ditën e sotme që koalicioni i quajtur “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme vendore të shkojë vetëm me LSI-në, e drejtuar nga Monika Kryemadhi dhe PDK-në, me kryetar Nard Ndoka.
Sipas këtij vendimi, pjesë e këtij koalicioni nuk mund të jetë Komisioni i Rithemelimit, drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi sqaroi se simbolet e Partisë Demokratike nuk mund të pranohen në këtë koalicion, sepse cenohet interesi i një force tjetër politike si dhe do të sillte konfuzion tek zgjedhësit.
“Ne konsiderojmë që duke arsyetuar edhe pretendimet e përfaqësuesit të PD për legjitimitetin e kërkesës në raport me afatin. Këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot. LSI figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor. Nuk mund të them që pretendimi i PD ishte alogjik por si pretendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke shqyrtuar një kërkesë të rikonfirmuar nga LSI të interes të tyre për një koalicion zgjedhor në këto zgjedhje. Ndaj vlerësoj që kërkesa e subjektit zgjedhor LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion me subjektin zgjedhor që ajo ka zgjedhur në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë.
Lidhur me pjesën material mendoj që ai pretendim qëndron sa i përket disa aspekteve identifikuese dhe zgjedhore. Nuk qëndron kërkesa nga ana e PD për ta kthyer për plotësim. Do ishim në këtë situatë nëse do kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. I kemi të gjitha elementët për të regjistruar një parti politike. Kemi edhe diçka më shumë që vlerësojmë sit ë panevojshme. Kërkesa në përbërje të saj për disa aspekte të saj reflekton konfliktualitet me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Kërkesa për të përfshirë në simbole, sigla apo edhe në thelbin e vet element që lidhen me PD nuk mund të pranohen. Jo vetëm për faktin që i mungon interesi PD për këtë koalicion. Ajo që vlen më shumë është diskutimi për simbolet që mund të krijojmë konfuzion te zgjedhësit. Unë vendos që të regjistroj si subjekt zgjedhor koalicionin LSI-PSD. Emri është shtëpia e Lirisë. Partia udhëheqëse është LSI. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe kundër Këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 24 orëve.”, -tha Celibashi.
Pas këtij vendimi, ka pasur edhe një reagim nga Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, ku theksoi se demokratët nuk i lidh asgjë me “Shtëpinë e Ilirit”.
“Përtej çdo makinacioni dhe mashtrimi politik, në 6 Mars ka vetëm një Parti Demokratike në zgjedhje. KQZ sapo zyrtarizoi koalicionin “Shtëpia e Ilirit”, me parti përbërëse vetëm LSI e Monika Kryemadhit dhe PDK e Nard Ndokës. Demokratët nuk i lidh asgjë me “Shtëpinë e Ilirit”.
Koha ku demokratët strehoheshin në “Shtëpinë e Ilirit”, për interesa të rritjes së pazarit të tij me Edi Ramën ka përfunduar! Koha që nëpërmjet rritjes së LSI me demokratë të dhënë borxh, t’i shërbehet pushtetit të Edi Ramës ka përfunduar. Partia Demokratike është shtëpia e vetme e demokratëve.”, tha Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
/rtsh.al/