Shteti i Kosovës është realitetNga Vlado Vurušić, “Jutarnji list”Kosova - shteti më i ri në Europë, e festoi ditëlindjen e dytë. Deri më tash 65 shtete - mes të cilave janë SHBA’të dhe shumica e vendeve të BE’së dhe fqinjëve të Serbisë, por jo e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shteti i Kosovës është realitetNga Vlado Vurušić, “Jutarnji list”Kosova - shteti më i ri në Europë, e festoi ditëlindjen e dytë. Deri më tash 65 shtete - mes të cilave janë SHBA’të dhe shumica e vendeve të BE’së dhe fqinjëve të Serbisë, por jo edhe Serbia dhe Rumania - e kanë njohur pavarësinë e kësaj ish krahine autonome jugosllave.
Disa incidente sporadike, kryesisht në pjesën veriore të Kosovës që kontrollohet nga serbët dhe funksionon si të ishte Rrip i Gazës, prapëseprapë nuk kanë eskaluar në komplikime dhe dhunë të përmasave më të mëdha. Po ashtu nuk ka ndodhur as eksodi i paralajmëruar i serbëve. Kosova është duke përparuar çdo ditë e më shumë dhe në çdo aspekt, pra është duke funksionuar si shtet “i vërtetë”, ndonëse do të duhet të presë për anëtarësim të plotë në organizatat ndërkombëtare si UN’i.
Por, edhe përkundër faktit se Serbia nuk lejon që çështja e Kosovës të harrohet, ky është një problem më pak destabilizues sesa ai i Bosnje dhe Hercegovinës. Shteti i Kosovës është realitet. Serbia vazhdimisht lodhet me përpjekje të plogështa për kontestimin e pavarësisë, edhe përkundër faktit se amerikanët janë mentorë të Kosovës.
Serbët përpiqen t’i rifillojnë bisedimet, kurse Vuk Jeremic – i cili i përngjanë një nxënësi që mëson përmendësh, i viziton shtetet e painkuadruara me qëllim që t’i parandalojë njohjet e Kosovës nga ana e tyre. Kjo ngjan si ajo puna e popit që nuk ka me çfarë të merret, por përpiqet ta qetësojë gjendjen në oborrin e vet.
Prapëseprapë, pesha e Kosovës edhe më tej i rëndon raportet në rajon, veçanërisht e trazon skenën vendore politike të Serbisë, konkretisht, raportet e saja me shtetet ish-jugosllave: Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Kosova është njëra prej çështjeve më problematike në raportet e komplikuara kroato-serbe.
Kosova është bërë njësi matëse e këtyre raporteve, kurse Serbia frustrimet e saja (të cilat elita politike beogradase assesi nuk mund t’i fshehë) i gjuan në terrenin e të tjerëve, gjë që nuk ndikon në shtensionimin e situatës.
Kosova dhe humbja e territorit të saj pa dyshim se është një ankth për Serbinë. Në Serbi pandërprerë ankohen dhe vajtojnë për Kosovën, edhe pse ajo “nuk jeton” në Serbi dhe me Serbinë që prej verës së vesuar NATO’iane të vitit 1999. Kosova jeton me Serbinë vetëm në hartën e prognozës meteorologjike të RTS’it.
Kur Serbia flet për Kosovën, ajo e sheh vetëm territorin e humbur, por jo edhe shqiptarët. Ata as që i përmend. Por, ata ekzistojnë. Plot dy milionë. Serbia e sheh vetëm padrejtësinë që i është bërë asaj para dy viteve, por nuk dëshiron të përballet me katarsisin për Soweto’n kosovare që ka ekzistuar gjatë dhjetë viteve të pushtetit të Millosheviqit.
Sot, fatkeqësisht, gjendja ka ndryshuar në një masë dhe serbët e Kosovës janë futur në rrethoja, enklava, bantustan’e të parehatshme – në një anë për arsye se kanë prirje mazohiste për vetizolim me dëshirë, kurse në anën tjetër sepse në një veprim të këtillë i shtynë atmosfera politike në Serbi dhe Kosovë. Kokëfortësia e Beogradit, e cila mes tjerash serbëve të Kosovës ua ndalon daljen në votime dhe çfarëdolloj integrimi në shoqërinë kosovare (të cilën, natyrisht, e përbëjnë edhe serbët), në fakt është një dëm që i bëhet atyre duke çuar ujë në mullirin e elitës politike kosovare, e cila nuk brengoset shumë për shtetin multietnik. Serbët e atjeshëm vërtet janë viktimat më të mëdha të aventurës së Millosheviqit. Edhe ekstremistët shqiptarë fitojnë alibi nga politika beogradase.
Serbët e Kosovës në enklavat e tyre duken si një anije e braktisur ilegale, përplot me imigrantë të frikësuar e të tërbuar afrikanoveriorë, të dëshpëruar në kërkim të diçkaje të panjohur, që lundrojnë nëpër brigjet e braktisura të Lampedusës dhe të gjithëve vetëm sa u zënë rrugën.
Për ata, nacionalizmi irracional është e vetmja masë e mbijetesës. Nuk dëshirojnë të ballafaqohen me hidhësirat dhe plagët nëpër të cilat kanë kaluar fqinjët e tyre shqiptarë, të cilëve u ishte mohuar gjithçka gjatë të ‘90’ave. Ata më me dëshirë do ta pranojnë masakrën në Srebrenicë si ligësi të veten, sesa që do të thonë se Kosova ka qenë një Guantanamo i madh.
Elita e sotme politike e Serbisë e ka vendosur Kosovën në qendër të politikës së saj, e cila më së shumti përthyhet përmes fqinjëve të vet. Për shembull, Kina i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me secilin shtet që e pranon Tajvanin - qoftë ajo SHBA’ja apo Mozambiku. Por, të jemi të sinqertë, Serbia nuk është Kinë, e as Kosova s’është Tajvan.
Nëse Serbia nuk është Kinë, pse atëherë Boris Tadic hidhërohet dhe nuk dëshiron ta vizitojë Mesicin, e as të vije në inaugurimin e Josipovicit, ndërsa Vuk Jeremic flet përralla gjatë vizitave në Kroaci dhe Mal të Zi, por me buzëqeshje e pret në Beograd nënkryetarin amerikan Joe Biden, gjatë udhëtimit të tij për në Prishtinë?
Nga ana tjetër, ambasadori serb në Zagreb nuk e anashkalon asnjëren prej pritjeve diplomatike, në të cilat rregullisht vjen kolegu i tij kosovar. Janë bashkë, por nuk komunikojnë. Për këtë arsye, shpesh janë atraksioni kryesor i pritjeve të tilla.