Shteti në zhvillim të ngadaltë

Shteti i lindur pesë vjet më parë nuk po i ndërron hapat akoma. Për pasojë, ritme të ngadalshme rrugëtimi e kanë përcjellë Kosovën në këtë gjysmë dekade, prej kur është shpallur e pavarur.
Autoriteti kushtetues nuk është shtrirë në gjithë territorin. Edhe në pjesën ku autoriteti është i konsoliduar, niveli i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është në vlim. Është më i larti në rajon, që për pasojë ka pasur izolimin e shtetasve, duke i bërë të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen.
Kosova nuk gëzon as statusin prej shteti në raport me mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Nuk ka ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por nuk ka as deputetë në Këshill të Evropës, shkruan gazeta “Koha ditore”.
Nuk ka as kodin e saj telefonik, nuk posedon kodin e saj bankar e nuk e ka as kodin në internet.
Sportistët nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike dhe as në kampionate në nivel të Evropës a të botës.
Përtej këtyre, Kosova ndodhet prapa të gjitha vendeve edhe në kontekst të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. /Indeksonline/