Shteti i bunkerëve

Kur Silvia Berger ishte vajzë e vogël, nëna e saj shishet e marmelatës i vendoste në një dhomë me një derë të trashë dhe të rëndë dhe me mure të betonit. Sa herë që nëna e dërgonte që të merrte ndonjë shishe marmelatë, ajo duhej të mblidhte tërë guximin dhe të shkonte në hapësirën e errët, në podrumin e shtëpisë.
Aty ishin rreshtuar furnizimet e familjes Berger. Dhe nuk ishte që marmelata e familjes Berger kishte ndonjë rëndësi të veçantë, e nuk kishte as mungesë të prodhimeve ushqimore. Ajo që duket e çuditshme është normale në një shtet, në të cilin sipas ligjit çdo shtëpi duhet të ketë një strehimore.
Ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë dhoma të zbrazëta në shtëpitë e tyre, shfrytëzojnë strehimoret si depo për gjësende të ndryshme. Për zviceranët, bunkerët janë përditshmëri, siç janë edhe dhoma e ditës apo garazhi.
Sot Silvia Berger është historiane dhe po studion historinë e ndërtimit të bunkerëve në Zvicër. “Strehimoret janë bërë pjesë e identitetit tonë”, thotë ajo.
Frika e zviceranëve matet me metra katrorë. Më shumë se 300 mijë strehimore ekzistojnë aktualisht në Zvicër. Në një shtet me 7.6 milionë banorë, strehimoret ofrojnë vend për 8.6 milionë banorë. Tani është paraparë që të ndërtohen edhe bunkerë shtesë.
Në të vërtetë, Këshilli Kombëtar i Zvicrës më 9 mars kishte marrë vendimin se 20 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, këta bunkerë nuk janë më të nevojshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, ndodhi katastrofa bërthamore në Fukushimë, në Japoni.
Frika u përhap në radhët e zviceranëve dhe parlamenti shfuqizoi vendimin e mëhershëm. Në fillim të qershorit, Këshilli Kombëtar jo vetëm që mori vendimin për të ruajtur bunkerët ekzistues, por vendosi që të ndërtojë bunkerë shtesë. Në këtë mënyrë u ringjall sërish një traditë e çuditshme.
Nëse e pyetni një zviceran se a ka strehimore në shtëpinë e tij, ai do të të shikojë, thuajse e ke pyetur se a merr frymë. Natyrisht. Strehimoret janë pjesë e Zvicrës, siç janë edhe djathi, orët dhe çokollata.
Strehimoret ekzistojnë në çdo qark. Disa prej tyre janë të vogla, të vendosura në podrumet e shtëpive. Të tjerat me plotë kuptimin e fjalës mund të quhen fortesa, me disa qindra shtretër.
Të gjitha strehimoret duhet të plotësojnë kritere të ashpra të sigurisë. Dyert e rënda nga çeliku janë të obliguara, e gjithashtu edhe muret e betonit, me një trashësi prej së paku gjysmë metri.
Për zviceranët, bunkerët kanë kuptim pozitiv. “Kur gjermanët dëgjojnë fjalën strehimore, atëherë ata mendojnë në luftë. Por zviceranëve ju pëlqen nëntoka, së fundi që nga hapja e tunelit Gotthard”, thotë Berger.
Pjesa më e madhe e strehimoreve janë të zbrazëta, por pjesa më e madhe e strehimoreve private shfrytëzohen.
Qarku Sevelen, në kantonin e St.Gallenit në fillim të viteve të 90-ta u detyrua të ndërtojë një strehimore komunale, ndërtimi i së cilës kushtoi tre milionë euro.
Arsye për këtë ishte ligji zviceran për mbrojtje civile nga viti 1963. Ky ligj thotë se të gjithë ata, të cilët nuk dëshirojnë strehimore në shtëpitë e tyre, duhet të paguajnë gjobë. Në anën tjetër, komuna është e obliguar që këtyre njerëzve t’iu sigurojë vende në strehimoren komunale.
Komuna ju drejtua artistëve Frank dhe Patrik Riklin, duke kërkuar nga ata që të hartojnë një koncept për shfrytëzimin e bunkerit.
“Ishte një gjë absurde. Të gjithë e dinin se ky bunker i ri nuk kishte kurrfarë funksioni, pasi që nuk kishte më rrezik nga ndonjë luftë”, kujton ngjarjen Frank Riklin. Në vitin 2008, artistët në bunkerin me 300 shtretër hapen hotelin e parë në botë me “zero yje”.
Historia e bunkerëve në Zvicër mund të lexohet si një barometër i panikut global. Në vitin 1950, parlamenti i Zvicrës vendosi të ndërtojë bunkerë të ri. Vetëm disa muaj më herët, Bashkimi Sovjetik kishte zhvilluar me sukses testin e parë bërthamor.
Në vitin 1963, u miratua ligji për ndërtimin e obligueshëm të bunkerëve, më pak se një vit pas krizës së Kubës, kur bota ishte shumë afër luftës bërthamore. Më 6 qershor 2011, Këshilli Kombëtar vendosi që bunkerët të mbesin aty ku janë edhe në shekullin e 21-të, pas katastrofës në Fukushima.
Gjatë Luftës së Ftohtë, bunkerët ia jepnin zviceranëve ndjenjën e sigurisë. Por dashuria për bunkerët mori fund, pas shkatërrimit të Paktit të Varshavës, por Fukushima sërish ndryshoi çdo gjë. Tani zviceranët janë të lumtur, sidomos të rinjtë, që kanë bunkerët e tyre.
“Fukushima na dëshmoi se aksidentet bërthamore mund të ndodhin edhe në shtetet perëndimore”, thotë Bruno Frick, nga partia CVP.
Obligimi për ndërtimin e strehimoreve pasqyron mentalitetin zviceran. “Thjeshtë, ne kemi nevojë të madhe për siguri. Ne zviceranët mbrohemi nga çdo gjë përreth nesh, ngase kemi frikë se do të humbim veçantinë tonë”, thotë artisti Frank Riklin.
“Për aq kohë sa të ketë rreziqe të reja, do të ketë bunkerë në Zvicër”, nënvizon Silvia Berger. (Die Welt)