Shtërpcë, shënohet 14-vjetori i eksodit ‘99 dhe nderohen të rënët

Shqiptarët e Shtërpcës kanë përkujtuar të mërkurën ditën e dëbimit masiv nga shtëpitë e tyre nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Në një akademi përkujtimore, që u mbajt në Drekoc të Shtërpcës, në 14-vjetorin e eksodit ’99, folësit thanë se kjo datë do të jetë gjithmonë e shënuar në historinë e kësaj treve. Beqir Fejzullhau, nënkryetar i Komunës, tha se dita e eksodit të shqiptarëve syrinikas nuk duhet harruar. “Kjo është një datë që na kujton të kaluarën tonë të hidhur. Është data e eksodit të përgjithshëm, ndonëse në disa fshatrave si Bitijë, Kashtanjevë e Viçë, banorët ishin përzënë më herët nga shtëpitë”, ka thënë Fejzullahu. Ai ka vënë në spikamë se Kosova sot është shtet në ndërtim dhe kjo duke iu falënderuar vajtjeve të popullit dhe të rënëve për liri.
Maliq Muharremi, anëtar i këshillit organizativ, ka thënë se Organizata e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj të Shtërpcës ka mbledhur një numër të madh faktesh për luftën e fundit në trevën e Shtërpcës, të cilat më pas do t’i dokumentojë. Kurse, Afrim Mehmeti, oficer i lartë në FSK, njëherësh edhe ndër ushtarët e parë të UÇK-së në Shtërpcë, ka thënë se falë gjakut të dëshmorëve Kosova sot gëzon lirinë. Ai ka evokuar kujtime nga lufta e fundit dhe me theks të veçantë është ndalur te veprimtaria e tre dëshmorëve syrinikas, Ahmet Kaçiku, Kadrush Ilazi dhe Nazim Bakiu. Për historikun e luftës së fundit në këto anë ka folur historiani Garip Sahiti.
Pjesëmarrësit në këtë akademi përkujtimore kanë pasur rastin të shohin edhe një ekspozitë me projektor të dokumenteve të rëndësishme gjatë luftës në këtë trevë.
Po ashtu, përpos jetës dhe veprimtarisë së dëshmorëve të kombit, qytetarët pjesëmarrës patën rastin të njihen edhe me jetën dhe veprimtarinë e 20 martirëve të lirisë në Shtërpcë. Si asnjëherë më parë, njëri nga organizatorët e kësaj akademie, Jonuz Ahmeti, kishte grumbulluar një numër të madh fotografish nga lufta në këtë anë, vrasjet e martirëve dhe shkatërrimeve. Ai theksoi se është bërë zakon që të përkujtohen vetëm dëshmorët, duke u lënë shpeshherë në harresë edhe martirët e lirisë.
Për shkak të materialeve të ndjeshme, në këtë akademi ishte e ndaluar hyrja për persona nën moshën 18-vjeçare./Indeksonline/