E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duajeni vendin tuaj!

Ishte ky mesazhi i fortë publik, që një mike e Shqipërisë, njëkohësisht përfaqësuesja e lartë zyrtare e aleatit strategjik të Shqipërisë, SHBA-ve i dha klasës politike shqiptare gjatë vizitës së saj disa orëshe në Tiranë. Sekretarja Klinton dha përpara ligjvënësve shqiptarë, të ftuarve të tjerë në sallën e Kuvendit, një leksion demokracie të bazuar në eksperiencën e saj personale. Politikania me eksperiencë e karrierë të gjatë, Hilari Klinton, tregoi se si dashuria për vendin e vet, e bëri që të kapërcente ndasitë që krijon një garë presidenciale, e pas humbjes, t’i bashkohej rivalit të saj fitimtar Obama, në sfidat për ta çuar vendin e tyre përpara. Ishte një mesazh e leksion shumë më i rëndësishëm se kush do jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Ishte leksioni i parë që duhet të mësojë kushdo, që synon të hyjë në politikë, apo që është pjesë e saj: parimi thelbësor është dashuria për vendin, jo vetëm në raste festash e festimesh për sukseset, por e dëshmuar ditë pas dite, në çdo veprim, çdo qëndrim e çdo vendim. Pra misioni i çdo politikani duhet të jetë dashuria për vendin e përparimin e tij. Më shumë se gjenetik, ky është një tipar që dallon njerëzit me karakter, është baza që mban “kolonat e forta” të formimit, që e dallojnë një politikëbërës, që e spikasin si model për brezat, si shembull e referencë historike. Znj.Klinton evokoi pikërisht këtë tipar të fortë të karakterit njerëzor, që do japë garancitë e duhura për qytetarët e partnerët ndërkombëtarë, për mbarëvajtjen e shëndetshme të një vendi, tipar udhëheqës që do arrijë të garantojë zgjedhje të lira e të drejta, ulje të nivelit të korrupsionit e një ambient demokratik funksionues.
Dhe këtë Sekretarja Klinton e bëri duke iu referuar momenteve kryesore të historisë së Shqipërisë, për të cilat SHBA-të kanë qenë përherë aty, për të ndihmuar e mbështetur shqiptarët. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona datojnë në korrik 1922, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, e arritur edhe falë kundërvënies jetike të Presidentit amerikan Wilson, ndaj copëtimit të projektuar nga fuqitë e mëdha për Shqipërinë e vogël buzë Adriatikut. Korrikun që lamë pas, do kishim festuar 90-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe, nëse ato nuk do ishin ndërprerë në qershor të vitit 1939, pas humbjes së pavarësisë, për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Rivendosja e këtyre marrëdhënieve në 1 tetor 1991, me instalimin në Tiranë të ngarkuarit me punë Ambasadorit Kristofer Hill do shënonte rifillimin e kësaj marrëdhënieje, që sot e ka kapërcyer kufirin protokollar, duke u shndërruar në miqësore, partneriale, e që shihet jo pa zili nga vende e partnerë të tjerë.
Vizitat e nivelit të lartë, në qershor 1991 nga Sekretari i Shtetit Xheims Bejker, në shkurt 2000 nga Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, në maj 2003 nga Sekretari i Shtetit, Colin Powell, shënuan pikën kulmorë në marrëdhëniet mes dy vendeve me vizitën e të parit President të SHBA-ve në Tiranë, Xhorxh W. Bush më 11 qershor 2007.
Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës mbajnë vulën e Presidentit Bill Klinton, ndërsa anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, atë të Presidentëve Bush e Obama. Vizita në Tiranë e Sekretares Klinton në muajin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, veçse e rikonfirmon nivelin e lartë të miqësisë mes dy vendeve.
Nga ana e saj Shqipëria ka ofruar një bashkëpunim të pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit, për të cilën është vlerësuar publikisht nga SHBA, me adresim të posaçëm për dy aktorë të rëndësishëm: Shërbimin Informativ Shqiptar e Prokurorinë e Përgjithshme. Pikërisht për këto dy institucione partnere, të afërta në luftën kundër terrorizmit, SHBA kanë shprehur kohët e fundit në mënyrë si publike, ashtu edhe informale shqetësimin për të ardhmen e tyre. Shqetësimi dukshëm shkon përtej diskutimit politik, për kohëzgjatjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme. Shqetësimi i aleatit tonë strategjik shkon për staturën që duhet të ketë emri i ri, që do drejtojë organin e akuzës, me shpresën dhe detyrimin partnerial, që të mos përsëritet emërimi surprizë i kreut të SHISH. Mbështetja e artikuluar në mënyrë të përsëritur nga Sekretarja Klinton, se SHBA kanë qenë, janë dhe do vazhdojnë të jenë miqtë e Shqipërisë është një kujtesë për Tiranën zyrtare, se partneriteti dhe mbështetja kanë edhe “detyrime”, e se një partner si SHBA duhet të vazhdojë të konsiderohet i tillë, si në drejtim të mbështetjes së fuqishme që ofron, ashtu edhe në qëndrueshmërinë për ta trajtuar si të tillë, në projektet politike e ekonomike të vendit, pa asnjë lloj lëkundjeje apo nostalgji për të shkuarën.
“Do qëndrojmë me ju edhe 100 vjet të tjera, e do vazhdojmë të lobojmë fort për ju”, është garancia që vjen nga një mik i madh, që beson se Shqipëria i ka mundësitë e energjitë për t’u bërë model, siç nënvizoi Sekretarja Klinton, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën, si një vend i integruar e një demokraci funksionale. Kapërcimi i interesave politike partiake, për hir të interesave madhorë të vendit, mbetet sfida ende e papërmbushur e klasës sonë politikë në jubileun e 100- vjetorit të ditëlindjes së shtetit. Dhe Sekretarja amerikane Klinton e përsëriti disa herë këtë, më shumë si lutje miqësore sesa kërkesë, me shpresën, që ajo të depërtojë fort në mendjet dhe zemrat e klasës sonë politike.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›