E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtet-privati i futbollit shqiptar

Do të na pëlqente që në këto ditë të përvjetorit të 100-të të Pavarësisë së vendit dhe krijimit të shtetit tonë të parë, t’i kishim sa më në rregull punët por ja që, kudo ku të hedhësh sytë do të gjendet një vegjë në të cilën kushdo mund të gjejë të varur një problem, ende të pazgjidhur. Nuk marr përsipër që të flas për gjithësinë e gjërave, e për t’i zgjidhur ato, ç’ka besoj se askush nuk duhej dhe s’do të mund ta bënte, se ndryshe do t’i ngjante një Don Kishoti, ndërkohë, për atë që e shoh përditë dhe e njoh prej kohësh, them se kam të drejtë ta vë në dukje. Po marr si shkas një ndodhi absurde të ditëve të fundit, në të cilën u përfshi edhe shteti, edhe privati, duke krijuar një vorbull të tillë, ku siç thotë populli, nuk e mori vesh i pari të dytin. Është fjala për atë ndeshjen e javës së kaluar për Kupën e Shqipërisë në futboll, kur ekipi i Besës duhej të priste në fushën e vet ekipin e Flamurtarit, por për shkak të asaj vorbullës shtet-privat që e kam theksuar që në titull të këtij komenti, loja u spostua nga Kavaja për në Durrës!? Ka ndodhur në ndonjë rast që një ndeshje mund të kalojë nga një fushë në tjetrën, për shkak të dënimit të fushës pritëse, ose për arsye të tjera të pranueshme, por ky rast i bojkotit të stadiumit të Kavajës nuk ka asnjë logjikë që të mund të justifikohet. Problemi ishte se bashkia e këtij qyteti donte t’i fuste banorët e saj pa bileta në stadium ditën kur ekipi i Besës do të priste ndeshjen e radhës, ndërsa ai që të paktën njihet si president i klubit futbollistik dhe që në këtë rast përfaqëson privatin, nuk e pranonte një gjë të tillë, duke pretenduar me të drejtë se kështu ai dilte edhe më shumë i humbur. Ngjarja në fjalë mund të jetë harruar tashmë, si ç’do absurditet tjetër në jetën tonë të përditshme, por duke qenë e lidhur ngushtë me shumë gjëra të tjera të futbollit, që janë përzier keqas në marrëdhëniet shtet-privat, ku asnjeri prej palëve nuk e di se në ç’farë pozicioni ndodhet, mendova që rastin e Kavajës ta sjell përsëri në vëmendje Ngjarjet e radhës të “llojit shqiptar” ta bëjnë të vështirë t’i harrosh të këqijat e mëparshme dhe kështu ndodhi edhe për rastin e cituar më sipër, kur gjatë një emisioni televiziv, teksa diskutohej për rënien e vazhdueshme të FK Tiranës, emëruesi i përbashkët i problemeve ishte po ai i marrëdhënieve ende të paqartësuara mes shtetit dhe privatit. Ndërsa në Kavajë ekipi vendas e la me gisht në gojë bashkinë dhe tifozët, sepse “presidenti” që financon lojtarët i transferoi ata në Stadiumin e Durrësit, për të nxjerrë ndonjë lek(!?), tek Tirana kaosi i humbjeve të ndeshjeve dhe i largimit të trajnerëve, duket edhe më i madh, ngaqë këtu nuk ka asnjë president apo ndonjë lloj drejtuesi që t’u dalë për zot gjërave, megjithëse në sfond vazhdon të qëndrojë një “bord” që nuk dihet se me çfarë fondesh po e mban deri tani ekipin. Ndryshe ndodh në klubet e qyteteve të tjera, si në Vlorë e Shkodër, ku për fatet e futbollit duket se përgjigjen bashkitë, por edhe në këtë rast duket pak si enigmatike se ku dhe si i gjejnë lekët ato për të përballuar kostot e mëdha financiare ë kërkon kjo punë! Një fjalëkryq më vete është rast tjetër, ai i Fierit, ku thuhet se shumicën e aksioneve i ka privati dhe të tjerat bashkia, pra, pak a shumë si Bashkia e Kavajës, gjë që solli atë ndodhi të papëlqyeshme të stadiumit të braktisur! Pak si më “origjinale” duken zgjidhjet e Korçës dhe të Durrësit, ku duket se fuqinë e kanë marrë presidentët e klubeve, që përgjigjen për gjithshka i duhet një ekipi, ndërkohë që edhe këtu nuk sqarohen mirë marrëdhëniet e tyre me shtetin, detyrimet ndaj njeri-tjetrit, e gjëra të tjera që duhet të funksionojnë nëpërmjet rregullave të caktuara, si në çdo vend tjetër, me fizionomi e të drejta ligjore. Edhe herë të tjera e kam theksuar indiferentizmin burokratik të ministrive përkatëse që duhet të përgjigjen për zbatimin e udhëzimeve të qeverisë edhe për privatizimet e klubeve të futbollit, por që në fakt nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga karriget e ngrohta të zyrave dhe bar-kafeve rrotull tyre. Duke vazhduar me këtë stil zvarritës së punëve, futbolli i klubeve e bashkë me të edhe ai i Kombëtares, do të jenë po në të njëjtën gjendje si deri më tani, ku në vend të normalitetit do të zotërojë anarkia, ashtu siç edhe përmendte në një blog të faqeve ‘on line’, dikush që gjendjen e sotme të administrimit të FK Tiranës e quante si të ish ajo ndërmarrja e dikurshme, e ashtuquajtura “komunale”, ku shteti ju zgjidhte qytetarëve ndonjë shërbim të vogël, po jo probleme të tilla të mëdha që shtrohen aktualisht, siç janë e ardhmja e klubeve futbollistike...

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›