Gara për kreun e ri të SPAK, ambasadori gjerman: Procesi të jetë transparent dhe i pandikuar nga jashtë

Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të pandikuar nga jashtë për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme.
Ambasadori Bergner kërkoi që gjyqësori të tregojë në këtë proces që është i pavarur, një kriter kyç i sundimit të ligjit dhe procesit të integrimit të vendit.
Duke vlerësuar rolin e Altin Dumanit, ambasadori Bergner tha se SPAK arriti kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.
“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë.
Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.
Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, u shpreh ambasadori.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi zyrtarisht garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, tre muaj para përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual Altin Dumani.
KLP ka vendosur një afat 3-javor për paraqitjen e dokumentacionit të kandidatëve, deri më 8 tetor 2025. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve ekzistues të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.
Mes kandidatëve të mundshëm, të cilët janë pjesë e SPAK-ut aktualisht dhe kanë mundësinë që të konkurrojnë, janë:
- Adnan Xholi
- Anita Jella
- Alfred Shehu
- Behar Dibra
- Bledar Maksuti
- Doloreza Musabelliu
- Dorina Bejko
- Dritan Prençi
- Edvin Kondili
- Elida Kaçkini
- Elvin Gokaj
- Ened Nakuçi
- Enkeleda Millonai
- Klodjan Braho
- Manjola Kajana
- Ols Dado
- Sotir Kllapi
- Vladimir Mara
/rtsh.al/