Kapen 4 aktivistë të PDSH-së në Tetovë duke blerë vota

Katër persona, aktivistë të PDSH-së në Tetovë, janë arrestuar në flagrancë nga policia pasi janë zënë duke blerë vota për kandidatin e tyre. Kështu bënë të ditur burime të policisë për televizionin Alsat M. Ata u paraqitën sot para hetuesisë në Tetovë, dhe pritet t’iu caktohet masa e paraburgimit 30 ditor.
Policia ka konfirmuar rastin dhe, sipas saj, personat e dyshuar janë arrestuar në kuadër të operacionit “Vota e prekur”, që ka të bëjë me dhënie ryshfeti një numri të madh qytetarësh për të votuar për njërin nga kandidatët për kryetar të Komunës së Tetovës. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë dje ndërmori disa aktivitete operative në lidhje me këtë çështje. Me urdhër të Gjykatës, është kryer kontroll në zyrën e noterit 63 vjeçar me inicialet M.I., i cili gjendet në rrugën “Ilinden” në Tetovë, nga ku është marrë një regjistër noterial për vlefshmëri dhe 175 deklarata të certifikuara nga qytetarët që kanë marrë ryshfet. Më vonë janë arrestuar katër persona nga Tetova: 40 vjeçari me inicialet A. M., nga i cili janë marrë 16 kartëmonedha me vlerë nominale prej 10 eurove, 32 vjeçari me inicialet N. T., si dhe 28 vjeçari, me inicialet B. H., në veturën e të cilëve janë gjetur 14 060 euro, më konkretisht, 653 kartëmonedha me vlerë nominale prej 20 euro, 5 euro dhe 200 euro. Përveç katër të arrestuarve, në pyetje është marrë edhe 77 vjeçari me inicialet Q. L. nga Tetova. Ai është lënë i lirë, së bashku me noterin me inicialet M. I., thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme.
Sektori për punë të Brendshme në Tetovë ka marrë masat e duhura për të zbardhur plotësisht të gjitha detajet lidhur me këtë rast. Ndaj katër të arrestuarve të dyshuar për veprën “ryshfet në zgjedhje dhe votim” do të ngrihet akuzë./Indeksonline/