Shteti ndikon mbi median nëpërmjet reklamave preferenciale
Tiranë- Përfaqësuesja e OSBE- së për lirinë e medias, Dunja Miatoviç, ka qenë sot prezente në mbledhjen e Komisionit të Medias, ku ka paraqitur disa prej problemeve me të cilat ndeshet sot media shqiptare.
Sipas saj një nga problemet më madhore në media është ndikimi në të i politikës nëpërmjet reklamave shtetërore. Ajo tha se përveç mungesës së pavarësisë në televizionin publik dhe në KKRT shteti ndikon duke reklamuar në disa media që atij i interesojnë.
Miatoviç ka deklaruar se mënyra më e mirë për të sjellë pluralizëm në tregun mediatik, është legalizimi i transmetimeve dixhitale. Ajo ka thënë se liria në media nuk vjen vetëm nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Penal, ku është hequr dënimi me burg për gazetarët për veprën e shpifjes, por sipas saj kjo vepër duhet të hiqet plotësisht nga Kodi.
Pas largimit nga Komisioni i Medias ajo zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha, ku u trajtua situata e medias sot dhe përpjekjet e qeverisë për ta bërë atë sa më të lirë. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Miatoviç pritet të zhillojë takime dhe me personalitete të tjera të vendit, dhe të enjten në një konferencë për shtyp do të bëjë publike konkluzionet e inspektimit.